SPECIALE/ Kur e vjetra dhe modernia bashkëjetojnë në çarshinë e Gjakovës! Nga kutixhiu i fundit tek barku i 'ngrirë' i Kiara Titos dhe Xhensila Myrtezajt

21 Shtator, 13:44| Përditesimi: 21 Shtator, 14:12

  • Share

Gjakove- Është vetëm 1 km rrugë por me histori shumë të gjatë e të larmishme që shtrihet përtej shekullit të 15, kohë kur u themelua edhe qyteti i Gjakovës. Çarshia e Madhe ishte zemra e ekonomisë në qytetin e tregtisë dhe të mallrave i cili i shërbeu fshatrave përreth, zonës së Junikut dhe zonës malore të Gjakovës në kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Asokohe numëroheshin rreth 525 dyqane në të cilat janë zhvilluar pothuajse të gjitha llojet e zejeve. Ruzhdi Qarri duket se është i fundit i familjes Qarri që prej 200 vitesh ka punuar kuti të njohura si paja e nuses, djepa e sëndukë.

71 vjeçari, nga Gjakova, prej moshës 15 vjeçare, merret me punimin e djepave të drurit të ilustruar me ngjyra e lule të ndryshme.

Zanatin e ka trashëguar nga paraardhësit, të cilët e kanë mësuar në Shkodër.

'15 vjeçar kam qenë i specializuar për me dizajnuar. Jam një ndër ato që ndoshta kam dizajnuar pak ma bukur. Kanë qenë 22 kutixhi zdrukthëtarë në Gjakovë që i mbaj mend unë!'- u shpreh artizani.

Ruzhdiu tregon se e hëna për shekuj të tërë ka mbledhur në Gjakovë tregtarët por edhe bujqit e asaj zone që ofronin për shitje artikujt e tyre, kryesisht ushqimorë e bujqësorë. 

“Është diçka me e veçuar se kutixhitë e Gjakovës kanë pasur një lloj organizimi që me i pas lakimi edhe pushtetarët sot. Kanë pasur sallën e vet, organizimin e vetë. Kanë pasur sindikatën. Në sullë axha jem ka qenë kryetari. Çdo ditë të hënë ka qenë ditë pazari në Gjakovë. Çdo të hënën i kanë ndarë fitimet dhe kanë dhënë urdhërat edhe sa me prodhuar.Zakonisht në kutia nuset kanë future pajën. Varësisht sa arka janë shitur është dhënë urdhri me punuar”.-tregon Ruzhdi Qarri.

Çarshia e Madhe në Gjakovë ndodhet në lagjen historike Mëhalla e Hadumit, ku gjendet xhamia më e vjetër e qytetit, Xhamia e Hadumit e cila daton nga shekulli i 15.

Në Pazarin e Madh janë zhvilluar pothuajse të gjitha llojet e tregjeve me qëllim përmbushjen e të gjitha nevojave të popullsisë së rajonit të Gjakovës dhe të eksportit si ato të përpunuesve të metaleve, përpunuesve të lëkurës, përpunuesve të tekstilit, leshi të bardhë,prodhuesit e qilimave etj. Përpunimi i metaleve përfshirë disa tregti shumë të rëndësishme për atë kohë, të tilla si armë, argjendar, prodhimet e enëve te bakrit teneqe punues etj.

Çarshia e vjetër është djegur dhe shkatërruar dhe më pas, u rindërtua pasi pësoi dëme gjatë luftës së vitit 1999. Pazari është i lidhur me qendrën e qytetit, vetëm pesë minuta larg, nëpërmjet Urës Islam Begu. Pazari mbulon një sipërfaqe prej rreth 65.000 m² dhe gjatësia e rrugës së tij kryesore është 1 km, me rreth 500 dyqane të vendosura përgjatë tij shumica e të cilave sot shërbejnë si kafene e restorante ndërsa traditat e zejeve janë drejt zhdukjes.

Ruzhdi Qarri përveç djepave punon edhe sofra e sëndukë, që masivisht janë përdorur deri në vitet pas 70-tës për pajën e nuseve. Sot fatkeqësisht këto punime blihen vetëm për suvenire.

