Edhe pse ka ulje-ngritjet, ngjyrimet apo karakteristikat e veta, më duket përpjekje e kotë të trajtosh temën “kulti i individit” tek Enver Hoxha, pasi nuk do përbënte ndonjë risi e as do ishte e vështirë të gjeje dëshmi e vepra që e mbulojnë këtë pretendim përgjatë gjithë “mbretërimit” të tij si kreu absolut i shtetit shqiptar për një periudhë 40-vjeçare.
Po ashtu, mendoj se nuk do ishte e vështirë të shkruaje për këtë temë edhe për periudhën e Ahmet Zogut si monark i shqiptarëve (1928-1939), ku vjersha, këngë e madje marshe luftarake mund të gjendeshin lehtësisht, nëse do gërmoje sot në botimet e viteve ’30 të shekullit të shkuar.
Por ia vlen të ndalemi paksa në të njejtën temë, duke u zhvendosur pak vite më larg, pikërisht në kohën kur Ahmet Zogu ishte kryetar i shtetit republikan shqiptar. Ajo çka konstatojmë, është fakti se kulti i individit kishte marrë udhë qysh në kohën kur Zogu po konsumonte funksionin e Presidentit të Republikës (Shqiptare), ndërsa shohim në jo pak raste jo vetëm prezencën ekskluzive të tij në kartolina, pulla postare, kartmonedha etj., por edhe njerëz që angazhoheshin të shkruanin vargje e të kompozonin muzikë për të ngritur në piedestal figurën e tij, duke e distancuar dukshëm nga shtetarët e tjerë të kohës.
Kështu, mund të hasësh edhe njërin syresh, në një botim të vitit 1927, ndërsa sheh vargje të rimuara, lehtësisht të kapshme e të memorizueshme për veshin e shqiptarit të thjeshtë, i cili duhet të nguliste në kokë se “Shpëtimtari i Atdheut“ tashmë ishte një dhe vetëm një dhe se ai ishte jo thjesht në mënyrë simbolike pra, trashëgimtar në AND i Skënderbeut.
Para tij, deri në atë kohë ishte parë ti shkruheshin vargje të atilla nga shqiptarët vetëm mbretit kohëshkurtër të emëruar nga fuqitë e mëdha për Shqipërinë, Princit të Vidit, gjatë kohës së ngritjes së flamurit të Vlorë edhe Ismail Qemalit, e në disa raste, sidomos në Shkodër, i thureshin vargje edhe Kajzerit austriak. Pas një pauze relativisht të gjatë në kohë, tashmë ishte radha e Zogut President të dëgjonte ti thureshin vargje e ti këndoheshin këngë për së gjalli.
Në një situatë normale, duket se funksioni i Presidentit, sikurse në ditët e sotme, pasi të konsumoheshin vitet e mandatit ligjor, mund të kalohej në një tjetër emër, por duket se gjithçka tashmë kishte marrë udhë dhe pikërisht të tilla vargje s’ishin gjë tjetër veçse çelja e rrugës për kalimin në fazën pasardhëse, dmth kurorëzimin e tij si “Mbret i Shqiptarëve”.
Duket se “kulti i individit”, i cili në mënyrë të çuditshme me kalimin e kohës sa vinte e do të shtohej derisa të binte diktatura, fillesën e vet reale, të mirëoraganizuar e me synime të qarta, e ka pasur pikërisht në këtë periudhë.
Më poshtë teksti i të ashtuquajturit “Marsh i Kryetarit të Republikës, Ahmet Zogu”, ku na bëhet i ditur emri i kompozitorit, Th. Nasi, por jo i autorit të tekstit.
“Marsh i Kryetarit të Republikës, Ahmet Zogu”
Kompozitor Thoma Nasi
Si shkëndi që lëshohet prej Diellit
Edhe tym edhe mjegull shpërndan
Si rrufe që shkëputet prej Qiellit
E shkatrron edhe ndjek e përlan.
