Dëgjohet dera të trokitet lehtë, por në heshtjen e shurdhër të ndërtesës shumëkatëshe në Tiranë, ku banoj, ato ndihen si goditje. Nga mënyra e trokitjes kuptoj se është im bir. Ai vjen të më shohë, si çdo ditë. Ajo çka më tej ndodh është sureale. Ja hap derën dhe përshëndetemi në largësi hapësire, që mjekët këshillojnë në kushtet e infeksionit të korona virusit. Do doja ta përqafoja, por s’mundem.
Jo se ruaj veten, por ruaj atë nga unë, ruaj familjen e tij, të shoqen dhe vajzën e vogël! Për shkak të moshës time, jam paralajmëruar se kam prirje të infektohem më shumë e më shpejt se të rinjtë, por duke qenë se jetoj i vetmuar, jam i detyruar të dal një herë në dy ditë për 30’, për të blerë bukë e gjëkafshë ushqimore sa për të jetuar.
Shkëmbejmë me djalin buzëqeshje, i japim shpejt e shpejt njëri-tjetrit këshilla për të bërë kujdes dhe ndahemi, nëse ky quhet takim e përshëndetja quhet ndarje.
Përvoja jetësore më ka ndihmuar të kuptoj mirë marrëdhënjet si në familje ashtu dhe ato komunitare. Familjet në këtë qytet të madh, përgjithësisht kanë kultivuar sjellje me prirje sociale të harmonishme me fqinjët, shoqërinë e botën plot larmi që na rrethon. I kemi kaluar tashmë dy javë, që pikërisht, ato sjellje të kultivuara me ngulm, i kemi gjymtuar sa vetë aq dhe me urdhërime administrative që vijnë nga pushteti qëndror. Atje ku rëndom e kemi goditur shoqërinë tonë pa e kursyer, se jetesën në komunitet e paskemi kaotike e të mangët, zbuloj papritur prej kufizimeve madhështinë e një vizioni krejt tjetër: disiplinën dhe rregullin. Sa e çuditëshme kur pamë se tek ne nuk ndodhi që t’u turreshin marketeve e supermarketeve për t’i zhveshur plotësisht nga mallrat ushqimore e të tjera, sjellje që i shijuan si europianët ashtu dhe amerikanët!?
Atë 30’ e mëngjesit që dal e blej, ndesh gjithë ato fytyra anonime të përgjumura, që në heshtje ruajnë distancat. Vjen më pas ora 13.00, ndalim i qarkullimit dhe qyteti bie në heshtje. Shumica prej nesh e dimë se, duke mos qenë të pasur, pa patur paisje të mjaftueshme mbrojtëse e oksigjeni, çdo përhapje masive e infeksionit do bënte gjëmën. Ndoshta, kjo Shqipëria ime, të cilën e ka sharë kush ka mundur dhe e ka përdhosur këto 30 vjetët e fundit politika, duhet respektuar! Po sillet e vepron si bashkësi e qytetëruar. Askush nuk do të mund ta kuptojë ndonjëherë këtë që shpreh nëse ska ndjeshmëri e s’mundet ta shkëpusë vetveten nga fanatiku banal.
Shqipëria i ka gënjyer të gjithë me forcën, vullnetin e qartësinë mbi kërcënimin që po i ndodh, por sidomos Tirana. Shumëkush priste të kundërtën. Sapo i merr disa mësime thelbësore, është e mundur që të vlerësosh kufijtë e njohjes të vetvetes e të popullit tënd. Asgjë nuk të habit! Këtu, popullit të thjeshtë, nuk hyn në punë intelekti, por i vlen instikti.
Shkencat humane, ata që janë marrë me studimin e evoluimit të homo sapiensit, na thonë se ky, fillestari i homosapiensit, u fut në rrugën e krijimit të ndërgjegjes kur filloi të varrosë të afërmin, pjestarin
e grupit të shpellës, kur ai vdiste. Ky ishte njeriu e ky njeri ka ngulitur në ndërgjegjet tona detyrimin për të nderuar të moshuarin që largohet nga jeta. I qëndrojnë pranë, i shtrëngojnë dorën, deri në frymëmarrjen e fundit dhe e përcjellin mes lotësh e tufa lulesh. Askush nuk do që prindi, i afërmi i tij, i vdekur prej korona virusit, të shkojë në varreza i vetmuar, siç po ngjan. Mos i ndodhtë kujt!
Kemi hequr dorë nga miqësitë, jeta rutinore e përditëshme, me bindjen se ky makth është kalimtar; me bindjen se shteti na ka dalë borxhit, na ka thënë: izolohuni, qofshi të pasur materialisht apo të varfër; me bindjen se e kemi detyrë të mbrojmë fëmijët tanë, duke ushtruar higjenën e duhur. Shqiptarët kanë patur kurdo një perceptim të fuqishëm ndaj familjes dhe kanë ndjesi të thellë ndaj tragjedisë. Hapësira shoqërore, që po praktikojmë si largësi, percepton një nivel sigurie që do jetë koraca jonë mbrojtëse, pa e lënë veten të përfundojmë në mëshirën e atyre pak respiratorvë që kemi.
Në mes të kësaj pasigurie, pa të dytë, të pa ngjarë ndonjëherë, shteti ka premtuar pagesën rregullisht të një asistence për bizneset e urdhëruara të mbyllen, deri kur kjo mbijetesa jonë të jetë e siguruar dhe lufta të ketë mbaruar. Ndryshe nga shumica e shteteve të Europës, të cilat përpos se janë të pasura dhe se kanë problem asistencën, Shqipëria vuajti para katër muajsh tërmetin më rrënues që na ka prekur ndonjëherë dhe (siç thuhet) më i forti i vitit 2019 që ka pësuar Europa. Dy mënxyra! Shfletoj enciklopedinë të gjej një të ngjashme dhe zbuloj se një të tillë na e paska vuajtur Londra e vitit 1666. Ka rënë murtaja, që shfarosi një të tretën e popullatës dhe ka rënë zjarri, që la nga Londra në këmbë vetëm pallatin mbretëror. Po ne, si do ja dalim? Si do shkojë fati i atyre të mjerëve që tërmeti i la pa banesë e të ngujuar në çadra? Për më tepër, përpos disa projekteve të shpalosura, kërkund ska filluar puna. Mirënjohje do i jemi përjetë Europës dhe shteteve që do lëvrojnë shpejt ndihmat e premtuara, pa harruar edhe ato 25 mijë eurot e Spanjës. Me pak gjë ne jemi lumturuar kurdoherë.
Tirana, siç e dimë, është e ndërtuar nga komunitete banorësh prej pothuaj gjithë viseve shqiptare, kulturalisht një amalgamë me thekse dalluese të veçanta, që konturojnë karakterin shqiptar. Një e treta e shqiptarëve kanë zgjedhur të jetojnë këtu. Në një tjetër kohë, këtu, çdo minutë jepte një ngjarje. Tani, të paktat ngjarje janë njoftimet mbi përhapjen e koronavirusit, përjekjet e një grushti mjekë infeksionistë e infermierë për të mbajtur në jetë të prekurit si dhe disa gjoba policie për ata që “nuk mbushin mirë”, të vonuarit nga mendë e kokës.
Ashtu siç ndodh në një film epik, qyteti milionësh është i zbrazur. Askush nuk pipëtin! Të vetmit që lëvizin janë policët dhe ushtarët në detyrë, personeli mjekësor dhe miqtë e mi gazetarë, ata më të mjerët, të keqpaguarit, që zoti i mëshiroftë nëse qeveria nuk i rreshton përkrah atyre që duhen ndihmuar me asistencë!/