Kunati i Henri Çilit telefonata me Alikon në burg për 'negociatat' e lirimit! Përgjimet për tritol e rrahje me porosi 5 mijë €

29 Shkurt 2020, 14:51| Përditesimi: 29 Shkurt 2020, 18:26

  • Share

TIRANË - Gazmir ose Eri Ajdinaj, kunati i botuesit dhe pronarit të UET-së, Henri Çilit, në përgjimet telefonike del që nuk komunikon vetëm me Adil Alikon, por edhe me djalin e tij të fundit që ndodhet në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, Arbjon Aliko, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha në 2015 në Lazarat.

Komunikimi mes Ajdinit dhe Alikos në burgun e Burrelit kryhet me telefon dhe pas operacionit të kryer nga Policia e Shtetit, dy ditë më parë është ushtruar një kontroll dhe tek qelia e Arbjon Alikos, ku është sekuestruar një aparat telefonik. Nisur nga kjo situatë prokuroria e Matit, mësohet se ka nisur një procedim penal ndaj Arbjon Alikos, për akuzën e “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve”. Ndërsa telefoni i sekuestruar pritet t'i nënshtrohet ekspertimit teknik nga policia.

Bisedat që Aliko ka kryer me kunatin e Henri Çilit, kanë të bëjnë jo vetëm me diskutimin për të zgjidhur çështjen në Gjykatën e Lartë dhe për të rrëzuar dënimin me burgim të përjetshëm, por edhe për gjetjen e një sasie tritoli, që Ajdini duhet ta siguronte në zonën e Lazaratit, ku për këtë do e ndihmonte Adil Aliko dhe kushërinjtë e tij në Lazarat. Në fakt Ajdini ka shkuar në Lazarat, ka marrë dy kallëpë tritoli dhe më pas është larguar drejt Tiranës, por në Tepelenë është arrestuar nga policia, që kishte muaj që e mbante në vëzhgim.

Por ky nuk është episodi i parë që Ajdinaj është përfshirë në veprimtari kriminale pasi ai dyshohet se merrej dhe me gjetjen dhe sigurimin e lëndëve narkotike në Përmet dhe në zonën e Fushë-Krujës, ku sasia e drogës është blerë nga dy persona me emrin Ermir dhe Elisjon, të cilët e kanë fshehur më pas lëndën narkotike. Por çuditërisht pas arrestimit të tyre nga policia, sot e kësaj dite ende nuk dihet se ku është fshehur lënda narkotike. Policia ka kryer kontrolle edhe tek banesat e disa prej miqve të tyre, por nuk është gjetur asnjë sasi droge.

Gjithashtu një tjetër fakt që implikon Gazmir Ajdinajn është dhe një moment kur kunati i Henri Çilit, bisedon me dy persona nga qyteti i Kamzës, ku i kërkon atyre që të udhëtojnë në qytetin e Fierit për të rrahur barbarisht një person, kundrejt një shume prej 5000 euro. Siç rezulton në përgjime, ishte një qytetar nga Fierit, R.S, që i kërkoi Ajdinit të rradhë fqinjin e tij në fshatin Mbyet në Fier. Momentalisht mësohet se dy personat që kanë dhunuar fqinjin e R.S, janë arrestuar dhe ndodhen nën hetim në prokurorinë e Fierit.

Gazmir Ajdinaj ka pasur biseda edhe me Adil Alikon dhe kunatin e tij Henri, Çili, me qëllim marrjen e një shumë prej 750 mijë euro dhe apartamente në kompleksin “Fishta” në Velipojë, me dyshimet për të ndikuar në gjyqësor për lehtësimin e dënimit me burgim të përjetshëm të Arbjon Alikos, i dënuar për vrasjen e efektivit të RENEA Ibrahim Basho. çështja ndaj vëllezërve Arbjon dhe Alban Aliko është në Gjykatën e Lartë ku ata kënë bërë rekurs, dhe aktualisht pritet që me plotësimin e trupës gjykuese në gjykatën që ende nuk funksionon, të merret për shqyrtimin në stokun e mbi 33 mijë dosjeve. Pikërisht ndikimi i Henri Çilit dyshohet të jetë tentuar për të përshpejtuar procedurën e shqyrtimit të kësaj çështje, kur gjykata do të ngrihej.  Gazmir Ajdini dyshohet se është personi ndërlidhës mes takimit në Tiranë të Henri Çilit dhe Adil Alikos për lirimin e djemve të tij.

G.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • SONI: 29/02/2020 20:16

    HAJDE UET. SHKELQIM I RREME .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?