“Neve na kanë thanë kutixhi përpara. Zdruktharë kutixhi. Ne kemi punuar kutia, sofra, magjë, djepa që janë përdorë në atë kohë ma tepër. Pas viteve 70-ta kutia, arkat e nuseve kanë rënë nga përdorimi me modernizimin. Unë tani vetit mund ti them djepe punues. Unë punoj djepa. Do sofra të vogla. Sofrat janë dalë prej përdorimit. Mënyrat e ngrënies kanë ndryshuar. Kuptohet ne përpara kemi ngrënë në sofra. Unë i punoj disa sofra të vogla për meze. Për zbukurim. Këtë djep që e shihni është djep I kaltër. Është specialiteti imi. Përndryshe në djepat i punojmë siç është ky djep i vogël me ngjyra portokall e të kuqe Kurse ky është i kaltër. Jam duke punuar disa arka ma të vogla për suvenire”, tha Ruzhdiu.

Gjatë viteteve të punës së tij si zdrukthëtar, Ruzhdiut nuk i kanë munguar as ofertat për të punuar në vendet aziatike, por kurrë nuk e ka menduar largimin nga Kosova e artizanët e tjerë të Gjakovës për të cilët flet me mallëngjim.

“Nga UNESCO më kanë kërkuar të punoj në Indonezi, Xhakartë, Tajlandë. Nuk kam qenë i interesuar. Më pëlqen me jetuar këtu. Më pëlqen me punuar këtë zanat. E dua fort. Ta kisha edhe një jetë tjetër prap e kisha punuar. “

Me një eksperiencë 56-vjeçare, punimet e Ruzhdiut janë ekspozuar në Itali e Kosovë. Ka marrë pjese edhe panaire kombëtare e ndërkombëtare ku ka marrë edhe vlerësime.

“Është interesante se të huajt e pëlqejnë shumë këtë zanat. Më vijën prej Australisë. Mblidhen mjekët e Evropës. Jo që vijnë me më pa mua. Po vijnë me pa zanatin. Qysh punojnë. Ata pallate kanë mjaft. Vijnë e interesohen se çfarë punoj unë me dorë.”, tregoi ai.

Por tradita e familjes Qarri duket se po përfundon me të pasi fëmijët, djali dhe dy vajzat e tij kanë marrë drejtime të tjera.

“Unë i kam dy vajza dhe një djalë. Djali ka kryer shkollën. Jeton në Prishtinë. Për vajzat nuk është ky zanat. Është interesant se askush nuk don me ardhë me mësu këtë zanat. Interesim nuk ka fare. Unë kam nja dy studenta të cilët nuk janë të intersum. Këtu duhet qeveria me ndërmarrë diçka nëse duan me i rujt këto zanate të vjetra. Ka dy shanse nëse qeveria me marrë diçka sa jemi të fortë. Se edhe unë jam mbi 70 vjeç. Jam i forte. Jam hala për punë shyqyr zotit. Punoj. Po më vjen keq.”

Keqardhjen e të vetmit kutixhi në pazarin e Gjakovës, mundohet ta zbusë Tina.

35-vjeçarja ka hapur dyqanin e saj përballë me atë të Ruzhdiut 71 vjeçar. Ajo nuk është trashëgimtare e asnjë zanati të vjetër por është e para e artit të saj të pazakontë: “ngrirjes së kujtimeve” në skulpturë.

“Është e vërtetë që shkollë arti nuk kam kryer. Jam autodiktate, gjithmonë kam qenë kureshtare dhe kurioze nga pjesa e artit. Me gjetë forma të ndryshme me eksperimentu. Unë i kam dy fëmijë dhe desha me pas diçka të prekshme për fëmijët e mi që në të ardhmen kur të rriten me pas një kujtim. Përshembull këmbën ose dorën e fëmijëve. Në këtë formë ja kam nisur. Ka filluar me u pëlqy të tjerëve, Gjithmonë ka pasur interesim dhe kërkesa”, tregon Tina.

Subjektet, ajo i formëson, i ngrin me anë të teknikës së modelimit. Ishte 12 vjeçare kur zbuloi pasionin për art teksa krijonte punime me llaç në “Erenik”, lumi i qytetit të saj të lindjes.

