Petro Marko

'Kur Asllan Ypi, e kishte parë Enverin te Kafe ‘Flora’ dhe i kishte thënë: Po ti, çdo këtu me këta të kuqtë, ai…’/ Kujtimet e Petro Markos

25 Maj 2023, 07:54| Përditesimi: 25 Maj 2023, 07:56

  • Share

Memorie.al / Rrëfimet e shkrimtarit të njohur Petro Marko, ish-luftëtari i Brigadave Internacionaliste në Luftën e Spanjës dhe i Tiranës, tregon prapaskenat e asaj që njihet si Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pse Koçi Xoxe urrente Enver Hoxhën?! Porosia e Sejfulla Maleshovës: “Kjo është parti terroriste, mos hap gojën, se do e pësosh…”! Përse u dënua Petro Marko dhe kush ishin ata që i’a përgatitën arrestimin dhe kush e ndihmoi pas daljes nga burgu, etj. Pjesë të zgjedhura nga libri “Intervistë me vetveten”, i shkrimtarit të njohur shqiptar Petro Marko, i botuar në fillim të viteve ’90-të pas shembjes së regjimit komunist, libër i cili pati një jehonë të madhe në shtypin e kohës, pasi u botua dhe ribotua disa herë, duke shënuar një rekord shitjesh.

Më vonë mora vesh se më 15 maj u bënë arrestime masive. Mua më shpunë te Burgu i Vjetër. Aty, në birucën e katit të poshtëm, gjeta tre veta: Asim Abdurahmanin, që e njihja, se ishte dhëndri i Bedri Pejanit; Gjysh Dedën, një shkodran; Asllan Ypin. Sapo më panë, u habitën: “Edhe ti këtu!”

Asimi më tha:

– I kisha thënë gruas sime, të vinte tek ti që të interesoheshe për mua. Më kanë dënuar me vdekje! Nuk e di pse…?! Unë Babushin (Bedri Pejanin) nuk mund ta mohoja, se e kam vjehërr…! Pastaj, pse jam përfaqësues i Shoqërisë Farmaceutike gjermane “Bajer”, nuk është ndonjë krim…!

Ishim katër veta në një birucë. Cilido tregonte të tijat. Aty, dëgjova Asllan Ypin, të na tregonte për jetën e tij dhe të Enverit në Francë…!

Pastaj tregonte edhe për në Tiranë:

– Një ditë kalova andej dhe e pashë që pozonte në derën e dyqanit “Flora”, ku njoha disa komunistë. I thashë frëngjisht: “Po ti, Enver, ç’kërkon këtu me të kuqtë?”

– Dhe ai po frëngjisht: “Jam këtu, me qëllim që t’u… nënën gjithë komunistëve. Asnjë nuk do të lë më këmbë”.

Dhe, siç do të shohim, ai me të vërtetë qysh atëherë, nisi të eliminonte komunistët e orëve të para.

– Po ne që nuk jemi komunistë, – tha Gjysh Deda, – pse na arrestoi e, na dënoi me vdekje?

Mendoja: “Kam qenë në burgje të tjera, me shokë të dënuar me vdekje dhe gjithnjë jam kredhur në një trishtim shumë të thellë…! Ç’ka bërë njeriu! Ç’mënyra krimi, mundimi dhe degjenerimi, ka gjetur për të dënuar veten! Më kujtohet që, thoshin në burgun e Barit, se inxhinieri i cili ndërtoi burgun, pasi e mbaroi, vrau veten. Burgjet janë varri i të gjallëve. Njeriu, në disa demokraci, ka gjetur mënyrën e dënimit të fajit ose të krimit: izolimi në vende te largëta; kanë krijuar komunitete fajtorësh, që punojnë e jetojnë të izoluar nga bota tjetër, por ama janë në shoqëri, shohin diellin, paçka se bëjnë një jetë, pa krahë për të fluturuar…”!

– Ja një skenë çnjerëzore: Ishim duke ngrënë bukë të katër bashkë; kishim shtruar ato që na kishin sjellë familjet tona në sefertasë. Mua më sillte ushqim rregullisht përditë, gruaja ime, Safoja. Atë e ndihmonte e ëma, Shazija, që gatuante shumë mirë. I bashkuam gjellët dhe që të katër, këmbëkryq, filluam të hanim. Nuk kaluan pak minuta dhe dera kërciti e u çel. U futën dy oficerë të Sigurimit, Haznedari dhe Stavri, të zellshëm për ofendime dhe tortura nga më çnjerëzoret. Nuk na thane: “Ju bëftë mirë dreka,” po:

– Ti, Asim Abdurahmani, dhe ti Gjysh Deda, ngrihuni!

