Tirana dhe Korabi luajnë nesër në orën 13:00 për fazën e 1/8 të Kupës së Shqipërisë. Do jetë sfida e së mërkurës që do tregojë se cili ekip do kalojë më tej në fazën çerekfinale, ndërsa bardhebutë kanë kujtime të hidhura me dibranët.
Në turneun e Kupës së vitit 2020, Korabi eliminonte asokohe Tiranën kampione në fuqi të Superligës, me një gol të Skukës në minutën e 119. Përpara ndeshjes së nesërme, për mediet foli trajneri i Tiranës. Julian Ahmataj tha se ky trofe është në objektivat e klubit.
"Edhe Kupa është një nga objektivat e klubit dhe duhet të bëjmë maksimumin nesër për të arritur kualifikimin në fazën tjetër. Kemi shumë mundësi për të fituar çdo trofe dhe besoj do të ecim gjatë dhe do bëjmë mirë.
Barazimi me Teutën? Ky duhet të jetë një motiv më tepër për të qenë më të përqëndruar dhe më agresivë në fushën e lojës. Do të përdorim lojtarët tanë më të mirë, formula e garës nuk na jep një shans të dytë dhe duhet të fitojmë ndeshjen. Në sfidën e Durrësit jemi të kënaqur nga paraqitja, por jo nga rezultati.
Dëmtimet? Patrick nuk është ende gati nga minuta e parë, por ai do të marrë minuta. Nuk duam ta dëmtojmë dhe do t'i duhet më shumë kohë për të ardhur në formë. Jonuzi është një shqetësim dhe forcë për skuadrën, por kemi djem të tjerë që janë gati të japin maksimumin", tha Ahmataj.
Tirana luan nesër në 13:00 kundër Korabit për 1/8 e Kupës së Shqipërisë, fazë kjo që luhet me një takim. Për mediet foli edhe portieri i Tiranës, Mustafë Abdullahu.
Ai ceku barazimin 2-2 në Durrës me Teutën në kampionat, ndërsa te bardheblutë e dinë mirë se dueli me dibranët nuk do jetë i lehtë, kjo pasi Kupa është objektiv për Tiranën.
"Është ndeshje e rëndësishme, do të japim maksimumin dhe respektojmë kundërshtarin. Në Durrës ishte ndeshje e vështirë, barazuam, e kaluam dhe shpresojmë të marrim pikë në ndeshjet e tjera. Tirana mund të marrë Kupën. Është ekip i madh dhe kemi objektiva të mëdha. Vendi i 4-të nuk është shqetësim pasi ka ndeshje të tjera”, tha ai për mediet.