Periferi

Kulturë për “drekë” te Teatri alla Scala dhe ky është një shkrim pa shumë “like”

23 Janar 2022, 20:56| Përditesimi: 23 Janar 2022, 21:01

  • Share

“I Capuleti e i Montecchi” i Vincenzo Bellini-t vihet në skenë në orën 14.30 në Teatrin e famshëm milanez Alla Scala. Si rrallë herë në historinë e dirigjentëve të operas, sot në drejtimin e orkestrës është një grua: Speranza Scappucci. Mendoni sa vite, sa orë, sa mund, sa sakrifica, sa punë i është dashur një gruaje të fitojë të drejtën dhe besimin se është e aftë të dirigjojë një orkestër në një pjesë operistike në La Scala! Në këtë orë të së dielës, edhe një qytet plot njerëz e jetë si Milano, duket se fle, ose jo, të gjithë janë përpara pjatave në shtëpitë e ngrohta apo në restorantet e shumëllojshme. Shumë, me siguri, po postojnë kombinimet më të fundit të ndonjë chef-i kuzhine me emër dhe mijëra “like” janë të siguruara në social media. Pjata e fundit me spageti postuar nga Kim Kardiashian ka marrë mbi 3 milionë e 600 mijë “like”, mëngjesi më i fundit i postuar nga Chiara Ferragni te pastiçeri Marchesi me thjeshtë një kafe, ca ëmbëlsira dhe një gotë njëpërdorimshe “Louis Vuitton” ka bërë që mbi 419 mijë njerëz t’i bëjnë “like”. Pa folur për "like" apo shikueshmëri të videove apo shkrimeve me debate politike  në Shqipëri!

Postimi i fotove të mezzosopranos Marianne Crebassa (Romeo) dhe të sopranos Lisette Oropesa (Giulietta)në faqen instagram të La Scala-s ka marrë në total 2600 “like”.

Jetojmë në këto kohë, kur kultura e mirë, ajo e vështira në kohë dhe hapsirë për t’u perfeksionuar, nuk bën shumë bujë, nuk merr shumë zemra, nuk përfiton shumë “like”. Njerëzit që bëjnë këtë kulturë dhe e shijojnë atë nuk bërtasin, nuk zhvishen, nuk publikojnë të rritur e fëmijë, banjo, dhomë gjumi e kuzhinë në FB apo Instagram. Nuk kanë kohë. Punojnë shumë për të krijuar Art.

Radha është e gjatë për t’u futur e për të dëgjuar për 2 orë e gjysëm këngëtarët dhe këngetaret lirike më në zë sot në botë: Soprano amerikane me origjinë nga Kuba Lisette Oropesa në rolin e Giuliettës, Mezzosoprano franceze Marianne Crebassa në rolin e Romeos (Bellini zgjodhi që rolin e Romeos ta interpretojë që në fillim ne 1830 një mezzosoprano), Bas, koreani Jongmin Park në rolin e Capellio Capuletit (babai i Giuliettës) dhe tenori Jinxu Xiahou në rolin e pretendetit Tebaldo.

Para se të nisë opera shumë bëjnë fotografi, që me siguri, ashtu si unë do t’i postojnë në social media. Fotografi nga një vend ekskluziv, unikal që do të marrin fare pak “like”, nga Teatro alla Scala që krijon sa herë, qoftë me balet, opera apo koncert sinfonik një Mrekulli!

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?