 

Nuk e di si guxova dhe fola:

– Dale të mbarojmë drekën…! Tani sapo u shtruam!

– Pusho ti, agjent i fëlliqur! Ju ngrihuni, se drekën e mbaroni në atë botë.

Shtangëm. Gjysh Deda, trim, tha:

– Asim, ngrihu! Të shpëtojmë nga kjo pjellë e keqe, që ka lindur ky vend fatkeq, i pushtuar nga Titoja, që ka këtu si xhelat Enverin!

Më erdhi të ulërija kur pashë Stavrin, ta godiste me këmbë në kokë dhe ta shante.

– Ngrihuni!

Gjysh Deda, i tha Asimit:

– Mos u ligështo. Mbaju burrë, se ne bëjmë pjesë te kurbanet, në ato mijëra kurbane, që Enver Hoxha i ther për perëndinë e tij, Tito.

Përsëri Stavri e goditi rëndë. E hoqi zvarrë. Me Asimin u përqafuam me lot në sy. Dëgjova:

– Në dalçi gjallë këtej, thoni se vdesim të pafajshëm!

Dera u mbyll. Unë dhe Asllani ndenjëm në këmbë me lot në sy, ndërsa radioja, shpërndante me zë të lartë me anë të megafonit të vënë në oborr të burgut: “Orën gazmore” dhe i bënte të qeshnin ata që e dëgjonin.

Ishte edhe kjo një nga ato mijëra skena makabre, që kam parë gjatë gjithë jetës.

Pyetje: – A ndenje shumë te Burgu i Vjetër me Asllan Ypin?

Përgjigje: – Jo. Shpejt na shpunë në Burgun e Ri. Në një sallë të katit të dytë, ku kishte më shumë se njëzet veta, të gjithë të dënuar, si: “agjentë të të huajve”. Kishte aty, njerëz të karaktereve dhe mo shave të ndryshme. Kishte edhe disa rusë të bardhë, nga ata oficerë të Carit, që shpëtuan nga revolucioni dhe ikën. Ishin nga ata rusë të bardhë, që i rekrutoi Ahmet Zogu në Jugosllavi dhe bashkë me bashibozukë të tjerë e, bajraktarë, hynë në Tiranë, më 24 dhjetor të vitit 1924.

Ata u bënë instruktorë të Ushtrisë dhe Zogu i mbante mirë. Tregonin nga jeta e tyre në Peterburg dhe si kërcenin me balerinat më të bukura. Njëri thoshte se kishte kërcyer edhe me Carinën dhe se ajo e kishte pëlqyer shumë, prandaj e thërriste shpesh në mbrëmje në Pallat. Shokët e tij, i thoshin Rasputin. Të gjitha këto, ndoshta ishin fantazi.

Më në fund, më ndanë nga ata dhe më futën në një birucë të katit të parë, më lidhën me duart pas dhe te këmbët. Vetëm kur haja bukë, më zgjidhnin duart dhe kur shkoja në orën e caktuar në tualet. Lidhur këmbë e duar nga pas, pa asnjë shtresë e mbulesë, më bënin presion të përditshëm, të tregoja, të pohoja ato që deshën ata. Vinin grupe-grupe. Në një grup njoha një hetues që kishte qenë në kuesturë, në kohën e okupacionit fashist dhe thosha me zë të lartë: “Më vjen mirë që është edhe ai hetues, se më duket sikur jam, në kuesturën fashiste”.

