TIRANË - Janë mësuar këtë të premte katër çiftet e fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë në futboll.
Në ambientet e "Shtëpisë së Futbollit" në Tiranë, FSHF organizoi shortin që rezultoi me disa ndeshje interesante. Bien në sy duelet Laçi - Partizani dhe AF Elbasani - Vllaznia. Ndërkohë kampionët në fuqi të Egnatias do përballen me Bylisin, ndërsa Dinamo gjen Skënderbeun.
Takimet do të luhen me sistem vajtje-ardhje dhe sfidat e para do të zhvillohen në fushën e ekipeve të pozicionuara në vazon e dytë. Ndeshjet e para do të luhen më 5 shkurt dhe takimet e kthimit më 26 shkurt.
Ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë:
Bylis - Egnatia
AF Elbasani - Vllaznia
Laçi - Partizani
Dinamo - Skënderbeu
Egnatia në fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë do përballet me Bylisin, me ndeshjet që luhen me sistemin vajtje-ardhje. Pas "goglave" për mediet foli presidenti i Egnatias, Agim Demrozi. Ai vlerësoi rivalët dhe tha se në merkaton e janarit ekipi i tij pret një sulmues.
“Shorti përballë Bylisit, është një ekip shumë i fortë ashtu si të gjitha ekipet që kanë arritur deri këtu. Sporti është i bukur, kur e fiton është edhe më i bukur. Tani duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Pretendimet i kanë edhe ekipet e tjera, nuk i kemi vetëm ne. Dhe për vetëkënaqjen, ne nuk kënaqemi asnjëherë. 4 ekipet e para në renditje janë rivalë deri në fund. Ne kemi bërë goxha lëvizje në merkato këtë vit, por po presim edhe një sulmues”, deklaroi presidenti Demrozi.