Të premten në Elbasan Arena Kombëtarja U-21 luan ndeshjen vendimtare përballë Republikës Çeke për objektivin e kualifikimit. Me gjithëse ndeshjen e parë kuqezinjtë e vegjël u turpëruan me rezultatin 4-0 trajner Alban Bushi është optimist.
“Mendoj se do të arrijmë rezultat pozitiv. Kam shumë besim te ekipi, jam optimist dhe i kemi marrë të gjitha masat. E di ku duhet ta sulmojmë ekipin çek, ku i kanë defektet, ndërsa e dimë gjithashtu ku nuk duhet të përballemi me ata. Shpresoj që të bëhet një ndeshje shumë e bukur,”-tha Alban Bushi, trajner i Kombëtares U-21.
Trajneri i kombëtares për ndeshjen e shtatë në grupin kualifikuese kishte edhe një kërkesë për tifozët, mbështetjen e të cilëve e cilëson jetike.
“Janë një faktor shumë i rëndësishëm. Kur ekipi U-21 humb të gjithë flasin, çdo tifoz, por ai nuk e jep kontributin e vet. Unë shpresoj që ta japi ndihmën e vet, pasi prania e çdo tifozi është shumë e rëndësishme. Është lojtari i 12 për ne,”-u shpreh Alban Bushi, trajner i Kombëtares U-21.
Pas 6 ndeshjesh në grupin kualifikues Shqipëria renditet e treta me 9 pikë, ndërsa Republika Çeke e para me 4 pikë më shumë.