 

Hetimet filluan të bëheshin më të ashpra, më brutale. Më thoshin gjëra të çuditshme dhe ndërronin ton duke shtuar. “Fol për të mirën e Partisë”! Dhe unë përgjigjesha: “Të cilës Parti? Unë kam qenë anëtar i partisë spanjolle, franceze, italiane gjer në ditët e para të çlirimit. Tani më thoni: pranon Partia Komuniste Shqiptare, të shpif dhe të akuzoj njerëz që s’kanë bërë gjë dhe që nuk i njoh”?! Shpesh, çekani rrihte këtu: të deklaroja se Mehmet Shehu, ka qenë agjent qysh në Spanjë! Nuk çuditesha, se shumë nga ata që kishin mbaruar Shkollën Teknike Amerikane, ishin arrestuar, si spiunë amerikanë

Shumë nga ata që kishin qenë të internuar ose të burgosur në Itali, ishin arrestuar, si spiunë. Dhe unë kujtoja atë mbledhje që bëmë në ishullin e Ustikës me grupet komuniste, me synimin që të merrnim ishullin, se përballë nesh, në Tunizi, ishte Armata Anglo-amerikane. Dhe kishim ndër mend të vrisnim rojat, të rrëmbenim një motoskaf e, të shkonim në Bizertë, t’u thoshim amerikanëve, të vinin të na shpëtonin. Unë e pranova këtë plan, por një shok nga Sllovenia, Dushan Kermau-neri, insistoi: jo! Dhe na bindi:

“Ja erdhën amerikanët e na shpëtuan, ku do të na shpien? Në një kamp të tyre në Afrikë. E, kur të kthehemi në atdhe, në u kthefshim, do të na akuzojnë si; spiunë të anglo-amerikanëve”! Na bindi, kishte të drejtë dhe ishte shumë i zgjuar. Jam i mendimit që llojet e torturave çnjerëzore, nuk duhet të shkruhen, se mund t’u shërbejnë diktatorëve, ose xhelatëve të tjerë. Por do të tregoj, për një shaka që bëra në atë skëterrë. Në derën e birucës sime, bënte rojë një nga Myzeqeja, mbiemrin e kishte Prifti.

Ai e lexonte gazetën me zë, sikur psallte në kishë, kështu që unë, pak a shumë merrja vesh se ç’bëhej. Ishte 10 Korriku, festa e Ushtrisë. Dëgjova rojat të bisedonin, në derën e birucës sime: “Si pihet birra, e ngrohtë apo e ftohtë”? U kishin dhënë një vozë të vogël me birrë për festë. Disa thoshin se pihet e ngrohtë, disa thoshin pihet e ftohtë.

Ai që lexonte gazetën sikur psallte dhe që më rrinte te dera, tha:

– A e pyesim këtë gazetarin, se ky di shumë gjëra…?!

U hap dera dhe pashë nja katër roja. Më foli roja i derës sime:

– Si pihet birra: e ftohtë apo e ngrohtë?

U thashë:

– Birra pihet e ngrohtë!

– Po si ta ngrohim? Kemi një vozë të vogël…!

– Vëreni në mes të oborrit gjer në drekë. Dielli i korrikut do ta bëjë valë. Pastaj pijeni…!

Dhe ashtu bënë. E vunë vozën në mes të oborrit gjer në orën 12. Pastaj e shpunë në sallën e ngrënies. E hapën me një hekur dhe ajo shpërtheu e spërkati tavanin, mezi e mbajtën përgjysmë. Dhe filluan ta pinin të përvëluar. Të gjithë nisën të villnin…! Kur e morën vesh oficerët, erdhën tek unë dhe më shqepën në dru, duke më thënë: “Sabotator! Na helmove rojat. Agjent”! Lëre mos e nga, ç’avaze më dolën më vonë! Mora vesh se, arriti puna gjer në ministri: “Agjenti Petro Marko, desh na helmoi rojat e burgut”!

Pastaj, pasi mbyllën derën, duke më lënë të shtrirë në çimento, ata këndonin këngët internacionale, që u kënduan gjatë Luftës, që i kisha përshtatur unë në shqip dhe që më pare, mësoheshin në burgun e Tiranës, pastaj shkonin në Pezë, e pastaj tek të gjithë partizanët, si: “Pararoja”, “Fusha, ju fusha”, “Kominterni”, “Kënga e shoqes”, e shumë e shumë të tjera, që mobilizuan rininë në luftë. Ato ishin këngët e Brigadave Internacionale.

Më hoqën nga ajo birucë dhe më çuan te një tjetër.

