Kupa e Shqipërisë

Kupa e Shqipërisë/ Tirana kualifikohet mes polemikash, Kukësi dhe Laçi kalojnë me përmbysje, eliminohet Vllaznia

6 Shkurt 2019, 17:28| Përditesimi: 6 Shkurt 2019, 17:36

  • Share

Janë zhvilluar sot ndeshjen e dytë të raundit të 1/8 në Kupën e Shqipërisë ku ka patur jo pak surpriza. Në çerekfinale ekipet e kualifikuara janë Tirana, Kukësi, Laçi, Teuta, Kamza, Partizani, Skënderbeu dhe Luftëtari.

Tirana ka siguruar me shumë vuajtje çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë pas humbjes minimale 1-0 kundër Flamurtarit. Kjo falë fitores 2-0 në ndeshjen e parë të luajtur në “Selman Stërmasi”. Sa I përket sfidës së sotme bardheblutë mbeten me 10 lojtarë që në minutën e 17, teksa Halili goditi me shpullë brazilianin Kale. Ishte pikërisht ky I fundit autori I golit të vetëm në këtë sfidë te realizuar në minutën e 49.

Në fundin e ndeshjes, ashtu si në sfidën me Kukësin, skuadra e Flamurtarit pati kontestime të mëdha ndaj arbitrit, I cili nuk akordoi një penallti që sipas vlonjatëve ishte flagrante.

Ndërkohë pavarësisht humbjes në ndeshjen e parë me shifrat 2-1, Kukësi ka arritur të kualifikohet ndaj Apolonisë pasi verilindorët kanë fituar sot me rezultatin e pastër 2-0. Golat për të besuarit e Cungut u realizuan nga Shkurtaj dhe Et’hemi. Me përmbysje në çerekfinale ka kaluar edhe Laçi, që në Kurbin pas humbjes 2-0 në ndeshjen e parë ka mposhtur 3-0 Bylisin. Skuadra tjetër e kualifikuar në Grupin B është Teuta, e cila ka mposhtur me shifra të përgjithshme 7-1 Lushnjën.

Në Grupin A, ndeshja më dramatikë ishte ajo mes Kamzës dhe Vllaznisë. Falë golit në fushë kundërshtare nga kompeticioni janë larguar shkodranët. Fitorja 2-1 në ndeshjen e parë nuk vlen, pasi sot Kamza ka fituar 1-0 falë golit të mbrojtësit Bitri.

Të thjeshtë e kanë patur Partizani dhe Skënderbeu, që kanë mposhtur me shifrat 3-0 kundërshtarët respektivë Kastriotin dhe Besëlidhjen. Ndërkohë falë fitores 3-0 në ndeshjen e parë Luftëtari ka kaluar Egnatian, pasi sfida e sotme është mbyllur me porta të paprekura.

Në çerekfinale do të jenë këto përballje, Kamza-Skënderbeu, Partizani-Luftëtari, Teuta-Kukësi dhe Tirana-Laçi.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Lista e pasurive imobiliare e Familjes Berisha ju duket?