Kur libri ‘troket në derë’, biblioteka shëtitëse prek realitete të largëta gjatë Panairit në Korçë! Stendat plot në Qytezën e Fëmijëve, shkrimtari: Si prind u befasova!

29 Prill 2023, 15:27| Përditesimi: 30 Prill 2023, 08:11

  • Share

Për katër ditë rresht, Qyteza e Fëmijëve në Korçë u shndërrua në një odë të librit. Takime me shkrimtarë, promovime të autorëve të rinj, dallimet me gjuhën e librit u shkrinë lehtësisht në këtë Panair përtej Tiranës, që në qendër pati fëmijë e të rinj…

“Një veprimtari e cila gjeti të organizuar shkollat e ndryshme të Bashkisë Korçë, dhe me dashamirësinë e Zyrave Rajonale Arsimore u realizua nisma që në thelb kishte afrimin e fëmijëve, të rinjve, me librin”, shprehet Eris Rusi, shkrimtar dhe përkthyes.

Simbolika e bibliotekës shëtitëse, shkurtoi distancat e të rinjve me librin dhe e bëri qasjen më argëtuese… Libri shëtiti në Korçë, Ersekë, Devoll e të tjera qytete…

“Ideja e bibliotekës shëtitëse e cila erdhi falë bashkëpunimit të Institutit të Librit dhe Promocionit me Rrjetin Regjional për Diversitet Kulturor. Kështu u mundësua që një sërë veprimtarish të realizoheshin në zona të ndryshme të qytetit të Korçës, duke shkuar edhe në realitete të largëta. Duke shëtitur librin nga qyteti edhe në shkolla të vogla, në fshatra të ndryshëm të Bashkisë Korçë edhe Devoll, ku për çudi fëmijët mirëpritën faktin që këtë radhë libri u trokiste atyre drejtpërdrejtë në derë”, tregon Rusi.

Shkrimtari Eris Rusi tregon se, ndryshe nga ç ‘perceptohet, të rinjtë tregojnë entuziazëm për ngjarje të tilla të librit.

“Gjatë katër ditëve të këtij Panairi të Librit për Fëmijë edhe të Rinj, si shkrimtarë përkthyes, drejtues i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e re”, por edhe si prindi i një vajze të vogël jam surprizuar nga dëshira dhe nevoja e fëmijëve dhe të rinjve për t’u afruar me librin”, shprehet përkthyesi.

Stendat e librit plot me të rinj, siç thotë Rusi tregojnë nevojën për inkurajimin drejt përmes të tilla nismave, dhe pse jo, edhe teknologjia të vihet në funksion të nxitjes së leximit. 

“Këto hynë në një lloj sfide që i bëhet sot për sot edhe asaj dileme të madhe që është teknologjia, sepse ky panair libri tregoi që libri dhe teknologjia mund të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën”, thotë më tej.

Panairit të fëmijëve dhe të rinjve në Korçë iu përgjigjën disa prej shtëpive botuese, duke bërë të mundur që kjo ngjarje të kthehej në një festë të librit.

“Ne shpresojmë që iniciativa të tilla të kthehen në një lloj tradite në qytetin e Korçës po edhe në qytete të tjera, sepse ndoshta sot sfida është të gjejmë forma komunikimi me lexuesin, por nëse arrihet të krijohet një hapësirë komunikimi ashtu siç duhet padyshim që lexuesi do të tregojë interes do t’i afrohet edhe librave të autorëve shqiptarë dhe këto libra do t’i përvetësojnë për veten”, shprehet ai.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?