Kur francezët donin të privatizonin “Zërin e Popullit” dhe “Rilindjen Demokratike” për t’i bërë të pavarura

31 Janar 2022, 14:44| Përditesimi: 31 Janar 2022, 14:49

  • Share

Bashkë me nëntorin ’91, erdhi në Tiranë edhe zonja Robin.

E bukur – si pariziene. E fisme – në dejet e saj rridhte gjak blu (aristokrate). Ishte drejtore në shoqërinë SOCRESSE, e Grupit të Komunikimit Robert Hersnat. Ky grupim, ndër më të mëdhenjtë në botë, në vitin 1975 kishte blerë gazetën “Le Figaro” dhe dhjetëra gazeta të tjera, në Francë dhe jashtë saj. Në vitet ’90 ishte futur në tregun e mediave polake. Synonte të kapte edhe tregun shqiptar.

Bënte ftohtë për zonjëzën-ishte palca e dimrit. Ishte errësirë-jetonim edhe në shekullin e atomit, edhe në një skaj të Ilirisë.

Kishte uri parizienia, sepse e kërkonte supën e nxehtë! (Qiqra në hell, kur soba pa korrent ishte kallkan!)

I erdhi vërdallë Tiranës. Në krah kishte një djalë. Sa i ditur, aq edhe i bukur. Me origjinë nga Kruja. I lindur në Ulqin, banues në Sarajevë, i diplomuar inxhinier.

Kishte punuar, për llogari të amerikanëve, në ndërtimin e një hidrocentrali në Kuvajt.

Quhej Sadedin Dollaku.

Francezka ngjiti shkallët e “Zërit të popullit”. E priti kryeredaktori. Në atë kohë Përparim Xhixha. “Dua të bëjmë një ndërmarrje të përbashkët”. “Mersi!”-u përgjigj Përparimi. “Ne duam 70 për qind të aksioneve!” “Mersi!”- Përparimi. “Duam që gazeta, gradualisht, të bëhet e pavarur. Me orientim nga e majta.” “Mersi, – sa nuk thirri kryeredaktori, që nuk ia hante qeni shkopin për nuhatje në fushën e perspektivave.

“ Unë do të qëndroj në Tiranë një javë, – tha zonja Robin. – Au revoir!”…

“ Mirupafshim!”

Për fatin e keq të Përparim Xhixhës, Sadua kishte krushqi me Pandi Carapulin. Pandi ishte drejtor i drejtorisë mekanike. Nëndrejtor ishte Kriton Papa. Të dy miqtë e mi.

I thanë Dollakut të takonte edhe kryeredaktorin e “RD”-së.

Një ditë erdhën në redaksi.

Në fillim më tregoi për takimin me Përparimin. Më foli me hollësi, por pa entusiazëm. E nuhata. “ZP”-ja i kishte dalë nga zemra! Duke lënë mënjanë modestinë, dua të theksoj se, në atë kohë “RD”-ja ishte në zenit, kurse “ZP”-ja në krizën e saj më të thellë. Kjo ishte në favorin tim.

Më parë se të nisnim debatin, zonja e kolme hoqi dorezat. U fut në temë:

– T’i lëmë hollësitë. Ne kërkojmë 60 për qind të aksioneve. Ju kusurin.

– Duam më shumë aksione. Jemi të varfër!

– Po më habisni, zoti kryeredaktor! Për dy arsye. Së pari, nuk keni asnjë kapital. Populli juaj ka një fjalë të urtë: Edhe dhi e zgjebosur, edhe bishtin përpjetë! (Kishte të drejtë! Punonim në një ndërtesë, që i kishte dalë pronari).

Së dyti, unë kam gjetur një partner tjetër më të leverdishëm!

-Në qoftë se keni gjetur partner, pse trokitët në derën tonë?!

Qeshi. “O zot!”’ U shfaqën një palë dhëmbë si prej fildishi! “Bëjmë një skonto, -tha.- Ne 51 për qind, pjesën tjetër ju.” ‘Dakord!”-thashë dhe i zgjata dorën. Dora e saj nuk lëvizi. Imja, mbeti si kobure. (Nuk i mbajta mëri, sepse ishte bjonde) e ndërsa, dora kobure e mendja në dilemë, francezka hapi gojën:

– Për kureshtje: Ç’kapitale ofroni ju, zoti kryeredaktor?

– Bashkim Trenovën, sekretarin e kolegjumit, me gjithë mustaqe! Ja ku e keni! Mund ta merrni që sot!

Një pauzë. Përkthim. Një e qeshur melodioze… dhe dy duar e një palë buzë të kuqe, që u ngjitën pak majtas buzëve të mia! Çfarë nuk e zë të gjorin njeri, në këtë botë jallane, dhe nuk e përballon me vështirësi!

-Në fundjanar ju presim në Paris! Bashkë u kuptuam. Le të punojnë specialistët.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?