Rinumërimi i kutive të votimit për qarkun e Tiranës ka treguar deri tani se ka parregullsi që vijnë nga gabime njerëzore të numëruesve dhe jo nga manipulimet.
PS dhe PD kanë përfituar më shumë, teksa ky proces menaxhimi elektoral nga partitë e mëdha duhet të ndryshojë dhe t’i lihet në dorë KQZ-së. Për parregullsitë që janë gjendur deri tani nga KAS duhet të mbajë dikush përgjegjësi, por rinumërimi nuk do të përfundojë me ndryshim rezultati, pasi përqindjet dhe shifrat janë të vogla.
Kështu u shpreh eksperti zgjedhor Andon Kume, në amisionin “Sot, Live në Shqipëri” të moderatorit Nertil Agalliu, në Report Tv.
I pyetur për një analizë më teknike të situatës, zgjatjes së saj dhe problematikave që shfaqen, ai renditi disa dhe dha sugjerime. Kurse për zgjedhjet e pjesshme të bashkive për kryebashkiakët e dorëhqeur që u bënë deputetë, shprehet se ato mund të bëhen vetëm pas verës.
“Nuk është çështja e trenit bullgar, sepse të kërkosh trenin bullgar në qendrat e votimit është pak e vështirë. Por duket se nuk ka zhvillim të rëndësishëm deri tani nga hapja e kutive të votimit, e thënë kjo edhe nga ekspertë të procesit zgjedhor. Dhe rrjedhimisht nuk do ketë ndryshim të rezultatit të 11 majit për Tiranën dhe partitë do mbajnë të njëjtin numër deputetësh. Ky vlente për të parë nëse PD-ja kishte mundësi të merrte një mandat tjetër deputeti nga partia Mundësia, që i jepte shpresën, por duket deri tani nga rezultatet se si pasojë e gabimeve njerëzore kanë përfituar më shumë PS dhe PD. Sepse edhe numëruesit në qendra janë të këtyre dy partive. Janë gabime që nuk ndryshojnë rezultatin, por janë kambanë alarmi se si administrohet procesi. Këtë proces ia kemi lënë partive politike, KQZ nuk ka rol në proces, sepse i kanë partitë e mëdha politike. Deri tani ka një përqindje shumë të vogël, që nuk çon në ndryshim rezultati. Por procesi që kontrollohet nga partitë nuk është qelibar”, tha Kume mes të tjerash.
Ai vuri theksin se më të favorizuara nga numërimi kanë qenë dy partitë e mëdha, që rezulton deri tani se kanë marrë më shumë vota të pamerituara se partitë e tjera.
“Partia që ka marrë më shumë vota padrejtësisht deri tani nga rinumërimi është PS-ja dhe pastaj PD-ja. Pra në shumicë janë bërë për dy të mëdhatë. Kjo tregon se ka pasur një shtytje të grupeve të numërimit të votave për të favorizuar partitë që i kanë çuar dhe bërë anëtarë të numërimit të këtyre votave. Kërkesa që kanë bërë kandidatët e PD-së për rinumërim të votave preferenciale do tregojë sesa kanë përfituar edhe kandidatët e PS-së”, shpjegoi eksperti.
Kume nënvizoi se rasti i Dibrës është një indicio e fortë se ka edhe persona përgjegjës qëkanë devijuar votat, brenda kandidatëve të PD-së dhe me këtë duhet të angazhohen organet e tjera ligjzbatuese, sepse “dikush duhet të mbajë përgjegjësi”.
“Rasti i Dibrës regoi se pati probleme brenda votave preferenciale. Pra ka dhe raste ku numëruesit kanë shtuar vota preferenciale duke i shenjuar kandidatët. Sepse pamjet filmike tregojnë se nuk ka pasur votë për kandidatin, kurse nga verifikimi i kutisë ka rezultuar se kishte vota preferenciale për kandidatin. Kështu mund të verifikohet edhe në Tiranë, kui pas kutie me filmime dhe nëse nuk ka rakordim do të thotë se diçka ka ndodhur në grupet e numërimit. Për Dibrës KAS e cilësoi indicio dhe jo provë, sepse provë është ajo që gjendet brenda në kuti dhe jo pamjet filmike, sepse nuk ndryshon tabela. Kjo është indicio e fortë jo për KAS-in, por për strukturat e tjera. Ata që e kanë bërë këtë, duhet të mbajnë përgjegjësi”, vijoi ai.
Eksperti këmbënguli te fakti se partitë politike duhet të heqin dorë përfundimisht nga kontrolli i procesit zgjedhor me komisionerë dhe numërues e t’i lihet administratës. Për të, procesi do marrë një pjesë të mirë të verës dhe të shkojë pse jo deri në muajin gusht.
“Duhet të bëhet shembull për palët politike që të heqin dorë nga kontrolli i procesit zgjedhor. Nuk shoh ndryshime mandatesh mes partive, psh. Mundësia që ta humbasë në Tiranë apo Nisma Shqipëria Bëhet që ta fitojë në Fier, por shoh mundësi tek gara brenda kandidatëve të partisë, sidomos te PS. Zgjedhjet problemin e patën para, pra zgjedhjet u bënë më përpara, pa u hehdur vota në kuti; tek administrata, shteti, përdorimi i grupeve kriminale etj., kjo po menaxhimi nga partitë është i keq dhe duhet të zgjidhet, sepse menaxhohen keq. Ky proces do marri pjesën më të mirë të verës, ndoshta deri në gusht dhe më tej në shtator ku KQZ t’i japë dorën e fundit”, u shpreh Kume për Report Tv.
Ai ndau një mendim edhe për bashkitë që janë pa kryetarë dhe zgjedhjet e pjesshme lokale.
“Brenda 6 muajve zgjedhjet e pjesshme lokale duhet të zhvillohen. Bashkitë nuk janë pa drejtues, por aktualisht jemi brenda afatit ligjor të parashikuar. Përpos kësaj jemi në pushime verore dhe sezon turistik dhe nuk mund të bësh zgjedhje në bashki. Por mund të bëhen pas shtatorit mendoj unë”, përfundoi ai.
Komente
