Pjesa e shtatë
“Vëllai im, Petriti, donte vajzën e Themeluesit të Partisë, por në një kohë kur Themeluesi i Partisë, nuk ishte mirë më shëndet, udhëheqësi i tanishëm i Partisë, nxiti gruan e Themeluesit të Partisë, që kjo fejesë të mos bëhej dhe kjo i tha babait tim se; kjo fejesë nuk mund të bëhej se, do flasë populli. Babai im e thirri Petritin dhe i tha: Harroje këtë muhabet! Këtë gjë udhëheqësi i Partisë e bëri, se po të bëhej kjo fejesë, do të forcohej miqësia dhe pas vdekjes, karrigen e Themeluesit të Partisë, do ta merrte babai im. Gruaja e Themeluesit të Partisë, për problemet e fëmijëve, nuk e pyeste themeluesin e Partisë. Kur u shkarkua babai im dhe me të vazhdonte hetuesia e lirë, në shtëpinë tonë ishim mbledhur të gjithë, ne e pyetëm se si ishte puna? Babai, na mblodhi dhe na tha: ‘Unë kam punuar me ndershmëri, por kështu e shikon të arsyeshme Partia. E vërteta do dali një ditë në shesh, por mua atëherë do më ketë mbirë bari në sy! Mua veçanërisht më tha se; ty Goni, ta kam frikën se je i nxituar. Nga padrejtësitë që i bënin babait tim, mua më hipi gjaku në kokë dhe desha të merrja në bagazh, automatikun dhe të mos lejoja ta merrnin babain, por babai më tha: Jo kështu Agron, se unë nuk vë pushkë kundër Themeluesit të Partisë”.
Kështu thuhet në mes të tjerash në një dokument tepër sekret të Sigurimit të Shtetit që mban datën 3 mars të vitit 1987, ku është e zbardhur e gjithë biseda e djalit të dytë të Kadri Hazbiut, Agronit, me një shokun e tij të punës në Kurbnesh të rrethit të Mirditës, ku ndodheshin të dy të internuar dhe e gjitha ajo bisedë mes tyre, i është dërguar më pas Ramiz Alisë.
Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, i cili është pjesë e një dosje voluminoze që është nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, (tashmë pjesë e Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, përveç bisedave të bëra të Agron Hazbiut me shokun e tij (A.M.), i cili i’a ka deklaruar të gjitha dhe me detaje të hollësishme Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Mirditës, pjesë dosjes voluminoze, janë edhe shumë raporte e informacione sekrete me denoncime dhe përgjime ndaj familjes Hazbiu, të cilat fillojnë që në tetorin e vitit 1982, dhe mbarojnë në fillimin e vitit 1991.
Lufta e bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Enverit në udhëheqjen e lartë të partisë dhe shtetit të asaj kohe, veç të tjerash, bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që po publikojmë sot në pjesën e parë të këtij dosieri (që do zgjasë në dhjetë numra), ku Agron Hazbiu, apo siç është njohur ndryshe si Agron Dautaj, (ish-futbollisti i ekipit “Dinamo”, i’a ka pohuar shokët të tij të ngushtë, A.M., lidhur me fejesën e prishur ndërmjet, vëllait të tij, Petrit Hazbiu (i diplomuar si arkitekt) dhe të bijës së Enverit (po arkitekte), që në fillimin e viteve ’70-të, gjë e cila erdhi pas ndërhyrjes së Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës.
Dhe vetëm 15 muaj më vonë, Agron Hazbiu, u gjet i vdekur në minierën e bakrit në Kurbnesh, ku sipas versionit zyrtar, ai kishte bërë vetëvrasje, duke lidhur dinamit në trup. Por ishte vërtetë ajo një vetëvrasje, apo Sigurimi i Shtetit, kishte zbatuar porosinë e Ramiz Alisë, (të shkruar me dorën e tij: “…Të veprohet”), duke pasur frikë nga i biri i Kadri Hazbiut, i cili përveçse dikur në vitin 1982, kishte dashur të kapte automatikun, në mbrojtje të babait të tij, por edhe në internim, në një moment zemërimi, ishte shprehur edhe për hedhje dinamiti ndaj dikujt…!
