Strategji plaçkitjeje, pa transparencë dhe pa iu nënshtruar konsultimit publik e konsideron Partia e Lirisë projektin për ndërtimin e 17 kullave në Farkë. Përmes një reagimi të këshilltarit bashkiak të Tiranës, Artan Distafa, PL kërkon ndërprerjen e këtij projekti.
Deklarata e anëtarit të Këshillit Bashkiak në bashkinë e Tiranës, Artan Distafa:
Përshëndetje!
Qeveria e Shqipërisë ka ndërmarrë një sulm frontal ndaj çdo parimi demokratik të qeverisjes vendore, përmes një procesi të hapur centralizimi absolut të vendimmarrjes urbane. Vendimet për zhvillimin e territorit, për ndërtimin e kullave, për pronat publike dhe për lejet e ndërtimit janë përqendruar në duart e pak njerëzve, të komanduar nga zyra e Kryeministrit dhe nga bordet klienteliste të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit.
Kjo është një krizë politike dhe një akt diktatorial në zemër të shtetit, ku bashkitë janë kthyer në spektatorë, qytetarët në viktima dhe qytetet në pre të oligarkisë së betonit.
Qytetet shqiptare po riformësohen pa qytetarë dhe kundër qytetarëve. Në Tiranë janë miratuar 140 kulla në vetëm 10 vjet, me lartësi deri në 100 kate, ndërkohë që infrastruktura rrënohet, transporti kolapson dhe lagjet e njerëzve zhduken nën goditjet e fadromave.
Së fundmi, me firmë të Edi Ramës pritet të ndërtohen edhe 17 kulla dhe dhjetëra rezidenca e vila private, në atë që duket se i jep fund një herë e përgjithmonë konceptit të publikes në parkun e madh të Farkës.
E gjitha kjo ndodh pa asnjë konsultim publik, pa transparencë dhe mbi të gjitha, pa ndonjë strategji të vërtetë zhvillimi, përveç një strategjie plaçkitjeje.
Në këtë klimë arbitrariteti, zëri i qytetarëve është zhbërë, pushteti vendor është neutralizuar dhe zhvillimi urban është kthyer në instrument politik për pasurimin e pak njerëzve.
Kjo është Shqipëria e betonuar nga oligarkët dhe nga një qeveri që sundon me urdhra dhe jo me vizion.
Grupi i Këshilltarëve të Partisë së Lirisë denoncon me forcë këtë qasje arrogante dhe antidemokratike të qeverisë dhe kërkojmë:
1. Ndërprerje të menjëhershme të çdo lejeje ndërtimi të dhënë pa konsultim publik dhe transparencë.
2. Rikthim të kompetencave vendimmarrëse në nivelin vendor, ashtu siç e përcakton Kushtetuta.
3. Auditim publik dhe i pavarur për të gjitha lejet dhe zhvillimet urbane të dekadës së fundit.
4. Zhbërjen e pushtetit absolut të KKTU-së, që është kthyer në një instrument autoritar për betonizimin e vendit.
Qytetarët nuk mund të vazhdojnë të shohin nga dritarja sesi qytetet e tyre shndërrohen në arenë ndërtimesh pa frymë, pa ajër dhe pa jetë. Ne nuk do të rrimë më të heshtur ndërsa një qeveri pa legjitimitet moral ndërton kulla mbi eshtrat e demokracisë vendore.
Beteja jonë është politike, është qytetare dhe është urgjente. Nuk ka zhvillim pa drejtësi, nuk ka qytet pa qytetarë dhe nuk ka të ardhme me këtë qeveri që ka betonizuar pushtetin dhe ka shembur çdo formë llogaridhënieje. Shqipëria është e banueshme për qytetarët, jo një kantier për klientelën e radhës dhe për këtë do të luftojmë pa kompromis.
Komente
