Koalicioni opozitar, zgjedhjet e 11 majit, përplasjet mes disa partive dhe projeksionet për votën ishin disa nga temat e diskutuara në panelin e “Studio Live” të moderatorit Arbër Hitaj.
Të ftuar sot (5 mars) në Report Tv ishin Edvin Kulluri, një prej themeluesve të “Djathtas 1912”, Andi Mustafaj, një nga fituesit në primaret e PD-së në garën për deputet në listat e hapura, si dhe gazetari Poli Hoxha.
Kulluri u shpreh se PD është pronë e Sali Berishës dhe beteja për vulën tani është e pakuptimtë. Sipas tij, Basha le të bëjë luftë imagjinare për vulën. Ai foli edhe për negociatat e dështuara me Bashën, aleancat partiake për zgjedhje dhe tërheqjen nga rekursi në Gjykatën e Lartë.
“Disa nga këto parti patën biseda me eksponentë të partisë tonë, por nuk u konkluduan, nuk u pranuan. Kemi qenë në bllok, të mos përfshihemi në bisedime, se donim seriozitet dhe integritet politik. Negociata kemi pasur me partinë e Dashamir Shehit, Lapajt dhe të tjerëve. Në lidhje me rekursin dhe kërcënimin, duhet pyetur zoti Basha se çfarë kërcënimi ka qenë apo nëse ka pasur të tillë. Vendimi për rekursin ka qenë individual nga zoti Enkelejd Alibeaj dhe Rezart Kthupi. Për shkak se partia jonë u regjistrua në zgjedhjet e 11 Majit dhe nuk ka pasur më interes për të luftuar për parti tjetër”, tha Kulluri.
Por cilat ishin shkaqet e tërheqjes nga ky rekurs?
“Edhe kur u dha vendimi i Apelit ishim me mendimin se nuk ia vlente të shkonim në rekurs, se procesi do zgjaste që pas zgjedhjeve. Por u këmbëngul dhe ata shkuan në Gjykatën e Lartë, por tani nuk ka më asnjë kuptim. Kemi partinë tonë, s’kemi interes për vulën. Pas humbjes së vulës, gjyqi ishte i pavlefshëm. Basha mund të vazhdojë të pretendojë se përfaqëson demokratët. Mund të vazhdojë luftë imagjinare për vulën e PD. Nuk ka më asnjë mundësi ligjore, PD është pronë e Sali Berishës dhe ne tani jemi çliruar nga kjo gjë”, u shpreh një nga drejtuesit e “Djathtas 1912”.
Andi Mustafaj, fitues në Primaret e PD u shpreh se koalicioni opozitar kërkon një ndryshim të madh në vend dhe se vendi është në momente kritike, por pranoi gabimet e bëra në të kaluarën nga PD-ja.
“Koalicioni kërkon dhe synon një ndryshim të madh në vend. Ne mendojmë se jemi në një moment kritik dhe duam të mos përsëriten më ato që kanë ndodhur në të kaluarën. Ndaj u bë edhe një koalicion i madh. Ka pasur gabime në të kaluarën. Koalicioni është i rëndësishëm, dera për të rinjtë e hapur”, u shpreh ai.
Por gazetari Poli Hoxha mendon se ky koalicion opozitar është qesharak dhe hipokrit, duke kujtuar disa prej figurave partiake në aleancë me PD-në, apo “deputetët e kërpëratave” dhe “kaçurrelsi”. Ai e quajti “trenin e PD-së me disa nga vagonët me dysheme të çarë”.
“Koalicioni madhështor është më shumë sllogan i Berishës, me shpresë se do përsërisi fitoren e Trump në Amerikë, apo se iku Sorosi. Strategji e Berishës prej tre vitesh për të treguar se është i madh, faktor i fortë, me një tren të madh pas vetes. Por hiq disa nga vagonët e trenit, të tjerët janë me dysheme të çara. Të tjerët janë më shumë si “opozita e kërpëratave”, madje e dëmtoi opozitën në atë kohë. Treni i opozitës është hipokrit dhe qesharak”, tha Hoxha.
Andi Mustafaj e kundërshtoi në lidhje me konstatimin, teksa Kulluri i kërkoi të mos fyente kryetarët e partive të vogla, por Hoxha deklaroi se ato ishin thënë nga vetë këto personazhe dhe ai vetëm po i risillte.
“Ne kemi sugjeruar disa slogane dhe u diskutuan të gjitha, ndërsa u vendos për këtë. Nuk mund të shprehemi në këtë mënyrë, me treni hipokrit. Këto janë projekte të diskutuara në struktura”, tha Mustafaj.
Komente
