Kulla: Pse duhet ta përshëndesim Haradinajn?!

20 Korrik 2019, 11:13| Përditesimi: 20 Korrik 2019, 11:15

  • Share

Atë ditë që kryeministri i Kosovës, zoti Ramush Haradinaj, dha dorëheqjen dhe deklaroi ndërmendjen e paraqitjes aty ku e akuzonin, e përshëndeta edhe unë si shumë e shumë të tjerë.

Përshëndetja ime ishte e pa menduar, si të thuash, e vetvetishme. Instinkti më pengoi të bëja llogari politike, apo gërmime mbi listën e akuzave që i faturohen kryeministrit të Kosovës.

Nëse akuzat janë të rënda, nëse veprat mizore janë të tmerrshme dhe, sidomos, nëse ato vërtetohen, natyrisht, i tërë dënimi dhe përbuzja do të bjerë mbi Haradinajn. E jo mbi Rugovën, Klarkun, Eliot Engellin, apo politikanët e mbarë Shqipërisë që e përshëndetën gjestin e tij.

Dhe, vetkuptohet, nuk do të bjerë as mbi mua që në fund të fundit nuk bëra ndonjë deklaratë publike kushediçë, përveç asaj ngritje të zërit deri në “nivelet e larta” të këtij klubi të gjërë diskutantësh.

E përshëndeta dhe rikthehem në të, pak edhe për inat të atyre që prisnin zotin Haradinaj që ai të merrte malet, tani që e thirri Gjyqi i Hagës. Dorëzimi i tij ishte i bukur, sepse qe shfajësimi i parë i Komandantit të Zonës së Dukagjinit para nesh. Shfajësimin njerëzit e bëjnë me llafe, por ai lloj shfajësimi nuk është kurrë si ky i veprave.

Nuk dua të hyj nëpër tërë hamendjet mbi kurthet dhe intrigat, mbi dorën e fshehtë të miqve të fuqishëm të serbëve, “që e shtynë Presidentin Rugova të caktonte për kryeministër një “kriminel”, e blla-blla-blla, që pastaj, kur të vinte akuza nga Haga, ky parvëny në postin kryeministror, t’ia mbathte maleve me gjithë pasonjësit e tij” e pallavra të këtij lloji.

Edhe ata që mendonin se Haradinaj nuk do të paraqitej në thirrjen nga Gjykata, nuk kanë shumë faj. Kur shohin Bin Ladenin të rrijë guvave, kur Sadami ndënji muaj me radhë i strukur në një pusbodrum, kur doktor Karaxhiçi dhe gjenerali Mlladiç fshihen ende, që prej 10 vjetësh nëpër xhunglat e nacionalizmit serb, dhe kur mjafton të shkelësh pultin në TV dhe do të shohësh pa tjetër filma me gjeneralë kriminelë nazistë, të maskuar që mbijetojnë nëpër Argjentinë e gjetiu!…

Sill po të duash ndërmend dhe faktin që Haradinaj është bashkëkombas i mijëra narkotrafikantëve, kriminelëve, hajdutëve mbarëshqiptarë, që gjallojnë mbi këtë rruzull, nën identitete të dubluara dhe tripluara!

Në fakt, unë përgjigjem disi i prekur që na i cilësuan si folklorike, patetike përshëndetjet që ne i bëmë gjestit të Haradinaj, epitete me të cilat ishin të mbushura replikat kundër nesh.

Ne, “përfaqësojmë folklorin shqiptaromadh”, prandaj edhe fshikullohemi nga “lartësitë e kësaj qasje të ftohtë, moderne, mbiatdhetare dhe perëndimore”…

Së pari, nxitoj t’ju them, që vihet re fort qartë se të gjithë ju që nënqeshni me folklorin tonë, jeni katërcipërisht të bindur se kur fjala është për zotin Haradinaj, do të keni të bëni me një kriminel të kallëpit të Karaxhiçit. Dhe ky është një paragjykim edhe më i poshtër se paragjykimi dhe urimi ynë, që Haradinaj të mos jetë i tillë.

Së dyti, unë nuk di se si mundet një njeri, i racës “vështirësisht të zhvillueshme të shqiptarëve”, pra ky Haradinaj, të jetë kaq i dyzuar dhe të vuajë dyzimin në një shkallë aq të lartë, sa para ca vitesh të ketë qenë kriminel e përdhunues, të ketë arritur deri aty sa të ketë shpuar me bajonetë barqe grash shtatzëna, dhe tani të bëjë gjestin fisnik të respektimit pa lëkundje të institucioneve ndërkombëtare?!

Ta vesh në dukje këtë, nuk të bën aspak folklorik dhe patetik, më duket!

Si mundet që të gjenden shqiptarë si ju, që të jenë kaq fare të paanshëm, sa ta shohin konfliktin në truallin e Kosovës si një ndeshje palësh të barabarta?! Si ndodhka që argumenti i përjetshëm në situatën “pushtues-clirimtarë” nuk hyka fare në punë në këtë rast?!

Unë e kuptoj që komandanti vendas ka përgjegjësi për bëmat e ushtarëve të tij, por, a nuk paska dhe nja pesë pikë shfajësimi më shumë ky komandant që, ndryshe nga armiku, po e zhvillon betejën para oborrit të gjyshes së vet dhe i ka që të gjithë ushtarët të traumatizuar nga që kanë parë motra të lebetitura nën shalët e pushtuesve, të cilët më shumë se sa shfrynin epshet, zbraznin poshtërimin mbi to?!

Në këtë botë shohim ende mijëra përmendore komandantësh, strategësh e perandorësh, të cilëve nuk u përmenden mëkatet e ashtuquajtura të “dorës së dytë”. Stalini fitoi luftën mbi nazizmin, por ama para dhe pas saj, pushkatoi me dhjetra mijëra oficerë të vetët, mes të cilëve shumë e shumë gjeneralë dhe mareshallë.

Por kjo i llogaritet si mëkat i dores së dytë! Napoleoni ia shfarosi Francës lulen e rinisë dhe pa vrarë shumë mendjen braktisi pesëqindmijë ushtarë në mes të dimrit të Rusisë. E të mos hyjmë, pastaj, në parcelat e mëkateve që i atribuohen presidentëve amerikanë, që nga Hiroshima e deri në qërrimin e hesapeve me diktatorë dhe terroristë.

Fati i atyre që komandojnë do te jetë gjithmonë i tillë, kompleks. Këto të “dorës së dytë” të tyre përbëjnë male me mëkate! Përse nuk duhet ta shohim me këtë dritë dhe Komandantin e rajonit të Dukagjinit dhe kryeministrin e Kosovës, që shkon të përgjigjet për veten dhe ushtarët e tij deri aty në majat e majave të drejtësisë?!

Ai ka shkuar në Hagë i sigurtë dhe i vendosur. Dhe unë, përsëri, e përshëndes dhe uroj që të dalë i nderuar!

(Shënim: është një shkrim im që ndoqi nisjen e parë të Haradinajt në thirrjen e parë para gjyqit të Hagës (2006) dhe ai, edhe atëherë lëshoi postin e kryeministrit dhe u paraqit atje)

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?