Lidhur me këtë dhe të tjera, do njihemi nga një numër dokumentesh arkivore të nxjerrë nga dosja voluminoze në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, të cilat do publikohen nga Memorie.al.
DOKUMENTI SEKRET ME PLANIN E MASAVE AGJENTURIALE – OPERATIVE TË MIRATUAR NGA KRYETARI I DEGËS SË BRENDSHME PUKË, BESIM STAFA DHE AI I MIRDITËS, BAJRAM PELO, PËR KOORDINIMIN E VEPRIMEVE NË SURVEJIMIN E FAMILJES SË KADRI HAZBIUT
M I R A T O H E T S E K R E T
KRYETARI I DEGËS SË BRENDSHME PUKË Ekzemplar Nr. 1
BESIM STAFA Pukë, më 28.6.1983
KRYETARI I DEGËS SË BRENDSHME MIRDITË
BAJRAM PELO
SHTESË PLAN – MASASH
AGJENTURIALE-OPERATIVE E PËRBASHKËT, PËR KONTROLLIN E LIDHJEVE TË
ARMIKUT KADRI HAZBIU
Me qëllim që të kontrollojmë veprimtarinë e lidhjeve familjare e miqësore të armikut të Partisë, Kadri Hazbiu, që ka në rrethin e Pukës dhe të Mirditës, për t’u thelluar në zbulimin, dokumentimin, goditjen dhe ndërprerjen e veprimtarinë armiqësore që zhvillojnë dhe mund të zhvillojnë në të ardhmen, vetëm, ose në bashkëpunim me njëri tjetrin, të merren këto masa, agjenturalo-operative:
Për degën e Punëve të Brendshme, Mirditë:
Në qytetin e Kurbneshit, janë me masë internimi familja e armikut Kadri Hazbiu, gruaja, Hedije, Mimoza, Elena, Petriti dhe Agroni, fëmijët dhe Medi Çollaku, me banim në qytetin e Rrëshenit, e me punë arsimtar në Frorë, ish-dhëndër i tij.
Nga ana jonë, përpunohen në përpunim paraprak, Petrit dhe Agron Hazbiu, për agjitacion e propagandë kundër Partisë dhe pushtetit popullor. Për të zbuluar në thellësi e gjerësi veprimtarinë armiqësore që, mund të zhvillojnë me lidhjet e tyre në rrethin e Pukës, në të ardhmen, nga kjo Degë, do të merren këto masa agjenturiale-operative:
Ndaj fëmijëve të tij në Kurbnesh, do të ushtrohet vazhdimisht kontroll, ashtu si është bërë më parë, të sigurohen fizikisht duke u paraqitur në Rep. 44, dy herë në ditë dhe në rast festash dhe gatishmërish, të paraqiten tre herë në ditë, të kontrollohet paraqitja e tyre nga P.P. i sektorit, kjo me qëllim që të parandalohet me kohë, çdo akt i mprehtë që, mund të merret nga ana e tyre.
E kryen vazhdimisht, Punëtori Operativ, M.Monka.
E kontrollon, Zv/Kryetari i Degës
Në qytetin e Kurbneshit, B.p. “Aparati” që banon në një shkallë me këtë familje të internuar, B.p. “Drita”, “Shigjeta”, e patriotëve P.P.M. e GJ.P.A., do t’u jepet detyrë që, po konfirmuan se në qytet, kanë ardhur lidhjet e tyre, sidomos ato që kanë në rrethin e Pukës, të na njoftojnë menjëherë, që nga ana jonë, të merren masa për përgjimin e bisedave në shtëpinë e tyre. Kjo, sipas njoftimit që do të na bëjë, Dega e Pukës.
