Memorie.al publikon historinë e panjohur të Ansamblit Artistik të Ushtrisë Popullore të Shqipërisë, i cili në 1965-ën udhëtoi nga Tirana në drejtim të Vietnamit të Veriut, ku për tre muaj dha shfaqje për “vëllezërit” vietnamezë që luftonin kundra amerikanëve. Kujtimet dhe ditari i Osman Dylgjerit, ish-përgjegjës seksioni pranë atij ansambli, për turneun dhe 8 pjestarët e grupit, të cilët si komunistë, dolën vullnetarë për të dhënë koncerte në vijën e frontit, atje ku bombat e amerikanëve binin si breshër
“Zift, vajguri dhe këngë”. Kjo ishte e gjithë ndihma internacionaliste që Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës i ofroi falas popullit “vëlla” të Vietnamit të Veriut, në periudhën e miqësisë së ngushtë midis tyre, në vitet ’60-’70-të, kur nën udhëheqjen e presidentit Ho Shi Min, vietnamezo-veriorët luftonin kundër amerikanëve. Edhe pse ishte një ndër vendet më të varfra të Europës, qeveria komuniste e Tiranës nuk nguroi t’ju gjendej “vëllezërve” vietnamezë me ato që i ndodheshin: zift për izolimin tuneleve, dhe vajguri për pishtarët që u duheshin për të lëvizur në errësirën e tyre. Pas vendimit të Byrosë Politike të K.Q të PPSH-së, e cila ngarkoi për zbatim Kryesinë e Këshillit të Ministrave, nuk vonoi që drejt vendit komunist të largët aziatik, të niseshin dy vaporrët e parë me bitum nga minera e Selenicës, vajguri nga puset e Kuçovës dhe Ansamblin Artistik të Ushtrisë Popullore, i cili do të jepte shfaqje jo vetëm në disa qytete të çliruara Vietnamit, por deri në vijën e frontit, atje ku bombat e amerikanëve binin si breshër mbi kokat e ushtarëve vietnamezë. Ndërsa për “ndihmën e madhe” ekonomike që Shqipëria komuniste i ofroi popullit “vëlla” vietnamez, në atë kohë shkroi gjatë dhe i bëri një jehonë të madhe gazeta “Zëri i Popullit”, për turneun e Ansamblit Artistik të Ushtrisë Popullore, na njohin edhe kujtimet, fotot, distinktivat, posterat, fletë-palosjet, albumet e ditari i Osman Dylgjerit, ish-përgjegjës seksioni pranë atij ansambli, të cilat ruhen me fanatizëm të madh nga familjarët e tij, si relike të rralla e kujtim nga një kohe e shkuar. Familjarët e Dylgjerit na dëshmojnë për herë të parë ekskluzivisht për Memorie.al, të gjitha ato që dinë e mbajnë mënd nga rrëfimet e pakta të babait të tyre, i cili ka vite që nuk jeton më.
Turnetë e para jashtë vendit të Ansamblit
Ansambli Artistik i Ushtrisë Popullore i cili ishte krijuar që pa mbaruar ende lufta në vitin 1944, duke dhënë shfaqjet e para në Lavdar të Korçës nën drejtimin e mjeshtrit Gaqo Avrazi, turnetë e para jashtë vendit i bëri në fillimin e viteve ’50-të. Në atë kohë në kuadër të një programi të miratuar nga Byroja Politike e K.Q të PPSH-së, ai ansambël udhëtoi dhe dha shfaqje në disa qytete të vendeve të “Demokracive Popullore” (siç vetëquheshin në atë periudhë vendet e Lindjes komuniste) si: Moskë, Pragë, Konstancë etj. Disa vite më vonë, në viti 1955, për Ansamblin e Ushtrisë do të nisnin edhe turnetë e udhëtimet e tjera, më larg Europës. Drejt Lindjes së largime në Kinë, Kamboxhia, Laos, Vietnam dhe Kore e Veriut. Këto turne zgjasnin zakonisht nga tre deri në gjashtë muaj, dhe udhëtimi për në drejtim të këtyre shteteve komuniste zakonisht bëheshin me anijen “Vlora”, udhëtim i cili zgjaste nga 18 deri në 22 ditë. Kishte raste kur udhëtimi bëhej edhe me avion deri në ish-Bashkimin Sovjetik, dhe më pas nga Moska udhëtohej për ditë të tëra me tren. Gjatë atyre udhëtimeve nga Moska në Kinë, si rezultat i mungesës së fondeve, shpesh herë artistët shqiptarë detyroheshin të ushqeheshin keq. Ata udhëtonin të veshur civilë dhe në bagazhet e tyre mbanin uniformat ushtarake të ansamblit me gradat përkatëse. Ndër pjestarët kryesorë të Ansamblit të Ushtrisë që merrnin pjesë rregullisht në ato turne, ishin këngëtarët e kompozitorët e mirënjohur, ku shumë prej tyre “Artistë të Popullit”, si: Gaqo Avrazi, Mentor Xhemali, Spiro Kristo, Avni Mula, Xhevat Dalipi, Pandi Peleshi,Ibrahim Tukiçi, Hysen Koçia, Shaban Maleshka etj.
