Sot (26 prill) në orën 22:00 në Sevilla skuadrat e Real Madrid dhe Barcelonës do diskutojnë finalen e Kupës së Mbretit. "El Clasico" rrezikoi mos luhej dhe të krijonte precedent si finalja e parë ku një skuadër tërhiqej.
Fjala është për Real Madrid, që një ditë para finales kërcënoi me bojkot, nuk zhvilloi konferencën zyrtare dhe stërvitja nuk u bë e hapur siç ishte parashikuar.
Gjithçka lidhet me konferencën për mediet nga arbitrat e finales, ku kryesori Ricardo de Burgos Bengoetxea u përlot pas akuzave nga Real Madrid Tv se ai nuk ka qenë korrekt me madrilenët.
"Kur fëmija yt shkon në shkollë dhe fëmijët e tjerë i thonë se babai yt është ‘hajdut’ dhe vjen në shtëpi duke qarë, është totalisht e papranueshme. Çfarë përpiqem të bëj është që ta edukoj fëmijën tim, t’i them se babai i tij është i sinqertë dhe mbi të gjitha, mund të bëjë gabime si çdo sportist tjetër", tha i përlotur arbitri i finales.
Pablo Gonzalez Fuertes, i cili do të jetë në VAR për finalen e sotme, ka shkuar edhe më tej duke paralajmëruar se gjyqtarët mund të ndërmarrin hapa ligjore ndaj kanalit të Real Madridit.
“Nuk ka dyshim se ne do të fillojmë të marrim masa më serioze se sa po marrim aktualisht. Ne nuk do të vazhdojmë të lejojmë atë që po ndodhë. Së shpejti, ju do të dëgjoni nga ne”, ka thënë Fuertes.
Pas këtyre deklaratave klubi i Realit ka qenë i qartë dhe i ka kërkuar Federatës që të ngarkojë dikë tjetër në VAR. Por, pas kërcënimeve për bojkot që zgjatën disa orë, Real Madrid u tërhoq.
"Në dritën e thashethemeve që janë shfaqur në orët e fundit, Real Madrid dëshiron të njoftojë se ekipi ynë nuk e ka menduar kurrë të heqë dorë nga finalja. Klubi ynë e kupton se deklaratat fatkeqe dhe të papërshtatshme të gjyqtarëve të caktuar për këtë ndeshje, të bëra 24 orë para finales, nuk mund të njollosin një ngjarje sportive me rëndësi globale që do të dëshmohet nga qindra miliona tifozë dhe me respekt për të gjithë njerëzit që planifikojnë udhëtimin e tyre.
Ata që janë tashmë në kryeqytetin andaluzian beson se vlerat e futbollit duhet të mbizotërojnë, pavarësisht atyre që janë shfaqur kundër klubit tonë, nga ana e këtyre arbitrave të caktuar për finalen", thuhet në reagimin e Real Madrid.
Komente
