Periferi

Kur Naim Frashëri merrte "për dore" shqiptarët dhe tregonte rrugën për t'u bërë më të mirë

2 Korrik 2020, 17:27| Përditesimi: 2 Korrik 2020, 17:33

  • Share

Studiuesit e Naimit e dinë: Vlera e poetit tonë Kombëtar është e jashtëzakonshme dhe me të drejtë mban vendin e nderit mes shumë shkrimtarëve dhe poetëve të periudhës së ndritur të Rilindjes Kombëtare. Në tekstet shkollore nuk kemi pasur mundësinë të njohim plotësisht atë që një poet i përmasave të tij solli në universin mbarëshqiptar jo vetëm sa i takon shqipes, poezisë, shkrimit e këndimit, por mbi të gjitha shënjimit të një rruge mendimi dhe filozofie të secilit prej nesh drejt Dritës dhe të Mirës. Shumë breza njohën poemën "Bagëti e Bujqësi" të censuruar nga pjesa e saj "fetare" që në të vërtetë nuk është aspak fetare më shumë se udhërrëfenjëse drejt një përmirësimi njerëzor.

Në pjesën e fundit të poemës Naim Frashëri bën siç bëri Dante Alighieri me italianët, që përmes Virgjilit (Dijes) dhe Beatriçes (Dashurisë) në të magjishmen "Komedi Hyjnore", u tregoi një populli si ai italian, por edhe mbarë njerëzisë, rrugën e bukur drejt përmirësimit si qënie njerëzore.

Librat e shkollës shumë tani i kanë mbyllur, nuk di se si dhe sa studiohet Naim Frashëri në shkollën tonë moderne, ndaj, do të risillja këtë pjesë të jashtëzakonshme të së tijës "Bagëti e Bujqësi". Poetët janë një urë lidhëse mes njerëzve të zakonshëm dhe asaj që nuk njohim: mes Perëndisë, Zotit, Gjithësisë, ndaj poetët duhen lexuar rilexuar, dëgjuar e ridëgjuar, sidomos poetët tanëmë të mirë si Naimi për shembull.

Që t'u mbushë mendjen shqiptarëve për rrugën që duhet të zgjedhin, duke i njohur mirë që janë dyshues dhe shpërfillës ndaj cilitdo personaliteti njerëzor, Naim Frashëri, ndryshe nga Dante Alighieri që zgjodhi poetin Virgjil dhe vajzën Beatriçe, zgjodhi vetë Perëndinë. A do të veprojnë shqiptarët kështu? A do të besojnë poetin se vetë Perëndija ka thënë se cila është rruga më e mirë për të qenë të lumtur e të gëzuar në këtë jetë?

A janë aktuale edhe sot vargjet e tij? Kush të dojë le t'i lexojë, e kush të dojë le t'i zbatojë! Le t'i rikujtojmë!

 

Nga "Bageti e Bujqesi"

"...Perëndija njerin' e parë e mori prej dore vetë,
E zbriti mi faqet e dheut, q'ish me lulez' e fletë,
Më të drejtënë të themi, mbi faqet të dheut e ngriti,
E bëri të zotthin' e dheut edhe kështu e porsiti:

Nga kjo baltë të kam bërë, rri këtu, më paç uratë,
Mos u loth e mos psho kurrë, po përpiqu dit' e natë,
Sheh si punon gjithësija? Ashtu të punosh edhe ti,
Të mos rrish kurrë pa punë e të vësh duartë në gji.
Mos u bëj i lik e i keq, i paudh' e i pabesë,
I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pa shpresë,
Mërgohu nga të këqijat, pej çdo farë ligësije,
Pej nakari, pej lakmimi, pej vjedhjeje, pej marrëzije,
Mos vra, mos merr tek s'ke vënë, edhe ki nom dashurinë,
Bes' e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë.
Në bëfsh mirë, liksht s'gjen kurrë, po, në bëfsh liksht, mos prit mirë,
Ki dëshirë për të mirë dhe në zemërë mëshirë,
Ji i but', i urt', i vyer e mos u bëj kurrë makut,
I egër e i mërzitur dh'i mahnitur si madut,
Mos ju afro dhelpërisë, po së drejtësë iu nis pas;
Në dëgjofsh fjalët' e mija, do të jesh gjithënjë në gas.

Nga gjithë ç'pat gjithësia, të kam dhënë dhe ty pjesë,
Në u bëfsh si them, i mirë, emr'i math do të të mbesë.
Të kam dhënë mënt të mësosh, të vërtetën me të ta shohç,
Dhe zëmër' e vetëdijë, të mir' e të drejtën ta njohç,
Do të të lë dhe nevojën, udhën të të tregonjë,
Të të ndihnjë më çdo punë, të të psonj' e të të zgjonjë.
Gjithë të mirat që janë, këtu në dhet i kam mbuluar,
Po gjësendi në shesh s'nxjerr dot pa dirsur e pa munduar;
I gjen të gjitha me kohë, po rrëmo thell' e më thellë,
Çdo gjë që të duhet, kërkoje, barku i ti do ta pjellë.
Sa gjërërazë të vlera do të gjesh ti këtu brenda,
Edhe përsipërë soje, e sa do të t'i ket ënda!

Me fuqit që të kam dhënë, them që të vinjë një ditë
Të marrç udhën e së mirës e të gjesh të madhe dritë,
Të marrç vesh dalengadalë sa punëra që kam bërë,
Diell, hënë, yj, dhe, qiej e gjithësinë të tërë!

Po që u bëre i urtë, mua më ke afër teje,
Ndryshe, qofsh i mallëkuar edhe mërguar prej meje!

Të parit tënë perndia këto fjalë vetëm i tha,
I fali gjithë të mirat, i dha uratën dhe e la.
Det i p'an'i mirësisë, q'emrin tënd s'e zë dot ngoje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë;
Epu sheshevet lul' e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj' e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë;
Epi pjergulls' e vështit rrush dhe vozësë fali verë,
Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë;
Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
Edhe detit uj' e kripë, gjithësisë jet e ditë.
Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,
Të dëfrejn' e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.

Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh' e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn' e gjithë mirësisë.

Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë".

 

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?