Foro nga 21 janari

Kur flet Strasburgu, 'ministri qimexhel' struket te kulla përballë Kryeministrisë!

19 Nëntor 2023, 22:47| Përditesimi: 19 Nëntor 2023, 22:49

  • Share

 -U rrokullisën 12 vite nga vrasja me plumba të shtetit e 4 protestuesve me duart në xhepa. Ua morën jetën grykat e zjarrit që derdhën breshërira në në penxheret(frëngjitë) e bodrumeve të Kryeministrisë. Ua morën jetë të paudhët e pamëshirshëm që lanë 8 fëmijë jetimë. “Vrasje të qëllimshme në emër të pushtetit”?! Vrasje mbi trotuare. Mbyllën sytë përgjithmonë Ziveri, Hekurani, Faiku e Aleksi. Mbylli sytë edhe “Drejtësia” që u kolovit në prehërin e vrasësve të armatosur e të paarmatosur. 12 vite që faji u bë qyrk dhe nuk e veshi njeri ! Prokurorë e gjyqtarë të gjunjëzuar (më saktë: mercenarë të pacipë), firmosën e vulosën papërgjegjshmërisht e poshtërsisht vendime të sakatepsura e përtej profesionalizmit të vërtetë. Se për ndershmëri as që bëhet fjalë. Historia e Jurisprudencës mban shënim. Por edhe opinionit të pezmatuar e të zhgënjyer nuk ia fshin dot memorien, e as lotët dëshpërues e pikëllues. Përshembull, kur shikoj portretin e paqtë të Aleks Nikës ose lotët rrëke të Arta Dades në një veprimtari përkujtimore, drithërohem i tëri. Vetëm kafshët mund të heshtin a të lehin për kocka pushteti. E mban mend ? 4 kolegë të tu i “pagëzuan” fët e fët…pucistë ! Arritën të prishin edhe ca prova në vendin e krimit, që nga fishekët e gjer te serveri i selisë ! Tani që foli qartë e prerë Strasburgu (Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut), nuk bëzajnë…Kur shikoj fytyrën pikë e vrer e rrudhashtuar të Mark Nikës(xhaxhai i Aleksit), që reflekton një durim sizifian, qetësi juridike e qytetare të pashoqe, sikur më bëhet një komb në grykë. Edhe ti e ke njohur atë burrë serioz e dinjitoz, që beson ende te Drejtësia ndërkombëtare por edhe te Reforma shqiptare, e konkretisht te SPAK-u. Fjala është që rezilët të mos marrin më krahë…

                        Duke dëgjuar mikun tim devolli, syri më zuri një titull gazette, marrë nga goja e një ish ministri për Marrëveshjen e Ramës me Melonin: “Ka shkelje të të drejtave të njeriut”. Po kujt i dhemb shpirti dhe nuk e zë gjumi për këto të drejta ? As ua merr mendja. Është dora vetë, ish Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për 21 Janarin e zi ! Vërtet Komision qesharak e ulërak, por Kryetarit i fali me katapult një post qeveritar të rëndësishëm: Ministër Drejtësie ! Si u mbars e c’farë polli kjo farsë shërbëtorësh faqezinj ? Disa gjëra dihen. Por jo të gjitha brockullat “juridike” të Eduard Halimit me shokë.(Përse nuk botohen në media të dy raportet: Ai i Prokurorisë dhe ai që mban etiketën “Halimi” ?! Në cilën kasafortë i mbajnë dhe kujt i shërbejnë ? Transparencës jo e jo…). Të abuzosh me gjakun dhe jetën e 4 të vrarëve e dhjetra të plagosurve, nuk është njëlloj sikur të blesh a marrësh me qera zyra luksoze te Kullat përballë Kryeministrisë. Disa hapa afër vendit të masakrës dimërore politike. E tha bukur kolegu ynë analist: 21 Janari nuk është vrasje me ligj ! Përkundrazi. “Është vrasje kundër gjithë ligjeve dhe mbrojtje nga ndëshkimi duke shkelur të gjitha ligjet”. Mjaft pyetje mbetën varur, pa përgjigje sot e gjithë ditën.

                        Së pari, ky Kryetari e “ministri qimexhel” e “superekspert” a do të thirret ndonjëherë për t’i marrë minimalisht dëshmi ? Sepse është pehlivan dhe usta nga më kryesorët që mbushi dosjen e Komisionit Parlamentar për atë ngjarje kriminale. C’nuk gatuan e c’nuk mashtruan, por gjurmët mbeten e s’shuhen dot ! Pa llogaritur këtu akuzat dhe etiketimet e cartallosura ndaj Presidentit të Republikës, Prokurores së Përgjithëshmë, ish Kryetarit të Opozitës, Gazetarëve etj.

