Ministrja Anila Demaj duke raportuar ne komision
Ende nuk ka një datë se kur fermerët shqiptarë do të mund të përfitojnë nga fondet e IPARD, pas bllokimit që i është bërë nga BE, gjatë vitit 2023.
Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj e pyetur nga deputetja e PD-së Emilia Koliqi gjatë diskutimeve në komisionin e Ekonomisë mbi zhbllokimin e fondeve të IPARD ka deklaruar se para korrikut 2025 nuk mund të ketë zhvillime. Deri në këtë muaj tha Denaj do të zbatohet plani i veprimit me detyrat e lëna nga BE, për të garantuar monitorim dhe kontrolle për fondet e huaja.
“Ne po ekzekutojmë planin e veprimit për ndryshime të rëndësishme në strukturat në përmirësim të Agjencisë në Pagesave ABZHR, struktura është duke përfunduar, dhe një nga kërkesat shtesë ishte që strukturat të rrisnin kapacitetet për parandalime, për kontrolle dhe më shumë vëmendje për digjitalizimin e sistemeve. Këto po zhvillohen dhe po plotësohen me staf. Deri në korrik ne do të jemi në zbatim të planit të veprimit dhe pas muajit korrik ne do të jemi në gjendje të thërrasim DigiAgri për të dërguar dokumentet për IPARD 3”, tha Denaj.
Në korrik të vitit 2023 Bashkimi Evropian vendosi të pezullojë këtë mbështetje, për shkak se IPARD II u përfshi në hetime nga OLAF, për shkak të dyshimeve për keqmenaxhim të këtyre fondeve. Më pas rezultatet e hetimeve iu dorëzuan autoriteteve të Brukselit, ndersa OLAF zbuloi shumë parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të shumë projekteve. Në total programi IPARD II që i takon periudhës 2014-2022 ishte 94 milionë euro në total, nga të cilat 71 milionë euro ishin financime të BE. Ndërsa programi i tretë që i takon viteve 2021-2027, planifikohet në vlerën 112 milionë euro.
Lajmi kryesor:
Skema e TVSH-së në bujqësi shkakton debate në Komisionin Ekonomisë/ Braçe-Denaj: Ka 6 vjet që bëni studime! Ministrja: Gati ta rishikojmë tatimin
E.Gj//ReportTv.al