Presioni vazhdonte. Më varën te hekurat e dritares dhe më vunë në supe, një zinxhir nja pesëdhjetë kile, kështu që duart e mia, të lidhura me zinxhir, mbanin peshën e trupit tim dhe të zinxhirit. Nuk durohej dot, kjo lloj torture. Më këputeshin duart, më dukej vetja sikur digjesha në flakë. Aluçinacione fantastike: Më bëhej sikur vinte gruaja ime Safo, me një gotë aranxhatë dhe kërkonte të ma afronte te buzët…! Hapja sytë: një furtunë e madhe në birucë, sikur kërkonte të shkulte hekurat e dritares. Kjo torturë vazhdonte. Vinte hetuesi me një deklaratë: “Nënshkruaje, të shpëtosh! Je i ri. Ke një nuse të re që të prêt te dera…”!

Unë nuk para u besoj ëndrrave, por ka raste që më dalin: kur shikoj në ëndërr vezë, do të kem ndonjë mërzi të madhe; kur shikoj në ëndërr dru, do të marr para; kur shikoj në ëndërr sikur lahem në det, do të sëmurem e të tjera. Kur isha i varur dhe më dilnin para sysh hije e skelete njerëzish, pashë bashkëfshatarin, tim Petro Kokën, sikur m’u afrua dhe në dorë kishte një paketë me karamele amerikane. Kur hapa sytë, mendova: mërzi të madhe do të kem. Për çudi, pas pak hyri në birucë hetuesi im, me një letër të shkruar në dorë dhe më tha: “Po e nënshkrove këtë, do të t’i heqim zinxhirët…”! Dhe e lexoi:

– I nënshkruari Petro Koka, deklaroj se Mehmet Shehu, ka qenë agjent qysh në Spanjë…!

E vështrova mirë dhe i thashë:

– Po! Këtë deklaratë e nënshkruaj…!

Hetuesi më hoqi hekurat, më liroi dorën dhe nënshkrova: Petro Koka. Ai, sapo e mori, e tundi në ajër dhe, duke dalë në korridor, thërriste: “E mposhtëm dhe revolucionarin e Spanjës…”

Erdhën me vrap shumë hetues dhe të gëzuar më thoshin:

– Pse të vuaje?! Ta kishe nënshkruar që më parë…!

Mirëpo, kryehetuesi, e mori në dorë deklaratën dhe si i tërbuar thirri:

– Ç’ke nënshkruar këtu, Petro Koka! Kë gënjen? Me kë tallesh? – dhe më zhdëpi në dru. Pasi mblodha veten, hapa gojën:

– U bënë gjashtë muaj që më torturoni, dhe ende nuk e dini se cili jam! – Përsëri filluan me shkelma dhe përsëri më varën te dritarja.

Dëgjoja përballë meje, një shkodran që e torturonin keq, pastaj, kur iknin hetuesit, ai qeshte me të madhe dhe thoshte: “Po të venë këta në Evropë, do të bëhen milionerë, se unë, kur erdha këtu, isha tullac dhe tani jam me flokë kaçurrelë…! Kushedi sa do të paguanin tullacët e botës, që të torturoheshin këtu si unë, e pastaj, t’u mbinte floku në kokë”!

Një ditë hetuesit më nxorën nga biruca dhe më çuan në një zyrë. Më vunë përpara një deponim, ose më mirë një akuzë shumë të rëndë. E lexova dhe me aq fuqi sa më kishte mbetur, nga ata muaj torture, qesha. Bëhej fjalë për një propozim, që më ishte bërë mua, hapur, me zë të lartë, në mes të të gjithëve, në një tryezë, për të pranuar që të bëhesha agjent i amerikanëve. Mua m’u kujtua në çast ky propozim.

 

Ma kishte bërë një gazetar amerikan, për t’u bërë agjent shtypi nga Shqipëria, për gazetën ku punonte ai. Atëherë iu thashë hetuesve: “Si mund të besoni ju një absurditet të tillë? Si mund të më propozohet kaq hapur, me zë të lartë, në prezencën e njëzet e ca vetave, që të bëhem spiun i një fuqie të huaj? Ky është kulmi i ligësisë dhe i injorancës”! Kaq thashë dhe më kthyen përsëri në birucë. E gjeta menjëherë se kush ishte ai që e kishte bërë deponimin.