Turneu sekret në Vietnam në 1965-ën
Nisur nga fakti se: Vietnami i Veriut, Kamboxhia apo dhe Laosi, në atë kohë ishin në luftë, turnetë e Ansamblit të Ushtrisë Popullore të Shqipërisë në këto shtete, mbaheshin tepër sekret. Dhe në të gjitha udhëtimet bëheshin në ato vende, pjestarët e tij nuk duhet të tregonin në asnjë mënyrë qoftë dhe njerëzve të familjeve të tyre, të cilëve kishin porosinë e prerë t’u thonin: po shkojmë për turne në Kinë. Këtë gjë e konfirmojnë edhe pjestarët e familjes së Osman Dylgjerit, të cilët shprehen: “Në atë kohë ne si familje e dinim që ata do të shkonin në Kinë, dhe shumë vjet më vonë e kemi mësuar se Osmani dhe pjestarët e tjerë të ansamblit kishin shkuar në Vietnam”. Sipas atyre që u ka treguar Osmani vite më vonë, pas mbërritjes në Kinë, autoritetet kineze merrnin përsipër futjen e pjestarëev të ansamblit në mënyrë klandestinë në territorin e Vietnamit të Veriut. Ashtu si në Kinë kur artistëve shqiptarë vazhdimisht iu bëhej një pritje madhështore dhe tepër e ngrohtë, duke filluar nga kryeministri Çu En Lai, Çu De, Ten Sia Pin, etj, edhe në vizitën e bërë në Vietnamin e Veriut, pjestarët e Ansamblit të Ushtrisë Popullore të Shqipërisë u pritën fillimisht në Hanoi, nga vetë presidenti komunist i vendit, Ho Shi Mini, i cili e konsideroi si një ngjarje jashtëzakonisht të madhe, vizitën e artistëve shqiptarë në vendin e tyre. Jo vetëm në Hanoi, por në të gjitha qytetet e Vietnamit të Veriut ku shkuan artistët shqiptarë, u pritën mjaft ngrohtë dhe atyre iu rezervohej një pritje madhështore nga populli dhe autoritetet e larta shtetërore.
Pjestarët e ansamblit në punë me vietnamezët
Gjatë atij turneu (në 1965-ën) që Ansambli i Ushtrisë bëri në Vietnam, autoritet vietnamezo-veriore i dërguan ata për të parë e vizituar mjaft provinca, qytete, fshatra, qëndra pune e prodhimi, shkolla, kopshte, çerdhe, ferma bujqësore etj. Pas një koncerti të dhënë në qytetin Hua Jong, artistët shqiptarë i dërguan për të parë një avion amerikan të rrëzuar nga luftëtarët vietnamezë, i cili ishte objekt pelegrinazhi edhe për shumë vizitorë të tjerë, miq të vietnamezëve. Në fotot e shumta që disponon familja e Osman Dylgjerit nga ai turne, është edhe ajo ku duken pjestarët e ansamblit duke pozuar me një vajzë të re, e cila me një pushkë të vjetër kishte rrëzuar dy avionë amerikanë. Prapa asaj fotoje Osmani ka shënuar se për atë xhest të madh patriotik, ajo vajzë ishte shpallur “Heroinë e Vietnamit”. Nisur nga fakti se Ansamblit të Ushtrisë Popullore të Shqipërisë i takonte të qëndronte deri në tre muaj në Vietnam, disa nga pjestarët e tij që ishin antar partie (komunistë) sipas rregullave të organizatës bazë të partisë, ata duhet të bënin punën fizike një muaj në prodhim. Dhe sipas këtyre rregullave, jo vetëm Osman Dylgjeri, por edhe disa prej pjestarëve të tjerë të ansamblit, emra të njohur të muzikës popullore, operistike, shqiptare ndër vite, të nderuar me titullin “Artist i Popullit”, si: Mentor Xhemali, Ibrahim Tukiçi, Hysen Koçia, Avni Mula etj, krahas koncerteve që bënin në fshatra dhe qytete të ndryshme të Vietnamit, punonin për një muaj në mes orizoreve apo komplekseve të blegtorisë në fshatrat vietnameze, dhe në fund merrnin nga brigadierët edhe vërtetimin që ata i kishin kryer të plotë ditët e punës fizike. Kjo gjë konfirmohet më së miri edhe nga disa foto që ruan familja e Osman Dylgjerit, ku duken artistët e njohur shqiptarë duke punuar në mes orizoreve të fshatrave vietnameze.
