Rreth 425 persona u arrestuan të shtunën nga policia britanike gjatë një demonstrate në mbështetje të Aksionit për Palestinën, një grup pro palestinez i shpallur si organizatë terroriste. Qindra demonstrues u mblodhën pranë parlamentit në qendër të Londrës të shtunën për të protestuar kundër ndalimit, shumë prej tyre mbanin pankarta që thoshin: "Unë kundërshtoj gjenocidin. Unë mbështes Aksionin për Palestinën".
Policia Metropolitane e Londrës tha se njerëzit ishin ndaluar për një numër veprash penale, duke përfshirë sulmin ndaj oficerëve të policisë dhe mbështetjen e një organizate të ndaluar.
Britania e Madhe e ndaloi “Aksionin Palestinez” sipas legjislacionit antiterrorizëm në korrik, pasi disa anëtarë të saj hynë me forcë në një bazë të Forcave Ajrore Mbretërore dhe dëmtuan aeroplanë ushtarakë.
Grupi, i cili ka synuar gjithashtu firmat e mbrojtjes në Britani të Madhe që kanë lidhje me Izraelin, akuzon qeverinë britanike për bashkëpunim në ato që i quan krime lufte izraelite në Gaza.
Policia ka arrestuar qindra mbështetës të Aksionit Palestinez në javët e fundit, përfshirë më shumë se 500 vetëm në një ditë muajin e kaluar, shumë prej tyre mbi moshën 60 vjeç.
Grupet e të drejtave të njeriut e kanë kritikuar vendimin e Britanisë për të ndaluar grupin si joproporcional dhe thonë se kjo kufizon lirinë e shprehjes së protestuesve paqësorë.
Komente
