Ministrja Mirela Kumbaro në Destination Track në ITB Berlin

Ekonomi

Kumbaro çel ‘Destination Track’ në ITB Berlin: Shqipëria nuk është më sekreti i fshehur i Europës, tek ne turistët trajtohen si miq, jo vetëm si klientë

5 Mars, 15:31| Përditesimi: 5 Mars, 15:35

  • Share

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, mbajti një fjalim në hapjen e Destination Track në ITB Panairin e Berlinit në Gjermani, duke theksuar rritjen e shpejtë të Shqipërisë si një destinacion turistik global, ndërsa nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm.

Kumbaro theksoi se Shqipëria nuk është më “sekreti më i fshehur i Europës”, por një nga destinacionet me rritjen më të shpejtë, me një rritje prej 80% të vizitorëve ndërkombëtarë. Ajo vuri në dukje qasjen unike të vendit ndaj turizmit, ku mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi turistik ecin paralelisht.

“Nuk duam të mbetemi një sekret dhe nuk duam të jemi një destinacion masiv turistik. Po, duam të rritemi, por duam të rritemi në mënyrë të përgjegjshme”, u shpreh Kumbaro. Ajo theksoi diversitetin e ofertës turistike të Shqipërisë, nga plazhet mahnitëse të detit Jon, deri te Alpet Shqiptare plot aventura, si dhe angazhimin e vendit për të mbrojtur trashëgiminë natyrore, duke përfshirë lumin Vjosa – lumi i fundit i egër në Europë, tashmë i mbrojtur si Park Kombëtar.

Përtej natyrës dhe kulturës, Kumbaro vuri në pah mikpritjen e veçantë shqiptare, duke theksuar se vizitorët në Shqipëri trajtohen si mysafirë dhe jo thjesht si klientë: 

“Në Shqipëri nuk ju pyesin sa do paguash, por a ke ngrënë?! Nuk do të jeni thjesht turistë, por miq, mysafirë”, tha Kumbaro para audiencës. 

“A duam të ndjekim vetëm numrat? Apo duam destinacione që i mirëpresin udhëtarët si mysafirë dhe lënë një ndikim pozitiv në komunitete dhe në natyrë?”, vazhdoi më tej ministrja.

Ajo përmendi gjithashtu zgjerimin e shpejtë të infrastrukturës turistike, me 11 brande ndërkombëtare hotelesh tashmë të pranishme në vend, si dhe një rrjet në rritje të agro-turizmit.

Teksa Shqipëria është Vendi i Nderit në ITB Berlin falë organizimit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrja Kumbaro po merr pjesë në shumë panele diskutimi, me përfaqësues të politikës dhe industrisë turistike.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?