Koncert në vijën e frontit, mes bombave
Sipas dëshmive të familjarëve të Osman Dylegjerit, pas shumë shfaqjesh të dhënë gjatë atij turneu në Vietnamin e Veriut, tetë pjestarë të ansamblit që ishin antarë partie, duke përfshirë dhe vetë Osmanin, si komunistë që ishin, morën nisiativën dhe dolën vullnetarë që të shkonin në vijën e parë të frontit, për të dhënë shfaqje për luftëtarët vietnamezë që përballshin çdo ditë me rrebeshin e plumbave dhe bombave të amerikanëve. Nisiativa e tyre për të qenë në ballë të sakrificave në frontin më të vështirë, u prit mjaft mirë nga “vëllezërit” vietnamezë, të cilët filluan t’u jepnin arstistëve shqiptarë edhe udhëzimet e instruksionet e nevojshme se si duhet të vepronin atje në frontin e luftës ku bombat e plumbat e amerikanëve binin si shi. Si fillim, krahas veglave muzikore që ata kishin me vete, vietnamezët u dhanë atyre edhe të gjitha paimet e nevojshme ushtarake të luftës, duke i mësuar se si të ambientoheshin me jetën e kazermës. Në ato paime, ndodhej edhe paketa e ndihmës së shpejtë mjekësore, pasi në kasollet me kashtë ku ato do të jetonin për disa ditë, kishte shumë gjarprinj, hardhuca e insekte helmues mjaft të rrezikshme, që po të pickonin kishin pasoja vdekjeprurëse. Pasi u dhanë paimet e nevojshme, vietnamezët u bënë instruksionet e nevojshme se si t’i përdorin ato. Në paketën e ndihmës së shpejtë ishin disa tartabiqe të thata të futura në kuti shkrepse me pambuk, të cilat, sipas udhëzimit, artistët shqiptarë duhet t’i hanin po të pickonte miza. Pas shumë përgatitjeve dhe instruksioneve, tetë artistët shqiptarë të Ansamblit të Ushtrisë, udhëtuan në drejtim të vijës së frontit ku për disa ditë, dhanë disa shfaqje për luftëtarët vietnamezë. Kjo duket qartë edhe në disa foto të albumeve të Osman Dylgjerit, njërit nga tetë komunisët e atij ansambli, të cilët ndërmorën nisiativën dhe njëkohësosht aventurën e rrezikshme për të kënduar në xhunglat e Vietnamit. Për atë heroizëm që treguan ata në kuadrin e ndihëms internacionaliste ndaj “vëllezërve” vietnamezo-veriorë, Ansambli i Ushtrisë Shqiptare u dekorua me medaljen më të lartë që jepte Fronti Popullor i Vietnamit, ndërsa pas kthimit në Tiranë, Ansambli u dekorua nga Kuvendi Popullor me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë.
Grupet artistike që shkonin në Vietnam, kamufloheshin si specialistë të Metalurgjikut
Gjatë gjithë periudhës që regjimi komunist i Enver Hoxhës mbajti marrëdhënie të ngushta me Vietnamin e Veriut, delegacionet e ndryshme nga Tirana që shkonin herë pas here në vendet e largëta komuniste në Jug-Lindje të Azisë, si: Kinë, Kamboxhia, Laos, Vietnam e Korenë e Veriut, udhëtonin kryesisht me avion, duke kaluar transit nga ish-Bashkimi Sovjetik, ku më pas merrnin trenin dhe udhëtonin për ditë të tëra në drejtim të Lindjes së largëme. Por pas fillimit të viteve ’60-të, kur Tirana zyrtare i ndërpreu marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, ky itinerar nuk mund të funksiononte më si më parë, kur në mes dy vendeve ishte një periudhë e artë. Kështu që nga ajo kohë e deri në vitin 1978 kur Shqipëria komuniste i prishi përfundimisht marrëdhjëniet edhe me Kinën komuniste të Mao Ce Dunit, të gjithë delegacionet e ndryshme (duke përjashtuar ato të udhëheqjes së lartë të PPSH-së që njiheshin), kryesisht ato të grupeve të ushtarakëve, por edhe të inxhinierëve, specialistëve dhe ato artistike që niseshin nga Tirana për në Kinë, Laos, Vietnam e Korenë e Veriut, detyroheshin të kamufloheshin si specialistë të metalurgjikut, për të mos pasur probleme gjatë udhëtimit të tyre transit nëpër Bashkimin Sovjetik.
