Në rrugëtimin e vështirë të marrëdhënieve me formacionin politik të Sali Berishës që në agim të viteve ’90, si gazetarë të një medie që jemi ndjerë përherë nën sulm prej tij, ndonjëherë pyesim: A kemi bërë gabime?
Është një reflektim njerëzor, sa herë që krijohen nyje marrëdhëniesh, njeriu duhet të ulet dhe të mendojë. Për shembull, kur ai na shpallte e na shpall armiq si media, e as nuk na lejonte të merrnim pjesë në konferencat për shtyp e të vinim këmbë si gazetarë në godinën e partisë së tij, vetëm se shkruanim të vërteta që nuk i pëlqyen asnjëherë, ta konsideronim në ato vite PD-ne si “Kulla e Berishës në mes të Tiranës”, gabuam apo bëmë mirë?
Ishte fillimi i viteve 2000 dhe përplasjet mes një medie e një partie politike ishin në kulmin e tyre, merrnin gjithë urrejtjen dhe energjinë e këtij lideri politik. Të shkruanim atëherë “Pd, ose Kulla e Berishës në mes të Tiranës” na vinte natyrshëm, si një burim i një të vërtete që e perceptonin në kurriz.
Sot, në 2024, mbi 20 vite më tutje, kemi të drejtë të mendojmë dhe të shkruajmë që Sali Berisha dhe pak të mbetur prej të tijëve, kanë shndërruar në Kullë e në frëngji nga ku qitet me armën e fjalës, jo vetëm Rithemelimin, jo vetëm zyrën e Sali Berishës në një prej kullave të para të larta e më të bukura të Tiranës, atë të Aba Center, por edhe shtëpinë e tij, në një prej pallateve të lartë në një nga zonat më të bukura në kryeqytet, në lagjen e të përzgjedhurve “Mustafa Matohiti”.
A po krijon ai për vete dhe për familjen e tij vizionin që ai ka pasur gjithnjë për të tjerët? Nëse është e vërtetë thënia “Kujdes nga mendimet që ke se mund të bëhen realitet”, a është koncepti “ngujim” dhe “frëngji”, një linjë karakteristike në politikbërjen e tij?
Ndërsa malësorët anembanë Shkodrës, Tropojës, Dibrës po hapin Kullat e tyre dhe po i shndërrojnë njëra pas tjetrës në bujtina mikpritjeje, ndërsa frëngjitë nga ku dikur qëllohej me armë po i mbushin me lulet më të bukura të malit e me dritat e Zanave për të mikpritur të huaj e shqiptarë, Sali Berisha, ky politikan jetëgjatë shqiptar ka vendosur frëngji si në kullat e ngujimeve për të vazhduar të qëllojë armiqtë e tij me fjalët më të rënda e më të paimagjinueshme.
Sot Berisha, pas asaj të dikurshme të Partisë Demokratike, ka shtuar metaforikisht, kullat e Kanunit të vjetër në mes të Tiranës, i ka shumëfishuar ato, por paradoksalisht ka mbetur i vetëm. Fare i vetmuar në projektin e tij të panatyrshëm që shton frëngji kullash në pallatet shumëngjyrëshe e shumëkatëshe ku ai banon dhe punon në zemër të Tiranës.
Prandaj shqiptarët nuk mund të jenë kurrësesi me kullat e Berishës, ata sot do të preferojnë 1000 herë më shumë kullat turistike të Valbonës, Dukagjinit, Thethit e të Dibrës. A na kanë dhënë, ndër vite, bashkëatdhetarët tanë të drejtë duke e lënë këtë lider politik të ngujuar me shikimin dhe vizionin nga një frëngji?