Ministrja Mirela Kumbaro takoi sot në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit homologun bullgar Evtim Miloshev. Gjatë këtij takimi u shkëmbyen përvoja dhe u vlerësuan mundësi bashkëpunimi mes dy shteteve për të forcuar projektet në rajon për turizmin.
Kumbaro dhe Ministri i Turizmit i Bullgarisë nënshkruan një plan të përbashkët veprimi me qëllim forcimin e bashkëpunimit të dy shteteve në fushën e turizmit. Temë e takimit ishte edhe përpjekja për rivendosjen e linjës ajrore direkte mes Tiranës dhe Sofjes.
Kumbaro u shpreh se forcimi i bashkëpunimit për krijimin e itinerareve të përbashkëta, rrit vlerën e të dy vendeve për turistët që vijnë nga larg.
“Është mirë që tregjet tona t’i hapim dhe të krijojmë harta të përbashkëta turistike. Veçanërisht për destinacionet e largëta, është në interesin e të dy vendeve tona, por edhe vendeve të tjera fqinje me ne që të krijojmë itinerare të përbashkëta. Ky ishte edhe qëllimi i planit të veprimit që ne nënshkruam sot me qëllim që turistët që vijnë nga Azia apo nga Amerika, kur vijnë në Bullgari të vizitojnë edhe Shqipërinë dhe anasjelltas. Sot turizmi nuk është thjesht treg, ekonomi dhe industri, por është mbi të gjitha emancipim dhe integrim”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Gjatë takimit, Miloshev vlerësoi maksimalisht performancën e Shqipërisë në turizëm, e cila konfirmohet edhe nga barometri i Organizatës Botërore të Turizmit. Ministri Miloshev u shpreh se një bashkëpunim i tillë krijon një vlerë të shtuar mes dy vendeve, duke dhënë një shembull të mirë në Ballkan, si dhe duke zhvilluar ekonomitë përmes turizmit.
“Jam shumë i lumtur që sot nënshkruam këtë dokument. Ky është një akt politik që i vendos marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Shqipërisë në fushën e turizmit në një nivel më të lartë dhe të merituar, sepse ne jemi vende mike prej kohësh. Na lidhin shumë gjëra. Ne mund të jemi një shembull i mirë në Ballkan, duke krijuar brandin “Ballkani”. Do të shtojmë vlerën tonë, duke qenë së bashku dhe duke zhvilluar ekonomitë tona edhe përmes turizmit. Turizmi është fytyra e bukur e diplomacisë. Turizmi jep emocione, jep mesazhe, të cilat janë lidhur me miqësinë mes popujve dhe me marrëdhëniet e mira. Le t'i japim shenjën e mirë Evropës: “Bullgaria dhe Shqipëria – së bashku”, tha ministri bullgar i turizmit.
Ky plan i përbashkët gjithashtu angazhohet në përmirësimin e informacionit dhe promovimin e praktikave pozitive lidhur me turizmin e qëndrueshëm, ndërkohë që 57.000 vizitorë nga Bullgaria kanë vizituar Shqipërinë gjatë muajve janar-shtator 2024.