Kujtimet e Osman Dylgjerit: “Gjatë turneut në Malësi të Shkodrës, raportuam për Vietnamin”
Krahs turneve që Ansambli Artistik Ushtrisë Popullore bënte asokohe nëpër vendet mike të Shqiprisë komuniste, si në Kinë, Kamboxhia, Laos, Vietnam apo Korenë e Veriut, pothuaj gjatë gjithë vitit ai bënte turne të ndryshme edhe brenda vendit, kryesisht në zonat e thella kufitare ku jepnin shfaqje për kufitarët dhe kooperativistët e atyre zonave,raportonin edhe për turnetë që kishin bërë jashtë shtetit, në vendet mike të Shqipërisë komuniste. Lidhur me këtë bën fjalë edhe ditari i udhëheqësit artistik të Ansamblit të Ushtrisë, Osman Dylgjerit, i cili ka mbajtur me një përpikëmri të habitshme të gjitha koncertet që janë dhënë nga ai ansambël në zonat kufitare të Shqipërisë, ku janë të shënuara edhe se sa ka qenë numri i spektatorëve që kanë ndjekur ato shfaqje. Për këtë gjë në ditarin e tij, midis të tjerash, Dylgjeri ka shkruar: “Në orën 17.00 në Vermosh fillojmë nga çfaqja. Në çfaqje morën pjesë rreth 350 veta. Kishte kufitarë, fshatarë dhe pionerë. Patëm mjaft sukses. Fshtarai Gjek Martini u shpreh: Paçi faqen e bardhë, dhe ju kjoftë buka hallall o burrat e dheut. Para çfaqjes, komanda e kufirit për nderin tonë organizoi një piknik ku ishim bashkë me familjet e tyre. Kishim për të ngrënë nga të gjitha të mirat, duke filluar nga djathi, pulat, mishi i qengjit e deri tek bakllavaja dhe revania. Bashkë me to kaluam dy orë. U ngritën dolli për Partinë,sh. Enver dhe për ansamblin tonë. Në darkë bëj një bisedë me fshatarët, oficerët dhe familjet e tyre. U flas për luftën në Vietnam dhe për sukseset e industrisë kineze. Ndejtëm deri në orën 23.00. Më falënderuan për këtë bisedë të ngrohtë familjare”.
Shokë foli Mao Ce Duni
- Shokë do t’u them dy fjal’
që nga zemra na kan’ dal’
fjalët që do t’u rrëfej,
ngritur jan’ në fshatin Zhej.
Rrahën telat an’ e mbanë,
ç’tha Mehmeti në Tiranë
dhe partia jonë e ndritur
për traktatin e fëlliqur.
të lumtë moj Parti fjalën plumb,
fjalën-plumb ç’ e paske ti
- Por armiqtë që s’e pritnë,
Nga ky lajm fort u tronditnë
Tradhëtarët cipërrjepur,
Janë bër’ një stan me lepur
Ne ua plasmë m’u në mes
me traktatin e pa bes
Dhe tani ta ata shkret
Ca si uq e ca si dhelpra
Mpleksin plane si gjithmonë,
Kosiginë dhe Niksonë,
Por të gjithëve syt iu plaçin
Dhe të keqen na e marçin
Se ne jemi kock e thikë !
- Lajmi tjetër botën tundi,
shokë foli Mao Ce Duni
Shqipërinë e kam në bes’ një fill
floku kush ta prek’
do tja bëj këmbët dyrek!
A të lumtë moj Parti
ç’mik të madh na fale ti
o ç’mik të madh o ç’mik të madh
na fale ti !
Revolucioni kultural-proletar
Teksti: Koço Uçi
Muzika: Gaqo Avrazi/Memorie.al