“Kur Asllan Ypi, që kishte studiuar në Francë, e kishte parë Enverin te Kafe ‘Flora’ dhe i kishte thënë; po ti, çdo

 “Kur Asllan Ypi, që kishte studiuar në Francë, e kishte parë Enverin te Kafe ‘Flora’ dhe i kishte thënë; po ti, çdo

Pyetje: – Cila ka qenë skena më e rëndë që të ka tronditur më shumë në birucë?

Përgjigje: – Në atë birucë, e treta nga e djathta e katit të parë, isha varur te dritarj a me zinxhirin e rëndë në qafë, që më bënte si Atlasin, që mbante në kurriz globin; veçse unë s’mbaja globin e vërtetë tokësor, por globin e mundimeve, aq sa më dukej vetja, në zjarr e furtunë, sikur vija vërdallë një ujëvare gjigante flakësh. Vetëm kur kërciste dera që hapej, hapja dhe unë sytë e, përqendrohesha për të parë se cili hetues do të hynte, si xhelati me vdekjen në dorë. Një herë, ç’të shikoj? Vërvitën brenda birucës një njeri skelet, si Gandi, të zhveshur pothuaj fare, kockë e lëkurë. E flakën brenda me të shara, pastaj e mbyllën derën. Mblodha të gjitha forçat për të parë më mirë se ç’ishte ajo “leckë-njeri”; pas pak ai ngriti kokën, më pa dhe për çudinë time foli: “Edhe ju këtu, zoti Marko?! Unë kisha shpresë se ju do të ndërhynit për të më shpëtuar…”?!

Dhe u zhvillua ky dialog ndërmjet dy kufomave të gjalla: njëri varur te hekurat, tjetri përdhe si një leckë e hedhur:

– Po cili jeni ju?

– Nuk më njihni? Jam profesor Zuber…!

– Cili?!

– Zuberi. Ju kujtohet kur vajtëm në Shkodër, bashkë me Nako Spirun, zonjën tuaj dhe Andrea Xegën dhe hëngrëm një drekë të mirë në ishullin e Bunës? Ne shkonim në Koplik, për të parë se mos zbulonim burime uji.

Atëherë m’u kujtua profesor Zuberi. Andrea Xega, edhe ai gjeolog, dhe Nako Spiru, më treguan se cili ishte profesor Zuberi:

Një nga gjeologët më të mëdhenj të botës. Më pare, e mori Lenini për të zbuluar puset e Bakusë – ku i kishin ngritur dhe një bust – pastaj, për aftësitë e tij të jashtëzakonshme, e angazhoi Shoqëria Anglo-persiane, për të studiuar pellgun e Lindjes së Mesme (Gjirin Persik, Arabinë Saudite, Irakun, Iranin). Ai punoi shumë vjet dhe qe i pari që bëri hartën gjeologjike të asaj zone. Sot, në gjithë botën, gjeologët i kanë si udhërrëfyese zbulimet dhe traktatet e tij gjeologjike për atë zonë, që doli më e pasura në botë për naftë. Punoi shumë vjet dhe, pasi i kreu të gjitha punët, Shoqëria Anglo-persiane, e dërgoi në Shqipëri.

Ai erdhi këtu dhe punoi, bëri hartën e parë gjeologjike të Shqipërisë. Shoqëria në fillim nisi punimet në Kuçovë, ku doli nafta e parë, por, pasi ajo naftë përmbante shumë squfur, Shoqëria Anglo-persiane e la dhe ia shiti Italisë së Musolinit, që vuante për karburante. Filluan nga puna italianët; Zuberi zbuloi dhe Patosin. Italianët, kishin shtrirë një tubacion nga Kuçova e, gjer në Ujë të Ftohtë të Vlorës, ku vinin çisternat e “Agip”-it, shoqëri italiane e naftës, dhe e shpinin për ta përpunuar në Itali. Zuberi, krijoi dhe muzeun gjeologjik në Kuçovë.

Gjatë Luftës, nga bombardimet e aviacionit anglo-amerikan, u godit dhe Kuçova dhe u vranë shumë njerëz, midis të cilëve dhe e shoqja e Zuberit.

Pas Çlirimit, Zuberi u thirr si këshilltar i Gjeologjisë, pranë Këshillit të Ministrave…! Dhe më 1945-ën, e njoha edhe unë në Shkodër. Ai më mbante mend, se e dinte që isha përgjegjës i gazetës “Bashkimi”, dhe kishte tentuar të më shkruante që ta shpëtoja e ta liroja, se e akuzonin për një sabotim në Kuçovë.

