Një udhëtim i rrallë muzikor me kryevepra botërore nga Verdi, Bellini, Donizetti, Puçini e të tjerë ndër emrave më të mëdhenj të muzikës klasike, do të vijë sonte në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Emri i madh shqiptar i skenave botërore, Ermonela Jaho, rikthehet në shtëpi.
“Përsa i përket programit kemi zgjedhur një program pakëz ndryshe, duke filluar me ‘bel canto’ deri te verismo. Jemi me një program, me pjesë që nuk janë luajtur ndonjëherë në Teatrin e operës dhe baletit, qoftë nga orkestra qoftë nga kori, kështu që është një sfidë e të gjithë neve, familjes, këtu në teatrin e operës e baletit. Jam shumë e lumtur që jam këtu dhe emocioni është i madh, sepse mund të këndosh në të gjithë botën, por kur kthehesh në shtëpinë tënde duket sikur shihesh me atë lupën magjike, që shohim çdo gjë dhe duhet edhe të sfidosh veten.”, - thotë Jaho.
Sopranoja do të interpretojë një program, që e cilëson sfidues e pjesë e të cilit do të jenë edhe pjesë të painterpretuara më parë në skenën tonë, as nga orkestra dhe as nga kori i operës. Për mediat një ditë para koncertit, Jaho kërkon më shumë vëmendje për muzikën klasike, ndërsa apelon se edhe vetë artistët duhet të bëjnë më tepër së bashku.
“Jemi një vend kaq i vogël. Kemi nxjerrë kaq mrekulli, kudo që shkon, në të gjitha vendet e botës do gjesh një solist shqiptar, në çdo vend të botës: në Australi, ne Buenos Aires, kudo. Por ne na mungon të bëhemi bashkë, të pranojmë njëri-tjetrin, të vlerësojmë njëri-tjetrin.”, - vëren artistja.
Ajo e ka quajtur jo më kot koncertin “Kur ndjenjat marrin zë”, ndërkohë që përmes tij rrëfen jo vetëm ndjenjat e veta, por iu drejtohet shpirtit të të gjithë atyre që do ta ndjekin.
“Muzika është për të gjithë. Opera nuk është vetëm për njerëz që kanë studiuar kanto, kanë studiuar muzikë, kanë studiuar harmoni, kanë studiuar kompozicion, kanë studiuar instrument. Janë ndjenjat humane të ekzagjeruara në skenë dhe muzika duhet t'i flasë çdo lloj shpirti.”
Nën dirigjimin e maestro Fabrizio Maria Carminati, njëkohësisht dhe drejtor artistik i Teatro “Massimo Bellini” në Catania, me korin dhe orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit, publiku ka treguar interes maksimal pasi prej ditësh të gjitha biletat janë shitur.
Komente