Si një Engjëll i naltë prej Zotit
Si nji hyllë që zbret befas mbi dhe
Ashtu zbriti n’Arbninë e Kastriotit,
Ashtu leu Ahmet Zogu për ne
Rroftë Ahmet Zogu rroftë
Shpëtimtari i Atdheut
Bres pas brezit u kujtoftë
Nip-Stërnip i Skënderbeut.
Si nji shkabë e tmerruar mbi retë
Që gjarpërinjtë helmatues kërkon
Edhe turret mbi ta si shigjetë
E me thonj e me sqep e copton
Si një shkëmb që qëndronj patundur
Dhe tallazë e valë shkatrron
Ahmet Zogu gjithmonë i pamundur
Nga rreziku Atdhen’ e shpëton.
Rroftë Ahmet Zogu rroftë
Shpëtimtari i Atdheut
Kush është kompozitori Thoma Nashi
Thoma Nasi apo Nashi, siç e njohin bashkëfshatarët mbiemrin e tij, lindi në fshatin Dardhë të Korçës më 2 mars 1892. Në moshën 12-vjeçare si shumë të rinj të tjerë të krahinës së tij, Nasi emigroi fillimisht në Greqi dhe më vonë në Shtetet e Bashkuara. Në moshën 26 vjeçare kreu konservatorin e New England-it në Boston për kompozim dhe drejtues orkestre dhe punoi si flautist jo definitiv me orkestrën simfonike të Bostonit.
Një kapitull më vete në jetëshkrimin e Thoma Nashit përbën formimi dhe dirigjimi i Bandës kombëtare “Vatra”, që nga 11 dhjetori i vitit 1916 dhe deri në vitin 1925… Ai dirigjoi orkestra të ndryshme frymore, dha koncerte, konkuroi në festivale dhe për shumë vite u muar me punë si mësues muzike duke punuar në qytete të ndryshme të Amerikës.
Kompozitori Thoma Nasi
…Thoma Nasi mbërriti në Shqipëri nga Amerika, tok me 120 vullnetarët e lirisë dhe bandën e tij muzikore më 1920. Ai qëndroi dhe punoi në Korçë deri më 1925, më pas ai u transferua në Tiranë ku themeloi Bandën Presidenciale Shqiptare. Në kryeqytet ai qëndroi vetëm një vit për tu larguar përfundimisht në Amerikë më 1926.
… Profesor Nasi me shpirtin e vet plot dashuri për muzikën dhe shumë vullnet, nxiti dhe ndihmoi në formimin e koreve, të mandolinatave, si dhe në formimin e një orkestre të përsosur edhe nw qytetin e Korçës.
Largimi i preofesor Thoma Nasit nga Korça nw vitin 1925 u pasua me një rënie të muzikës në qytet. Duke mos gjetur kushte të përshtatshme, pa asnjë ndihmë për punën e tij dhe vështirësitë dhe pengesat e panumërta, që i nxirrnin pushtetarët në Tiranë, Thoma Nashi më 1926 largohet përgjithmonë nga atdheu i tij, të cilin e deshte aq shumë. Kthehet në Amerikë dhe punon si pedagog në konservator, derisa vdiq në Boston më 1964. Përgatiti DH.H
Ky fare Salepsulltani-i quajur "mbreti zog" ka vlera "mbikombetare",sepse ka vrar personalitetet me atdhetare te historise shqiptare,ka shtyur trojet etnke shqiptare,si te ishin "Toka te babes",Ka nenshkruar marrveshje me te demshme kombetare me serbet-Pashiqin. Ka vjedhur thesarin e shtetit dhe ka hikur nga shteti qe Shqiperise i kushtoj 6 vjet pa identitet shteteror.Prap u kthye me 1953 ne Shkup, te lidh marrveshje me tito-rankoviqin per te sulmuar Shqiperine,Ky eshte "mbreti i madherishem i shqiptareve"
Përgjigju