Kulla 'Mali i Tiranës'

Kulla 'Mali i Tiranës', PD thirrje SPAK: Të hetohet me seriozitet, paratë e botës së krimit po pastrohen në kulla dhe beton

9 Gusht 2023, 19:22| Përditesimi: 9 Gusht 2023, 19:45

  • Share

TIRANË- Partia Demokratike i ka bërë sërish thirrje SPAK që të hetojë kullën ‘Mali i Tiranës’, që do të ndërtohet pas Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë. Në një reagim në Facebook, zëdhënësja e PD, Mirela Karabina shkruan se SPAK duhet të hetojë me seriozitet kullën Mali i Tiranës, pasi paratë e botës së krimit po pastrohen në kulla dhe beton. Po ashtu, Karabina kërkon të vijojë hetimet deri në fund për inceneratorët.

“Partia Demokratike edhe njëherë shpreh shqetësimin e saj për përfshirjen e Qeverisë Rama në aferat korruptive ku qartas evidentohet lidhja e politikës me krimin e organizuar. Si në rastin e incerenatorëve, ku hetimet e deri më tanishme të SPAK kanë vërtetuar lidhjet direkte të ministrave të Ramës me vjedhjen e shekullit, edhe në rastin e ndërtimeve në Tiranë duket qartazi se paratë e botës së krimit po pastrohen në kulla dhe beton.

Partia Demokratike dhe Kryetari i saj z.Lulzim Basha i bëjnë thirrje Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) që të vijojë punën në hetimin deri në fund të incerenatorëve dhe çdo politikani apo individi të implikuar në të. Sikundër e ftojmë SPAK të hetojë me seriozitet dhe çdo ndërtim, përfshirë dhe kullën më të re në mes të Tiranës (Mali i Tiranës)", shkruan Karabina. 

Zëdhënësja e PD thotë se kryeministri Edi Rama qëndron në pushtet pasi kjo qeveri ka lidhur fijet me botën e krimit dhe sipas saj vetëm nëse SPAK i këput këto fije mund të çlirohet politika dhe vendi për qytetarët.

“Fijet e dukshme dhe të padukshme të politikës dhe pastrimit të parave të botës së krimit janë baza mbi të cilën është ndërtuar dhe qëndron në këmbë pushteti i Edi Ramës. Vetëm këputja e këtyre fijeve do të mund ta çlirojë politikën nga pengmarrja e krimit dhe t’i krijojë shqiptarëve hapësirë për të përmirësuar jetën e tyre", shkruan ajo. 

Në fund Karabina ndalet edhe tek propozimi i PD për vetting në politikë, duke theksuar se PD është në betejë me korrupsionin.

"Për këtë, Partia Demokratike ka prezantuar dhe iniciativat e saj: VETTINGU i politikanë, “Ndiq paranë dhe lidhjet me krimin”, do të pastrojë politikën nga të korruptuarit për t’i dhënë fund epokës së korrupsionit në mënyrë që politikanët mos jenë më në shërbim të oligarkëve dhe interesave kriminalë të tyre, por në shërbim të interesit publik;

Miratimi i një pakete ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit në nivele të larta, jo vetëm për DENIMIN  e korrupsionit, por dhe SEKUESTRIMIN e pasurive që vijnë nga këto afera që fshihen pas oligarkëve. Partia Demokratike është në betejë të papajtueshme me korrupsionin”, shkruan Karabina.

Thirrjes për hetim për kullën Mali i Tiranës, iu bashkua edhe kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i cili tha se drejtësia duhet të hetojë pronarët realë dhe burimet e financimit.

Gradacela që do të quhet “Mali i Tiranës” pritet të jetë 65 kate. 58 kate lart e 7 kate nën tokë e 185 m e lartë, dhe po ndërtohet nga Nova Construction 2012  ku Ilir Shtufi rezulton pronar me 91% të aksioneve dhe Kujtim Shtufi me 9%.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?