E kryen P.Op. M.Monka
E kontrollon, Zv/Kryetari i Degës
Në qoftë se Agron Aranitasi, ka ardhur në qytetin e Rrëshenit dhe ka takuar e biseduar me ish-kunatin e tij, Medi Çollakun, po u konstatua një fakt i tillë, edhe sipas njoftimit të Degës së P. të Brendshme Pukë, do të merren në survejim dhe po u futën në shtëpinë e Mediut, do të shkohet në pikën e kontrollit, për të përgjuar bisedën e tyre me T.O., reagimet për lidhjet në Kurbnesh, do t’i dërgohen Degës së P., të Brendshme Pukë.
E kryen P.Op. Y.Tabaku., H.Hysenukaj, H.Vata, në vazhdim.
Në muajin maj, të dërgohet në Tiranë me kombinacion, Petrit Hazbiu, i cili gjatë gjithë kohës, që kur të niset nga qyteti i Kurbneshit për në Tiranë, do të merret në survejim, për të fiksuar lidhjet e tij në Rrëshen, e sidomos ato që janë në rrethin e Pukës. Po ashtu, dy ditë më parë, të njoftohet Dega e P. të Brendshme e Pukës, për të marrë masa për lëvizjet e Agron Aranitasit.
E kryen P.Op. M.Marku, M.Hysenukaj, në vazhdim.
E kontrollon, Zv/Kryetari i Degës.
Herë pas here, të bëhet përgjimi i bisedave të tyre, kjo sidomos në rast festash, e kur në shtyp, televizor e radio, do të flitet për probleme të rëndësishme, si të situatës së brendshme, ashtu dhe asaj të jashtme, ndërkombëtare. Reagimet që mund të dalin për lidhjet e tyre në Pukë, t’i dërgohen kësaj Dege.
E kryen P.Op. M.Marku, M.Hysenukaj, në vazhdim.
E kontrollon, Zv/Kryetari i Degës.
Sipas vendimit të Gjykatës, Agron Aranitasi, do të sjell fëmijët e tij (vajzën e djalin) në qytetin e Rrëshenit, njëherë në 2 muaj, për takim me të ëmën, Mimoza Hazbiu, nga ana jonë do të merren në survejim, për të fiksuar kontaktet midis tyre në qytetin e Rrëshenit, në të njëjtën kohë, do të bëhet përgjimi në banesën e Medi Çollakut, e njëjta gjë, edhe kur Mimoza të kthehet në qytetin e Kurbneshit, reagimet që do të dalin për lidhjet e tyre në Pukë, do t’i dërgohen kësaj Dege.
E kryen P.Op. M.Marku, M.Hysenukaj, Y.Tabaku, H.Vata, në vazhdim.
E kontrollon, Zv/Kryetari i Degës.
Për Degën e Punëve të Brendshme, Pukë.
Nga ana jonë, ndiqen në përpunim aktiv 2/A, si lidhje e armikut të Partisë Kadri Hazbiu, Agron Aranitasi dhe Myfit Hazbiu. Prandaj, për të zbuluar dhe fiksuar lidhjet e tyre të dyshimta me familjen e armikut Kadri Hazbiu, nga ana jonë, do të merren këto masa agjenturalo-operative:
Agron Aranitasi: Tek Agroni, do të dërgohet B.p. me pseudonimin “Radisti”, për të mësuar se, si reagon për ndarjen me gruan e tij, Mimozën.
Kur të mësojmë se Agron Aranitasi, do të shkoj për të çuar fëmijët te ish gruaja e tij, Mimoza, në Kurbnesh të rrethit të Mirditës, do të njoftohet Dega e P. të Brendshme Rrëshen, me parullën, në Plikon Nr. 2, u nisë për në Rrëshen.
Në rast se do të dalin materiale në ngarkim të lidhjeve komplotiste, Mimoza – Agron, do t’i dërgohen Degës së P. të Brendshme, Mirditë.
Myfit Hazbiu: Po qe se objekti Myfit Hasan Hazbiu, do të shkoj tek lidhjet e tij në rrethin e Rrëshenit, do të njoftohet Dega e Brendshme e Rrëshenit, me parullën në Plikon Nr. 10., e nisëm për në destinacion dhe nga ana jonë, do të merret në survejim, me qëllim që të fiksojmë lëvizjet e dyshimta, apo takimet e dyshimta.
