Loja me vërtetësi e personazheve, gjetja e detajeve, formimi dhe shpalosja e karaktereve e bëri Zef Dedën unik dhe tepër të dashur.
“Kunati i shokut Xhemal’ Është një nga skeçet më të bukura me të cilin do të kujtohet gjithmonë aktorin i humorit Zef Deda i cili u nda sot nga jeta.
Skeçi i luajtur gjatë viteve 1986 e bëri të njohur aq shumë sa shpesh në rrugë e përshëndesin: “Tungjatjeta, kunati i shokut Xhemal!”
Mbeti i veçantë në pantomimën e Çarli Çaplinit e të Pitkinit.
“Isha 25 vjeç. Ndiqja shumë filma në televizor. Më kishte mbetur në krye Çaplini. E admiroja aq shumë, sa më shfaqej në ëndërr. E admiroja për plastikën e jashtëzakonshme, për lëvizjet mahnitëse e flurore” thoshte Zef Deda në një intervistë për Xhahid Bushatin të publikuar në 2018
Në rrugën e tij drejt skenës e ndihmuan aktorët e njohur Zef Jubani, Tinka Kurti, Antoneta Fishta, Vitore Nino, Lec Prendi, Adem Kastrati, Hasan Smaja, Tano Banushi… Artistët që i kishin respektuar babën të cilin e kishte humbur kur ishte në moshën 7 vjeçare, në një familje të varfër ekonomikisht, tamam si në poemat migjeniane!?
Njeriu i parë që ka imituar ka qenë Drejtori i kinoklubit të hidrocentalit. Për mungesë të daktilografistes, ai i shtypte vetë materialet për programet tona artistike. Me këtë doli në skenë për herë të parë, para punëtorëve të Vaut të Dejës.
Në një intevistë për Xhahid Buxhatin në 2018 tregon pengun: s’iu dha mundësia të interpretojë kopracin Harpagon, ndonëse lojën brilante të aktorit Zef Jubani e ka parë dhe e ka skalitur në kujtesë. Por, siç thoshte Zefi: “Shpesh dëshira nuk përkon gjithmonë me mundësitë reale”.
Zef Deda do të kujtohet gjithmonë si artisti i merituar, që vetëm nëpërmjet humorit largoi “trishtimin”.