Artisti Robert Aliaj Dragot ka ndërtuar dhe puth një mur në COD, në qendrën për Hapje dhe Dialog në katin përdhes të Kryeministrisë. Kjo do të thotë, që momenti ka ardhur për të gjithë. Një artist i mirë, i dashuruar me lirinë, si Dragot, nuk mund të jetë tjetër veçse një shenjë, një sinjal. Dhe këtë nuk e kanë të gjithë në dorë. Ndoshta nuk e kishte as vetë Dragot, i cili fillimisht mendoi ta shembte me dhunë, urrejtje, por pastaj, arriti ta përkëdhelë, ta puthë pafund. Ishte një performancë live, ishte një burim që i erdhi një artisti, siç një poeti i vijnë vargjet që as ai nuk e di se si i vijnë. Artistët janë njerëz të përzgjedhur. Ata më të mirët, janë vizionarë.
I njohim mirë muret tona. Njohim legjendën e Rozafës me ngujimin e më të voglës dhe më të mirës nuse për të ngritur mbi një kurth e hile, muret e forta të Kalasë që e prekim dhe e vizitojmë edhe sot në hyrje të Shkodrës së bukur. Kemi ndërtuar mure dhe vazhdojmë të shkatërrojmë muret që i ndërtojmë. Siç ndërtojmë familje, shoqëri, miqësi, e për pak, për një fjalë goje a për një thashethem, dyshim, ligësi, hile, jemi të shpejtë e të nxituar t’i shkatërrojmë.
Të mos nxitohemi dhe të mos urrejmë pa ditur, pa njohur, pa e vrarë mendjen tonë. Mjaft me mendjet dhe llafet e të tjerëve! Dreqi ta hajë, zoti na ka dhënë një kokë, një zemër. I vendosim në funksion! Ashtu siç artisti puth murin që ndërtoi. Donte ta shkatërronte, por puthja ju duk mjeti më i fortë.
Nuk janë të paktë në botë lajmësit e puthjes, dashurisë, xhentilesës (apo mirësjelljes të thënë bukur në shqip).
Jo shumë kohë më parë, një tjetër artist shqiptar më pat surprizuar me mesazhin që dha. Eshtë i ri, është i madh, gati gjigand, por arriti të prodhojë një fije bari dhe një pikë vesë në art. Vuri të voglën, të brishtën, të përkohshmen në piedestal. Dhe mesazhi vinte nga një djalë kryeministri; mund të kishte vënë pushtetin, forcën, luksin, frikën, çdo gjë tjetër që lidhet me atë që kemi në mendje kur duam të tregojmë se jemi mbi të tjerët, por jo, Greg Rama, vuri në ekspozitën e tij në FAB, një fije bar, me vesën mbi të. Ishte një mesazh për forcën e brishtësisë.
Nëpër galeritë e Tiranës, nëpër muzeme kudo në Shqipëri, në qendra kulturore takimesh të ngritura nga të rinj, mund të ketë gjithnjë një mesazh për secilin prej nesh: një foto, një pikturë, një libër, një takim, një dëshmi, mund të jenë mesazhe, ide për përmirësim, nxitje për rrëzime muresh, paragjykimesh, gjykimesh.
Si performanca e një tjetër artisti të shkëlqyer: Enkelejd Zonja në Bunk’Art2; veshi muret e bunkerëve të frikshëm e të fshehtë të diktaturës me pupla, për t’i shndërruar në objekte pa frikë. Apo busti i Enver Hoxhës në një kosh basketbolli, në Bunk’Art1; artisti anonim dëshiron të thotë se iku një kohë që na mban akoma mbërthyer, duhet ta kujtojmë, ta njohim, por ajo tashmë është për ne si një top. Nuk mund të na mbajë më peng, siç disa përpiqen akoma të na mbajnë të lidhur me të. Ema Andrea theu vezët në Vilën e Diktatorit, si për të zhdukur në embrion defektin tonë, për të prodhuar një diktator.
Robert Aliaj Dragot e bëri ekspozitën e tij në COD, një hapsirë që politika ka ngritur dhe ka dhënë me zemergjerësi për artin, për dialogun dhe për hapjen. Por edhe kjo është më e fundit performancë, e cila na kërkon të mendojmë e të vendosim: Artin, më shumë se politikën në tapetin e kuq, në piedestal. Por Artin e bukur dhe të vlefshëm ama. Jo vulgaritetin, tallavanë. Si mund t’i njohim? Vetëm ndjeshmëria, dhembshuria, dija, puna dhe thjeshtësia na bëjnë të dallojmë. Për këtë, shkolla dhe natyra janë mësuesit tanë. Kur së bashku t’i pranojmë, përqafojmë, atëherë përmirësimi ynë është në rrugë të mbarë.