Në Report Tv u transmetua emisioni i radhës i ‘Elektroshok’ nga profesor Ardian Ndreca, me temë ‘Kumti letrar i Ismail Kadare’.
Kadare u largua prej nesh por në fakt ai ishte larg gjatë gjithë ekzistencës së tij. Jetoi në një epokë ku u zgjua i pari ndërsa shumica flinte e topitur. Arti i tij përbante veti majeutike me anën e së cilës ai ndihmoi të lindte një sens estetik të vërtetë në shkretëtirë vlerash estetike. Mund të themi se Kadare ka kategorizuar përmasat shpirtërore të shqiptarëve, jo pa një dozë legjitime idealizimi të atyre përmasave, ai ka ndërmjetësuar përafrimin e dy kohëve, asaj të vjetrës që domosdo po perëndonte dhe së resë, e cila po hynte në jetën e shqiptarëve nën formën pseudo revolucionare të dhunës klasore.
Vepra e Kadaresë është fryt i një gjuhe të re ku metaforat, alegoritë, metonimitë, leksiku i gjallëruar, imagjinata e ndezur shkojnë përtej së vjetrës dhe së “resë” duke krijuar një botë të veçantë, kadareane, ëndrrash dhe misteresh ku zbulohet shpirti i një djaloshi që kreu një rrugëtim nga Gjirokastra në Tiranë, në Moskë, në Paris për të përfunduar në Tiranë.
Njerëzit e thjeshtë kanë biografi ndërsa gjenitë kanë vepra. Do të duhej të flitej vetëm për veprat e tija duke dalluar aktet e mirëfillta letrare prej gjobës që atij iu desh t’i paguante regjimit më mizor në Europën komuniste të kohës. Ka disa që citojnë, kinse me kopilì, vargjet e tija për Partinë apo për Enverin. Këta lexues kooperativistë të letërsisë më ngjasojnë me ata që edhe pse kanë rastin të vjelin një pemë të shëndetshme me fryta të mrekullueshme, në pamundësi për të hipur lartësive ku ndodhen frytet më të mira, mjaftohen të përtypin e të pështyjnë përtokë ato pak kokrra të kalbura që fiziologjia e jetës ka bërë që pema të hedhë poshtë.
Lexuesi i mirëfilltë i Kadaresë është ai që ka lindun në këto vite, ai që i afrohet pa paragjykime veprës së tij, që pezullon çdo gjykim joletrar ndaj saj dhe qaset me mjetet e duhura kritika për ta shijuar artin e tij.
“Elektroshok” është emisioni i profesor Ardian Ndrecës që vjen çdo të premte ora 22:00 në ekranin e Report Tv. Përmes një hapësire televizive prej 13 minutash profesori i historisë së filozofisë moderne synon të ndezë një shkëndijë refleksioni tek audienca, shoqëria shqiptare.