Barak dhe Michelle Obama

Alba Malltezi: Kur Michelle dhe Barak Obama flasin për dinjitetin në punë

31 Maj 2023, 16:54| Përditesimi: 31 Maj 2023, 17:02

  • Share

“Prej 22 vitesh punoj si pastruese e dhomave në hotel “Pierre” në Nju Jork. Kur them “Mirëdita”, shumë nga mysafirët e hotelit as nuk përgjigjen, por unë nuk shqetësohem. Ata kanë para’, vishen më bukur, por nuk janë më të mirë se unë”. Elba, një grua domenikane është një nga disa të intervistuarat nga Barak Obama në miniserialin prej 4 pjesësh në Netfliks, ku ish-presidenti dhe bashkëshortja e tij duan të bëjnë një pasqyrë dhe analizë të ndryshimit të kushteve dhe rregullave të punës në 50 vitet e fundit, e sidomos sot, kur mendja njerëzore ka shpikur Inteligjencën Artificiale dhe shumë profesione, herët a vonë, nuk do të jenë më në tokë. Tamam siç iku koha e tyre që dikur bënin qerre, apo trena me qymyr, apo profesione të tjera që zëvendësohen me teknologji dhe ide të reja.

Por çfarë e shtyn një President të vendit më të fuqishëm në botë të kuptojë evolucionin e punës sot, rëndësinë që kanë në shoqëri si punët më të thjeshta dhe shkallët më të ulëta të hierarkisë prodhuese, deri tek nivelet më të larta të drejtimit të kompanive multinacionale, ndër më të pasurat në botë?

Jo qëllimisht fjalët e Elbës janë vendosur që në krye të këtij miniseriali, është një nënvizim dhe një paralajmërim nga autorët për të vënë në dukje rëndësinë e gjithë zinxhirit prodhues në një shoqëri. Nëse Elba, apo të gjithë si ajo, nuk ndjehen aspak “më poshtë, më të pafatë, më të paaftë se të gjithë ata që iu shërbejnë, do të thotë se zinxhiri i hierarkisë në atë mjedis pune është i shëndetshëm. Funksionon mirë. E në fakt, Hotel “Pierre” në Nju Jork funksionon më së miri si në respektimin e të drejtave të punonjësve, ashtu dhe në frymën manaxheriale dhe në shpirtin e fortë të konkurrencës që një qytet si Nju Jorku pretendon.

Barak Obama duket se i është kthyer një përshtypjeje të fortë nga një libër që kur ishte në kolegj. Bëhet fjalë për “Working” të Studs Terkel, ku autori interviston dhe pyet drejtpërdrejtë amerikanë të shtresave të ndryshme dhe profesioneve të ndryshme se çfarë mendojnë për punën që bëjnë. Përgjigjet janë nga më të larmishmet, më të mendueshmet dhe të pamendueshmet.

Barak Obama në miniserinë hedh dritë si mbi punët e shërbimit, në gjendjen e klasës së mesme, tek punët e ëndrrave deri dhe te shembujt e shefave etikë në krye të sipërmarrjeve të suksesshme.

Me gjithë përparimin e pandalshëm të teknologjisë, duket qartë se edhe në një vend gjigand e modern si Shtetet e Bashkuara, marrëdhëniet njerëzore, komunikimi korrekt dhe dinjiteti në punë, mbeten çelës suksesi. Edhe pse brezat e rinj nuk do të jenë më kurrë të ngjashëm me prindërit e tyre (që dolën në pension me të njëjtën detyrë), kontakti njerëzor, stimulimet, respekti dhe mundësia për karrierë dhe përmirësim të gjendjes ekonomike, mbeten sot, si 50 vite më parë, baza e një mjedisi jete dhe pune dinjitoze.

a.m.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?