Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 49-vjeçar, pasi kishte kthyer bodrumin e banesës në ambient për të kultivuar drogë. Sipas policisë, Lad Nikolla, kishte përshtatur një ambient pranë banesës për kultivimin e bimëve narkotike dhe mbante armë gjahu pa leje në banesë.
Në kudër të operacionit të koduar “Shënkolli” u sekuestruan disa fidanë narkotikë të kultivuar në kubikë dhe vazo, aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndës narkotike dhe një armë gjahu çifte.
“Ky shtetas kishte kultivuar disa fidanë narkotikë të dyshuar cannabis sativa në kubikë dhe vazo, në bodrumin e një ambienti të mbyllur që e kishte përshtatur me aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit të banesës iu gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu çifte që e mbante pa leje dhe pajisje që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike. Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë konstatuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në ambientin e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.