 

                        Së dyti, ky ish ministër milioner që prononcohet publikisht sa herë i cënohen mentorët e tij të vjetër e të rinj politikë, a do e hapë gojën ndonjë ditë për Gjykatën e Strasburgut ? Është jo pak, por gati 50 faqe material nga 7 gjyqtarë europianë ! Gjykatë që e tha shkoqur kërkesën ndaj Shqipërisë: “të identifikojë dhe ndëshkojë përgjegjësit për vrasjen e të afërmit të kërkuesve gjatë protestës së vitit 2011 përpara Kryeministrisë”. Cili është mendimi i tij ? Gojëkycja flet shumë përballë “kapjes së shtetit” për gryke ! Aq më tepër kur janë dy vrasje të pahetuara ende. Gjaku i Aleks Nikës nuk kërkon mëshirë. Kërkon drejtësi ndaj të pandëshkuarve.

                        Së treti, po ish gjyqtarët pasanikë të Gjykatës së Lartë, a do të thirren pakëz në SPAK ? Sepse, vec të tjerave, refuzuan apelin e Prokurorisë për cështjen. Kush u shit e kush u ble ? Kush fitoi nga gjaku i protestuesve të pafajshëm ? Fjala vjen, në vendimin e Strasburgut theksohet se “Gjykata nuk mund të pranojë argumentin se mbrojtja e një ndërtese në vetvete përbënte bazë legjitime për përdorimin e forcës vdekjeprurëse” etj.shkelje të Konventës përkatëse.

                        Së fundi, po Urdhëri për Zjarr, përse nuk është hetuar ende ? Apo do presim edhe 12 vite të tjera ! Pikëpyetjet nuk shterojnë. 8 jetimët dhe familjet e tyre presin përgjigje, jo marifete me cadra, shule pistoletash e ligje. Se mosndëshkueshmëria hap plagë të reja nga kjo vrasje politike te këmbët e selisë së Qeverisë.

                        Për këto e të tjera, mund të na sqarojë mirë “supereksperti”, ish Kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar dhe ministër Drejtësie “qimexhel”. Thirrja e tij në SPAK është domosdoshmëri, aspak fakultative. Si i dashuruar e i përgjëruar pas Transparencës, kam besim se do ndihmojë shumë. Nuk e di, a e takoi vajzën e Ziverit që sot ka diplomën e Juridikut apo fëmijët e Aleksit që sapo kishin dalë në jetë ? Thonë se është tepër i ndieshëm ndaj hallexhinjve, megjithse merret me “bizneset ndërkombëtare”. Madje sapo u ul në kolltukun e ministrit, shkarkoi dy punonjës me përvojë dhe i zëvendësoi duke emëruar dy sanitare të shtëpisë së tij jo dosido (?!). Pa përmendur vajtjen tek të burgosurit dhe foton virale me lugën e supës në gojë etj. bëma e karagjosllëqe qesharake. Gjer më sot, karakterin e tij të fëlliqur e ka përshkruar saktë ish Presidenti Topi në librin e vet… Se këta prototipa janë shërbëtorë të shumë zotërinjve me poste të larta në shtet, në parti e në pushtet. Nëse Lul Basha vazhdon të marrë mendjen e tij për probleme të ndryshme, me siguri do të ecë përpara. Më duket se dikur ka punuar edhe hetues e mund ta shpejtojë zbardhjen e 2 vrasjeve të pahetuara plotësisht. Pra, është me një thes përvojë(jo para). Dhe mund të pyesë edhe Doktorin që “nuk është pyetur asnjëherë për 21 Janarin”! 21 Janari që i theu brinjët Shtetit të së Drejtës. Ndërsa Opozitës i dha pushtet të merituar…

                        Sic pohon një jurist i mocëm aspak partiak, paanësia dhe ndershmëria në Drejtësi nuk janë përralla. Ruajuni nga gjysmë të vërtetat, sepse gjithë botën nuk e mashtron dot. As me miliona e as me kolltuk. E, vjen një ditë që, me kohë dhe budallai e thotë të vërtetën. Qoftë në kullat “binjake” të Tiranës, qoftë në ugaret minjmbajtëse të Maliqit të Korcës ! Nuk theksonte kot H. Ibsen, e Vërteta dhe Liria janë direkët e një shteti…

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Silvana: 18/12/2023 08:33

    Cdo shkrim qe shpalos problematika meriton vleresim ,per trajtimin dhe per guximin.

    Përgjigju
  • Tani: 20/11/2023 10:53

    Si gjithmone nuk zhgenjen kalemxhiu i realizmit neokomunist enveristo-ramist. Te tere i zhgarravin a do mare SPAK ne pytje Bashen apo Berishen??? Normalisht, duhet ti marre qe te dy si persona me dijeni e pergjegjes deri per vrasjet. Por jo vetem. Tellalli enverist harron "te tretin" qe organizoi dhe perfitoi nga gjaku i te reneve, ashtu si dhe aterit pas 45ses. Pra Ramen dhe pushtetin e tij te menderuar!

    Përgjigju
    • Zani Burimi: 20/11/2023 12:54

      Ore Tani, o asllan, po si nuk te vjen turp nga vetja qe derdh vrer? Po Rama nuk vrau ate 21 janar, ore tan djali!

  • Rei: 20/11/2023 08:33

    Bravo per shkrimin brilant që ke shkruar.po fshirësi i serverave a dotë thirret në SPAK për krimin që ka bo?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?