Drejt Punës

'Një nga ne'/ Kultivon qepë dhe sallatë, njihuni me Bujarin, fermerin e palodhur të Ndroqit: Nëse derdh djersë, merr diçka!

18 Dhjetor 2024, 20:03| Përditesimi: 19 Dhjetor 2024, 08:24

  • Share

“Një fermer duhet të jetojë me bimët. Duhet ta jetosh atë sikur është një njeri, duhet ta shohësh si një fëmijë.”

Është kjo këshilla e fermerit nga Ndroqi. Bujar Çali ka vetëm 1500 metra katrorë tokë në zonën Ura e Beshirit. Prej 25 vitesh mbjell kultura të ndryshme bujqësore në sera. Punon bashkë me bashkëshorten e tij.

“Serën e parë e kam bërë me dru pishe. Duke fituar e duke i investuar në sera.”

Në bujqësi, po të punosh ka të ardhura sipas fermerit nga Ura e Beshirit. Por humbjet e papritura nga kushtet e motit apo sëmundjet e kanë bërë Bujarin që të dypunësohet. Përtej kohës që i merr angazhimi në sera, ai punon edhe bojaxhi.

Kostot e bujqësisë kanë rënë këtë vit, por fuqia mbrojtëse e pesticideve nuk është e duhura, vëren ai.

80 përqind e suksesit në rritjen e bimëve varet nga vetë fermeri, tregon Bujari.

Konsultimet me agronomët dhe marrja e sasisë së duhur të pesticideve janë të domosdoshme në bujqësi.

Konkurrenca e vetme për Bujar Çalin është cilësia.

“Unë jam i dashuruar me bujqësinë, por kam qejf punën me cilësi. Tregun e kam të garantuar nga prodhimi cilësor.”

Ka zgjedhur të punojë e jetojë në Shqipëri, ndonëse shumica e bashkëfshatarëve kanë emigruar.

“Nuk e kam menduar emigracionin. Tokë atje e tokë këtu. Pse të mos punoj në vendin tim, në shtëpinë time. Nëse derdh djersë, diçka e merr, merr atë që të takon, sepse është më e shëndetshme se ajo që nuk të takon. Kështu ecim ne.”

Puna në bujqësi i jep kënaqësi të veçantë. Për të nuk ka pushim. Ditën e nis në orën 6 të mëngjesit tek sera. Në këtë periudhë kultivon sallatë, spinaq dhe qepë.

Pasi inspekton tokën për barërat e këqija, shenjat e sëmundjes apo efektin që ka dhënë spërkatja, vijon me përgatitjen e produkteve për treg. Përballet me sfida si moti, kostot e prodhimit, mungesa e ngrohjes tek serat dhe konkurrenca në treg. Ndjekim rutinën e tij, punën tek sera dhe kafen me miqtë.

Emisionin "Një nga ne" mund ta ndiqni çdo të mërkurë në ekranin e Report Tv.

G.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?