Dhe tani ja ku ishim të dy: ai i katandisur një grusht njeri, unë një skelet i gjallë, i ngarkuar me hekura.

Pyetje: – Tani që e kishe dhe një shok në birucë, a të lehtësoheshin vuajtjet?

Përgjigje: – I vetmuar, lodhesh së fluturuari në hapësirën e kujtimeve dhe të shpresave, kurse me një shok, jeton dhe lehtëson barrën e mundimeve shpirtërore. Kur jeton i rënduar nga hekurat, bëhen më të rënda mendimet dhe pesha e globit, që ke mbi kokë.

Me Zuberin, shkëmbenim ndonjë fjalë: ai, i shtrirë përdhe; unë, i varur. Ai murmuriste gjithë ditën dhe, pasi e pyesja se ç’murmuriste, thoshte:

– Tani jam duke bërë një leksion, për shkaqet pse disa zona janë të pasura me naftë, si ato të Lindjes së Mesme…! Tani jam duke u lutur, – ai ishte katolik dhe lutej.

E ngacmova dhe i thashë:

– Si ka mundësi, që një intelektual si ju, të besojë?

– Unë u besoj ideve që jetojnë dhe do të jetojnë për mijëra vjet. Ti i beson marksizëm-leninizmit…!? Por, a do të jetojë qindra ose mijëra vjet, kjo ideologji? Feja, ka një funksion shumë human dhe universal, ajo ka shumë vlerë për njeriun, se e bën më njerëzor, e bën më guximtar ndaj së ligës dhe i zbut plagët e shpirtit. Ja tani, kur unë i falem Krishtit, i them: edhe unë do të duroj dhe do të qëndroj si ti. Se ti na dhe shembullin për të buzëqeshur edhe para vdekjes. Pse njerëzimi beson? Se ka nevojë për burim shprese, për këtë burim humanizmi, për këtë ilaç qetësues, sidomos në rastet si ky yni, në të cilin ndodhemi tani.

Hynë në birucë dy hetues: njëri e ngriti Zuberin dhe e nxori jashtë birucës, tjetri ndenji me mua dhe më tha:

– Pa pyete këtë armik, a ka fiori toka shqiptare. Ai ka bërë hartën gjeologjike, por nuk ka shënuar gjëkundi, se ku ka flori…!

Unë qesha me vete dhe i thashë hetuesit kallp: – Po të kishte flori, për kë e ka fshehur? Po të ishte për italianët, do ta kishte shënuar!

Po të ishte për gjermanët, do ta kishte shënuar. Për kë e ka fshehur?!

– Këta agjentë… janë djallëzorë… Po ti pyete, se nuk ka mundësi që të mos ketë flori gjithë kjo tokë!

Përsëri unë qesha hidhur me vete dhe i premtova se do ta kryeja këtë “detyrë patriotike”, se kështu më tha ai: “është detyrë patriotike, kjo që po të ngarkojmë”!

Kur u kthye përsëri në birucë, Zuberi u shtri dhe qeshte.

– Pse qesh? – i thashë.

– Më shtrëngojnë të them pse nuk kam shënuar zonat ku ka flori toka shqiptare! Dhe unë u thashë se nuk ka. Ata më shkelmuan dhe më shanë “agjent i shitur”.

– Me të vërtetë, a ka flori Shqipëria?

– Po të kishte, unë patjetër që do ta kisha shënuar, si të gjitha mineralet e rralla. Në të vërtetë, ka në disa zona, por duhet njëzet herë më shumë fiori, për ta nxjerrë atë sasi. Këta janë injorantë. Unë, kur kam bërë hartën gjeologjike, e kam bërë si gjeolog dhe jo si agjent, ose spiun. Ç’janë këto që po dëgjojmë?!

Dhe përsëri mendimet dhe fantazia jonë morën drejtime të ndryshme. Burgu gjëmonte nga ulërimat. Përnatë merrnin e pushkatonin intelektualë të shquar, specialistë. “A e di? – më tha një ditë Zuberi. – Këtu, ja Enveri, ja Koçi, janë agjentë të huaj, besoj të Jugosllavisë. Se nuk lanë intelektual të gjallë, me qëllim që ata të sjellin të tyret”! Memorie.al

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?