Shtëpitë kështjellë më legjendare në Shqipëri! Nga kullat e braktisura deri te ato ku banohet ende, cilat janë karakteristikat zakonore që ruajnë ende në këto shtëpi të fortifikuara mjaft mirë?
Si e prisnin mikun dhe armikun në kullë matjanët, si jetonin dhe cili ishte stili i jetës së shqiptarëve në kullat e Matit?
Flasin për Amarcord:
1.Abdulla Diku, inxhinier pyjesh, udhërrëfyes
2. Adem Muça, banor Shkallë Xibër
3. Flamur Bala, drejtor i turizmit Bashkia Klos
4. Myrteza Gjini, trashëgimtar i Kullës Gjini
5. Hasan Lifja, banor Mishter Klos
Amarcord, çdo të diel , ora 21:00 në Report Tv.
Bën vapë e freskët larg botës së njeriut sintetik të qendrës me kulla dhe kullerë të rinj. Në thellësitë e maleve dhe luginave të Matit, aty ku shtegu i ngushtë rrëshqet përmes dushqeve, ahut dhe gjethnajës së thellë të natyrës, historia nuk është rrëfim në libra, ajo është e ngulitur në gurë, në themele që mbajnë emra fisnikë dhe në hijen krenare të kullave që kanë sfiduar kohën.
Këtu, në një nga krahinat më të pasura në histori dhe traditë në Shqipëri, kullat nuk janë vetëm ndërtime, por monumente të një identiteti që nuk pranon të tretet. Ato janë kujtesa e një populli që ka ditur të mbijetojë përmes zakoneve, gjakut, besës dhe mikpritjes edhe të armikut.
Për të njohur nga afër, nuk ka mendje më të mirë se ajo që më udhëzon Abdulla Diku, inxhinier pyjesh dhe njohës i rrallë i natyrës dhe trashëgimisë së Matit.
“Kjo zonë nuk është vetëm e pasur me pyje dhe ujëra të kristalta, por me rrëfime që burojnë nga çdo gur kulle. Unë nuk jam vetëm udhërrëfyes, jam dëshmitar i historisë që ruajnë këto male,” më thotë Abdullai, teksa kalojmë përmes shtegut që të çon në Shkallë të Xibrit, në zemër të krahut lindor të Matit.
Një fshat që jeton në hije të kullave
Në Shkallë, na pret Adem Muça, një burrë që e ka ngritur jetën përballë një kulle që dikur i përkiste derës së madhe.
“Kjo kullë ka parë pajtime, besa e luftëra. Ka strehuar burra që s’u dorëzuan kurrë. Na mësonte ç’është nderi,” tregon Ademi me sytë e ngulur në muret e trasha prej guri që mbulojnë hapsirat si kalatë.
Ai kujton me mall ditët kur burra me tirqe hynin në odë për të vendosur fatin e krahinës. Oda ishte parlamenti i maleve.
Nga historia në zhvillim turistik
Në Klos, zhvillimi i turizmit kulturor po bëhet një sfidë që kërkon lidhjen e të shkuarës me të ardhmen. Flamur Bala, drejtori i turizmit në Bashkinë e Klosit, është i vetëdijshëm për potencialin e jashtëzakonshëm që ofrojnë kullat si destinacione autentike.
“Kullat janë identitet, janë thesar i paeksploruar për turistët që kërkojnë përvoja të vërteta. Kemi nisur projekte restaurimi dhe promovimi. Po bashkëpunojmë me trashëgimtarët e kullave për t’i kthyer në shtëpi pritjeje dhe muze lokalë,” – thotë Bala, duke përmendur disa prej tyre që tashmë janë në focus.
Në prag të historisë: Kulla e Gjinit
Një nga kullat më të rralla për nga arkitektura dhe historia është Kulla e Gjinit, një nga ndërtimet që i ka mbijetuar dhunës së shekujve. Atje na pret Myrteza Gjini, trashëgimtar i drejtpërdrejtë i kullës.
“Kulla jonë është e ngritur mbi themelin e besës. Është bërë strehë për të përndjekur, është bërë gjykatë, është bërë kala,” – rrëfen Myrtezai me një zë që ngjan më shumë me rrëfimtarët epikë të kohëve të shkuara.
Ai po punon me pasion për restaurimin e kullës, duke ruajtur çdo gur e dritare origjinale. Dëshiron që kjo kullë të mos mbetet kujtim, por të bëhet shkollë për brezat e rinj.
Në Mishter të Klosit ose zëri i heshtur i traditës
Takohemi me Hasan Lifjën, banor i moshuar që e njeh çdo histori të zonës.
“Këtu çdo familje kishte një kullë ose një lidhje me ndonjë kullë. Nuk ishe burrë po s’kishe odë ku të jepje besën”, thotë Hasani ndërsa na fton në dhomën e vjetër të burrave, tashmë e kthyer në një dhomë modeste pritjeje.
Ai mban në dorë një fotografi të vjetër ku paraqiten burra me armë në brez, të ulur në odë. “Ky është gjyshi im, i ulur me bajraktarin e Malësisë së Gurrës. Kulla nuk ishte vetëm për mbrojtje ishte për dinjitet.”
Kulla si simbol dhe sfidë
Sot, në një Shqipëri që po ecën drejt zhvillimit urban dhe globalizimit, kullat legjendare të Matit qëndrojnë si monumente të heshtura të një epoke që ende flet në gurë, në legjenda, në njerëz si Abdullai, Ademi, Flamuri, Myrtezai dhe Hasani.
Ata nuk janë vetëm mbrojtës të trashëgimisë, por janë urëlidhës të brezave. Matjanët nuk harrojnë, ata ruajnë. Dhe kullat e tyre janë kështjella të kujtesës kombëtare – ku besa ka më shumë peshë se ligji, dhe nderi është më i fortë se pushka.
Komente
