Politikë

Sezoni/ Tatimet kontroll nëse lëshohen kuponë për çadrat! Kumbaro: Kush nuk mban pastër plazhin, i mbyllet biznesi

16 Qershor, 10:46| Përditesimi: 16 Qershor, 14:18

  • Share

Hotelet përgjatë vijës bregdetare do të përballen me kontrolle nga tatimorët nëse lëshojnë apo jo kupon fiskal për pagesën e çadrave dhe shezlongjeve që kanë marrë në menaxhim.

Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro gjatë një inspektimi në Shëngjin tha se kontrolle nuk do të ketë vetëm për kuponët tatimor, por me mbështetjen e policisë do të ketë deri mbyllje biznesi nëse nuk mirëmbahet mjedisi apo në rast se konstatohet zaptim i hapësirës publike.

“Ne do të kemi nevojë për mbështetjen e Policisë së Shtetit sidomos në dy aspekte, zaptimin e plazheve dhe sfidën me pastërtinë. Kushdo që shkel rregullat për mirëmbajtjen e mjedisit, përveç policisë bashkiake për aplikimin e gjobave, vërejtjeve e deri në mbyllje të biznesit, do të kemi në krah edhe Policnë e Shtetit sepse është viti me fluksin turistik më të lartë që ne kemi pasur ndonjëherë”, tha ministrja Kumbaro.

Gjatë kësaj vizite Kumbaro theksoi se rreth 50% të plazheve në nivel kombëtar janë publike, ndërsa në disa bashki si Shkodra, shkon edhe mbi 60%.

“Me rregulloren e re, jo vetëm që kemi shtuar sipërfaqen e detyrueshme të plazheve, 30% dhe 100 metra plazh publik në çdo kilometër vijë bregdetare, por bashkitë sivjet kanë shtuar në hartat e bëra në shtator edhe hapësirat publike, për shkak se mundësinë për plazhe private nga ky vit ua japim vetëm subjekteve të cilat kanë një hotel. Nuk mund të jenë shezlonët dhe çadrat biznes kryesor. Në llogaritë që po bëjmë tani, rreth 50% të plazheve në nivel kombëtar i kemi publike.

Në disa bashki si Shkodra, shkon edhe mbi 60%. Nga viti në vit ne përmirësojmë edhe shërbimin publik, qoftë nga bashkia qoftë nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit me të cilën kemi dyfishuar forcat për të bërë pastrimin e vijës së plazheve në gjithë bregdetin, me përjashtim të bashkisë Lezhë e cila ka krijuar një model të vetin të mirëmbajtjes dhe pastrimit të plazheve”, shpjegoi ministrja Kumbaro.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu i cili gjithashtu ishte i pranishëm, sqaroi modelin e menaxhimit publik të disa prej plazheve nga ana e bashkisë.

 “Bashkia ka vendosur çadra për të gjithë pushuesit që dëshirojnë të marrin në shërbim shezlone kundrejt një pagese të përballueshme dhe duke prerë kuponin tatimor, krahas hapësirave publike për pushuesit që kanë çadrat e tyre”, tha Ndreu.

Kumbaro u takua edhe me përfaqësues të Policisë së Lezhës ku e vlerësoi shumë të rëndësishëm komunikimin dhe bashkëpunimin për mbarëvajtjen dhe sigurinë e sezonit turistik. 

Xh.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se rinumërimi i 44% të kutive të votimit do ndryshojë rezultatin?