Në drejtim të këtij, të drejtohet B.p., me pseudonimin “Sharra”, për të parë se si reagon objekti, për lidhjet e tij që ka në rrethin e Rrëshenit dhe po qe se na del ndonjë e dhënë, t’i dërgohet Degës së P. të Brendshme, Rrëshen.
Në drejtim të këtij, do të drejtohet B.p. me pseudonimin “Trëndafili”, për të parë se si reagon ky, për arrestimin e armikut Kadri Hazbiu, e të babait të tij, Myfit Hazbiu dhe po qe se del ndonjë e dhënë, në drejtim të lidhjeve të tij në rrethin e Rrëshenit, t’i dërgohet Degës së P. të Brendshme, Rrëshen.
E kryen P. Op. Kujtim Kuçi, e Stavri Labi, në vazhdim.
E kontrollon, Zv/Kryetari i Degës së P. Brendshme, K. Prifti.
PUNËTORËT OPERATIV
MIHAL MONKA MUSTAF HYSENUKA
KUJTIM KUÇI STAVRI LABI
ZV/KRYETARËT E DEGËS
VESEL AVDULLAI KOSTA PRIFTI
DOKUMENTI SEKRET ME PLANIN E DETYRAVE TË MIRATUAR NGA ZV/KRYETARI I DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME TË RRËSHENIT, VESEL AVDULLAI, LIDHUR ME NDJEKJEN E SURVEJIMIN E FAMILJES SË KADRI HAZBIUT
MIRATOHET SEKRET
ZV/KRYETARI I DEGËS SË BRENDSHME EKZEMPLAR I VETËM
VESEL AVDULLAI Rrëshen, më 9.6.1983
PLAN – DETYRA
TË VEÇANTA PËR KONTROLLIN FIZIK TË PJESËTARËVE TË FAMILJES SË ARMIKUT TË PARTISË KADRI HAZBIU, TË INTERNUAR NË QYTETIN E KURBNESHIT.
Në zbatim të detyrës nr. 8 të planit të masave agjenturore operative, datë 9.6.1983, për përpunimin e objektit në përpunim paraprak, Petrit Hazbiu, krahas detyrave të nxjerra për kontrollin fizik të pjesëtarëve të familjes së armikut të Partisë Kadri Hazbiu, që janë me masë internimi në qytetin e Kurbneshit si: gruaja Hedija, fëmijët Helena, Mimoza, Petriti, dhe Agroni, me qëllim për ti pasur nën kontroll të plotë lëvizjet e tyre e kontaktet me personat e tjerë të dyshimtë, e për të prevanuar në kohë, arratisjen ose rrëmbimin e tyre nga ndonjë zbulues i huaj, në të ardhmen nga ana jonë, do të realizohen me precedencë këto detyra:
1 – Ashtu si edhe më parë, do të bëhet sigurimi i tyre fizik duke u paraqitur dy herë në ditë në Komandën e Repartit 44, ku në shumicën e rasteve, të kontrollohet paraqitja e tyre nga nga Punëtori i Policisë së sektorit.
E kryen: P.Op. Mihal Monka në vazhdim
Kontrollon: Zv/Kryetari i Degës
2 – Sigurimi i tyre fizik, do të si në vendbanim e në qendrën e punës, dhe konkretisht do të merren këto masa :
A – Në vendbanim:
Në banesën ku ata jetojnë, në një hyrjen banon dhe B.p. “Aparati” dhe ish B.p. “Automatiku”, do t’i jepet detyra që herë pas here, të fiksojnë kontaktet e tyre në qytet, nëse ka persona të panjohur që interesohen për ta, t’i verifikojnë dhe menjëherë të njoftojmë nëse, natën vonë ose në kohë të përshtatshme, futen lidhjet e tyre ose persona të tjerë të dyshimtë e, të informojnë në kohë, po ashtu nëse konstatojnë se nëse, të gjithë ose ndonjëri prej tyre, nuk është në vendbanim, të informojnë menjëherë.
