Politikë

'Kuptimi i zyrave publike', Elektroshok në Report Tv nga Profesor Ardian Ndreca

17 Janar, 22:05| Përditesimi: 17 Janar, 22:09

  • Share

Më trego zyrën që ke e të them se kush je! Zyra kërkon respekt dhe ushqen respekt. Ka anekdota pafund për zyrat, zyrtarët. Mbreti Diell, Luigji XIV shkonte në parlament i veshur si gjahtar në shenj përbuzje për institucionin.

Bismarck pohonte se me ligje të këqija dhe zyrtarë të mirë mund ta drejtonte shtetin pa asnjë problem. Tek ne një historik i zyrave të shtetit do të na ndihmonte për të kuptuar më mirë rrugëtimin tonë nga viti 1912 deri më sot.

Zyra e Nolit: shkresa mbi tryezën e punës, një violinë në mur, tri karrige. Gjithçka në shenjën e përkohësisë.

Zyra e Zogut: simbolet kombëtare, një shandan, pak shkresa, një bocet i Skëndërbeut. Shihen disi ambiciet e tija!

Zyra e Mustafa Krujës kryeministër: ngjason me një zyrë avokati milanez të kohës, mobilje hijerënda, shkesa pafund, duket sikur koha është me pikatore.

Zyra e Enver Hoxhës: një libër mbi tryezë, një shkresë që pret firmën, pas shpine veprat e klasikëve të m-l, përpara një bust i Leninit.

Zyra e Sali Berishës: një skulpturë e vogël e ndonjë artisti militant apo militanti artist. Shkritorja e pastër, pa asnjë letër. Duket se gjithçka e ka në mend dhe s’mund të lexojë asgjë që mund t’i ndryshojë idetë. Në kënd një televizor ku mund të shohë veten dhe mënyrës sesi kanë reaguar të tjerët kur ka folur. Një kolltuk kitsch, një bibliotekë thuejse pa libra. Dy piktura pa lidhje që tregojnë rastësi në formim dhe në shije.

Zyra e kryeministrit aktual: lapsa e ngjyra, letra vizatimi, kanceleri, mure me flutura të stilizuara. Atmosferë e lehtë me sens estetizues, më shumë se zyra e një kryeministri duket si një firmë që prodhon reklama biznesi.

Zyra e një presidenti të Republikës të viteve të fundit: kolltukë të blertë të errët, perde ngjyrë të papërcaktuar, të rënda, të dalura nga ndonjë magazinë mallrash të sekuestruara për falimentim, një raft që shkëlqen nga zbraztia, tapete demode, gjithçka duket statike dhe pa autoritet si vetë institucioni.

Zyra e një kryetari bashkie province: ngjason me sallonin e një kazinoje, lule plastike, karrige plastike, piktura sintetike, raftet ngjasojnë me ato të një agjensije udhëtimesh, ndër to ekspozohen librat e miqve, të sponsorizuar me fondet e bashkisë.

Zyra ka ekokuencën e vet, ajo shfaq atë që fshihet dhe me inercinë e saj fshin dëshirat e mira e atyre që e trashëgojnë për arsye partiake apo zgjedhore!

Gjithçka është mesazh thotë një filozof francez i shek. XX, mesazh vizionesh të ndryshme e vizionesh të munguara ku identifikohet uni dhe nënvetëdija e zyrtarit që e ka rradhën të na ndërshkojë me praninë e tij në një zyrë të shtetit.

“Elektroshok” është emisioni i profesor Ardian Ndrecës që vjen çdo të premte ora 22:00 në ekranin e Report Tv. Përmes një hapësire televizive prej 13 minutash profesori i historisë së filozofisë moderne synon të ndezë një shkëndijë refleksioni tek audienca, shoqëria shqiptare.

S.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?