“Arti gjithmonë më ka pëlqyer. Më shumë kam qenë e interesuar nga skulptura,piktura.Rreth 12 vjeçe, ja kam nisur punimet e para.”

Filloi me krijimin e aksesorëve e punimeve të ndryshme me dorë. Pasionin e saj nuk e ndalën as paragjykimet.

“Normale në çdo vend të vogël paragjykohet një femër. Ka pasur paragjykime por mua nuk më kanë penguar. Unë përsëri kam vazhduar ta realizoj qëllimin tim”.

Tina ka gjetur mbështetje të fortë nga bashkëshorti i saj. Ai është furrtar. Me punën e Tinës kanë një gjë të përbashkët. Përgatitjen e brumit. Ai për bukën ndërsa Tina për skulpturat.

“Ai është shumë përkrahës i madh për çdo gjë në familje. Sigurisht edhe për pjesën artistike time. Jam shumë mirënjohëse sepse jo çdo kush mundet me kuptu botën teme. Jo çdo kush mundet me kuptu qysh shprehem unë na ana artistike.Se ka pasur shumë paragjykime në të njëjtën kohë. Mua nuk më pengon. Jam shumë falenderuese që më respekton shumë. Më jep shumë ide dhe diskutojmë shpesh”.

Arti i saj janë skulpturat dhe çdo gjë që e bën të shprehë veten. Kaltrina Hoda nga Gjakova tregon se kërkesat janë të shumta. Ajo na zbulon se ka Kiara Tito dhe Xhensila Myrtezaj kanë ruajtur në allçi barkun e rrumbullakosur gjatë pritjes së ëmbël.

“Për mua të gjithë janë klienta.Nuk mund ti ndaj në kategori.A janë VIP-a apo jo VIP-a.Për mua të gjithë janë të gjitë klienta që unë i respektoj.Ka qenë Xhensila.Kemi qenë në shtëpinë e saj. Kemi punuar barkun sa ishte shtatëzane. Ishte edhe Kiara Tito që I kemi bo barkun sa ishte shtatëzane.ka kërkesa të ndryshme prej VIP-ave”.

Të gjitha punimet janë të personalizuara. Kërkesat vijnë nga familjarë e çifte për të bashkuar duart, për të ruajtur përmasat e këmbës apo dorës së të porsalindurve. Si të gjithë punimet artizanale edhe arti i Tinës ka kryefjalë pasionin dhe dashurinë.

“Si çdo punë që duhet me u bo me marak siç thonë. Me përkushtim dhe me shumë dashni. Merr pakës kohë.2 deri në 3 javë. Ndonjëherë 1 muaj nëse është ndonjë punim që lyp më shumë dedikim dhe më shumë përkushtim”.

Cilët janë klientant më të intersuar,meshkujt apo femrat—“Më shumë femrat. Meshkujt noshta janë më të hezitumë. Ju vjen marre (qesh)”’.

Punimet e dala prej duarve të saj janë të larmishme. Ato kanë marrë vëmendje në ekspozitat e hapura jo vetëm nga artdashësit por edhe nga qeveria e Kosovës.

“Kam pasur një ekspozitë për personat e pagjetur në Kosovë. Ka patur shumë bujë në 2021. Njëra prej punimeve është blerë prej Qeverisë së Kosovës. ndjehem shumë e vlerësuar se ai punim ka shkuar në Portugali. Është vlerësuar shumë si punë artistike”.

Artin e ngrirjes së kujtimeve Tina po i a trashëgon edhe vajzës së saj 8 vjeçare.

“Shumë ka qejf vajza që është 8 vjeçe. Shumë herët ja ka nisur edhe ajo me u shpreh nga ana artistike. Dhe I pëlqen jashtëzakonisht shumë. Si të vjen në atelie ka qejf me pikturu”.

Këto dy histori vijnë nga Çarshia e madhe e Gjakovës. Kaltrina dhe Ruzhdiu i përkasin brezave të ndryshëm por flasin me të njëjtin pasion për punën që del prej duarve të tyre.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?