ELBASAN- 58 kg lëndë narkotike kanabis janë sekuestruar në fshatin Bodin në njësinë administrative Gracen, ndërsa në pranga kanë rënë 4 persona.
Policia ka arrestuar Selim Beqarin, 62 vjeç, banues në fshatin Bodin, dhe Zamir Beqarin, 27 vjeç, banues në Sarandë (babë e bir), pasi në tokën e tyre u gjetën lëndë narkotike kanabis.
Sipas policisë pas kontrollit të ushtruar në tokën e këtyre, në fshatin Bodin, Gracen, Elbasan, janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 17 bimë të prera, të dyshuara narkotike kanabis.
Po ashtu u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 7 thasë të mbushur me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 58 kilogramë.
Babë e bir, u arrestuan në flagrancë, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim
Njëkohësisht, u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit: Fadil Salla, 58 vjeç , banues në Elbasan, administratori i Njësisë Administrative Gracen, Elbasan; Ramiz Beqari, 62 vjeç, kryeplaku i fshatit Bodin, Gracen, Elbasan.
Po në kuadër të këtij operacioni, u proceduan penalisht 2 shtetas, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, si dhe 1 shtetas tjetër, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.