Në Kukës është krenari në çdo tryezë, në çdo festë e gëzim familjar. Pa fli nuk ka dasmë, ndaj nenat e trashëgojnë tek bijat, duke ruajtur traditën. Natasha Sinani sot 74 vjeçe tregon se prej 57 vitesh e gatuan flinë ne gëzime familjare.
Gatimi nuk është i thjeshtë dhe ka sekret e veta, por Natasha ndan me ne disa prej tyre. Për mbushjen e një tepsie të madhe duhen të paktën 3 ose 4 orë, me petët që piqen një e nga një me saç, që nxehet me zjarrin e druve.
“Miellin e situr, merrnim ujin, e bënim qullin me kripë. Merrnim vezën, gjalpin. Një shtresë me brumë, e pjek, e lyen me gjalpë dhe sërish e nxjerr brumin, e lyen, e pjek, e lyen, e pjek sërish. Proces që vazhdon”, tha Sinani.
Natasha sot e ka të pamundur ta gatuaj e vetme dhe brezat e rinj po e trashëgojnë traditën, njëlloj si më parë, të pjekur në saçin e druve.
“Vjehrra më ka mësuar, tani nusja e bën. Megjithëse nusja di edhe vetë se e ka traditë edhe ajo.
Për festën e Bajramit, për festa të tjera, për një ditëlindje, për çfarëdo e përdorim, është traditë”, vijoi Sinani.
Flija për kuksianët nuk është thjesht ushqim por shume me tepër.
“Flija është bereqeti i shtëpisë. Kush nxjerr fli përpara, është zonjë. Domethënë, ka shtëpia bereqet dhe është zonjë shtëpie. Ajo shtëpi është e mbarë”, thekson ajo.
Natashën ne e takuam gjatë një aktiviteti qe synon promovimin e trashëgimisë dhe mbi te gjitha regjistrimin e flisë si markë “Specialitet Tradicional i Garantuar”.
Pesë gra përgatitën flinë, e cila u shijua nga të pranishmit në një degustim, si hap i parë drejt certifikimit të saj zyrtar.
Komente
