Arla Merja nga selia e PL-së

Politikë

Kumbaro në krye të ministrisë së Arsimit, PL i drejton disa pyetje: A do ndryshojë diçka për infrastrukturën dhe sigurinë në shkolla?

22 Shtator, 14:45| Përditesimi: 22 Shtator, 15:05

  • Share

Sekretarja për Mardhëniet me Publikun e Partisë së Lirisë, Arla Merja, nga një konferencë për mediat nga selia e PL-së, ka deklaruar se ish-ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e ka lënë arsimin tonë me probleme të mëdha në instrastrukturë dhe siguri.

Më tej Merja i drejton disa pyetje ministres së re së Arsimit, Mirela Kumbaro, për ndryshimet që mund të ndodhin gjatë drejtimit të saj.

“Një ministre që nuk la pas asnjë gjurmë pozitive në sektorin që drejtoi, por vetëm skandale, propagandë dhe boshllëk. A do të ndodhë e njëjta gjë tani edhe me arsimin?”, nënvizoi Merja.

Pyetjet lidhen me ndërtimin e shkollave, përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e sigurisë në institucionet arsimore.

Deklarata e plotë:

Ish-Ministrja e arsimit që sapo u zëvendësua, znj. Ogerta Manastirliu, e la këtë post me turp, pasi gjatë drejtimit të saj arsimi nuk pa asnjë përmirësim thelbësor por vetëm rrënim, shkollat mbeten pa kushte, mungesa e sigurisë është alarmante, ndërsa mijëra të rinj e shohin të ardhmen vetëm jashtë vendit.

Por çfarë sjell sot qeveria? Emërimin e Mirela Kumbaros, e cila “e ndriti” me dështimet në Kulturë. Një ministre që nuk la pas asnjë gjurmë pozitive në sektorin që drejtoi, por vetëm skandale, propagandë dhe boshllëk. A do të ndodhë e njëjta gjë tani edhe me arsimin?

Ne i drejtojmë ministres së re disa pyetje që nuk mund t’i shmangë:

A do të ndërtohet më në fund shkolla që mungon në Astir, apo fëmijët e atij komuniteti do të mbeten ende pa një bankë e pa një klasë?

A do të ketë masa konkrete për sigurinë në shkolla, kur prindërit dërgojnë fëmijët çdo ditë me frikën e dhunës apo ndonjë gjëje më të keqe?

A do të marrë fund fenomeni i mureve të çara, tavaneve që pikojnë dhe klasave të mbipopulluara?

A do të trajtohen seriozisht rastet e dhunës mes nxënësve dhe mungesa e psikologëve në shkolla, apo do të mbeten vetëm statistika për raporte?

A do të investohet realisht në laboratorë dhe teknologji bashkëkohore, apo nxënësit do të vazhdojnë të mësojnë në kushte të shekullit të kaluar dhe me propagande moderne?

A do të mbajë studentët shqiptarë në vend me kushte më të mira studimi dhe punësimi, apo do t’i shtyjë edhe më shumë drejt valës së emigracionit?

A do të marrë masa kundër korrupsionit dhe blerjes së notave në universitete, apo do të mbyllë sytë si pararendësja e saj?

A do të rrisë mbështetjen për mësuesit, të cilët sot janë të lodhur, të nënvlerësuar dhe të papaguar siç duhet, apo do të vazhdojë propaganda boshe me premtime të pambajtura?

Arsimi nuk mund të vazhdojë të trajtohet si një laborator eksperimentesh politike, ku çdo ministër vjen, bën fasadë dhe largohet duke lënë pas vetëm kaos. Arsimi është themeli i një shoqërie të drejtë dhe moderne. Dhe ky themel sot është shembur, jo për faj të mësuesve apo të nxënësve, por për shkak të paaftësisë së kësaj qeverie.

Ne do të mbetemi në krah të çdo familjeje shqiptare që kërkon të ardhme për fëmijët e saj, në krah të çdo mësuesi që kërkon dinjitet në profesion dhe në krah të çdo studenti që ëndërron të ndërtojë jetën këtu e jo të detyrohet të largohet.

Pasi për ne, Partinë e Lirisë arsimi është kryeprioritet dhe një emergjencë kombëtare.

Ne pyesim sot: A do të ndryshojë diçka me Kumbaron, apo arsimi do të vazhdojë të jetë dështimi më i madh i kësaj qeverie?

Faleminderit!

A.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?