Detyra të tilla, edhe B.p. “Drita”, “Shkëlzeni”, “Shigjeta”, “Furrneli”, e do të aktivizohen qytetarët P.P. LL.GJ. P.A. LL.P K.GJ., ku herë pas here, do të merren në survejim për të fiksuar kontaktet e tyre me persona të dyshimtë.
B – Në qendrën e punës:
Do t’i jepet detyrë B.p. “Pisha”, “Bakri”, “Shënjuesi”, “Drini”, për të fiksuar kontaktet e Petritit dhe Agronit në minierë, me persona të dyshimtë që interesohen për ta, mungesën në punë, nëse shprehim pakënaqësi për kushtet e punës dhe jetesës, e sipas tyre kushte më të mira, mund t’ju sigurohen jashtë, menjëherë të informojnë e, t’i mbajnë në kontroll, për të prevenuar çdo tendencë arratisjeje.
Po kështu, do të aktivizohen persona të besuar, si: ish B.p. “Çelësi” GJ.P. N.H. Neli e H. Doda, brigadierë të brigadave ku ata punojnë, për të na sinjalizuar në kohë, kur ata mungojnë pa arsye, me qëllim që nga ana jonë, të merren masa verifikimi e mbajtje nën kontroll të fortë.
Kryen: P.Op. Mihal Monka në vazhdim
Kontrollon: Zv/Kryetari i Degës
Herë pas here kur në shtyp, radio, e televizor, me raste festash e manifestimesh të ndryshme, që mund dhe të flitet për probleme me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare, do të përgjohen bisedat e tyre për të mësuar reagimet për problemet që trajtohen e për cilësimin e birit të të atit, si armik i Partisë.
Kryejnë: P.Op. M.Monka e H.Vata, në vazhdim
Nga ana jonë, nëpërmjet Punëtorit të Policisë së sektorit, inspektorëve vullnetarë të qarkullimit rrugor, do të verifikohen shoferët sidomos të Parkut të Tiranës, Tepelenës, Pukës, ku ata kanë lidhjet e tyre, nga këto do të veçohen shoferët e makinave si “Gaz” 61, “Gaz BÇ”, si të Gjeofizikës, do të korrespondohet me Degët përkatëse, për të sqaruar pozitën e tyre nëse kanë pasur lidhje familjare me familjen e Kadri Hazbiut, kjo me qëllim që, për më të dyshimtit, të merren masa kontrolli, për të prevanuar në kohë, ndonjë rrëmbim të pjesëtarëve të familjes së armikut të Partisë, Kadri Hazbiu.
Kryen: P.Op. M.Monka në vazhdim
Kontrollon: Zv/Kryetari i Degës
Sa herë që do të vijnë në qytetin e Rrëshenit për probleme familjare, si vizita e takim me fëmijët, sa herë që do t’ju jepet leje, do të merren në survejim gjatë gjithë rrugës, në qytetin e Rrëshenit e në kthim, kjo me qëllim për t’i patur nën kontroll të vazhdueshëm fizik, për të prevenuar ndonjë akt arratisjeje, dhe për të fiksuar kontaktet me persona të tjerë.
Kryejnë: P.Op. M.Monka, P.Peri, Y.Tabaku në vazhdim
Kontrollon: Zv/Kryetari i Degës
Këto detyra, e të tjera që do të na imponojë situata, do të zbatohen e analizohen herë pas here, në varësi me ashpërsimin e situatës operative, do të përcaktohen detyra të tjera, duke aktivizuar B.p. të tjerë e qytetarë të besuar, për t’i pasur gjatë gjithë kohës në kontroll, ditë e natë, për të prevenuar ndonjë akt arratisje e rrëmbim të tyre. Memorie.al
Punëtori Operativ
Mihal Monka
Vijon numrin e ardhshëm