Kullat shqiptare

Kullat shqiptare dhe UNESCO

9 Dhjetor 2023, 22:23| Përditesimi: 9 Dhjetor 2023, 22:24

  • Share

Këto ditë, në lajmet e vendit, mori shumë hapësirë përfshirja e „transhumance-s“, ose praktikës së shtegtimit të bagëtive të imta si pjesë e listës së trashëgimisë kulturore jo materiale të UNESCO. Në të njëjtën kohë, si pjesë e trashëgimisë botërore u përfshi edhe tradita e operës italiane. Shumë mirë. Çdo vend përpiqet të përfshijë më të mirën e tij në thesarin e kulturës botërore.

Zhvillimi i përgjithshëm i ekonomisë dhe kulturës, rritja e flukseve turistike dhe shumë faktorë të tjerë, kanë mundësuar që vëmendja ndaj trashëgimisë kulturore të jetë rritur. Shumë objekte të kësaj trashëgimie, veçanërisht në jug të vendit, i janë nënshtruar restaurimit, duke e rritur shumë fuqinë tërheqëse për turistët dhe vizitorët. Janë bërë shumë investime për të restauruar „arkitekturën otomane“ në Berat, Gjirokastër e më tej. (Po përdor termin zyrtar „arkitekturë otomane“ që ka arritur të zëvendësojë skajimin „arkitekturë bizantine“, edhe pse pa ndonjë arsye të mirëfilltë profesionale.

Në UNESCO janë përfshirë disa vlera të trashëgimisë sonë si isopolifonia, xhubleta etj., por krejt të harruara kanë mbetur kullat e veriut, të cilat deri tani kanë arritur të tërheqin vetëm vëmendjen e të huajve të shumtë, por jo më tepër.

Në fakt, kullat e veriut përfaqësojnë vlera të jashtëzakonshme dhe autentike të kulturës shqiptare. Kullat nuk janë thjesht banesa, por institucione të vërteta. Ato janë sendërtimi i punës dhe përpjekjeve të disa brezave, të mbushura me histori, traditë, kulturë, rezistencë, patriotizëm.

Në këto kulla është ruajtur eposi shqiptar, është ruajtur, interpretuar dhe transmetuar Kanuni shqiptar, është farkëtuar identiteti i fortë shqiptar. Këto kulla kanë qenë edhe fortesa prej nga është mbrojtur Shqipëria.

Kullat shqiptare janë një tip unik banese e fortese, të ndërtuara me mjeshtri të rrallë. Ato janë dëshmitare të gjalla të disa shekujve kulturë dhe histori.

Migracioni drejt qendrave urbane apo drejt vendeve të tjera, pas viteve 90-të, ka bërë që një pjesë e madhe e veriut të vendit të boshatiset dhe, për rrjedhojë, kullat emblematike shqiptare janë më të kërcënuara se kurrë. Me humbjen e tyre, Shqipëria do të humbte një pjesë autentike të identitetit të saj.

Sa ende nuk është tepër vonë, është e domosdoshme që qeveria dhe autoritetet e tjera përgjegjëse të realizojnë një projekt të gjerë për evidentimin, rilevimin, dokumentimin dhe restaurimin masiv të kullave të veriut.

Në të njëjtën kohë, aplikimi për përfshirjen e tyre në listën e vlerave të trashëgimisë botërore do të ishte një hap i domosdoshëm. Kullat e veriut janë një thesar i vërtetë, prej të cilit trashëgimia botërore vetëm sa do të pasurohet, ndërkohë që turistët në veri nuk do kërkonin vetëm magjinë e natyrës, por edhe madhështinë e kullave shqiptare.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?