Drejt Punës
Opinion
Periferi

Kur një vajzë shqiptare ëndërron të bëhet prokurore, era e mbarë ka ardhur vërtetë në vend

26 Maj 2021, 13:28| Përditesimi: 26 Maj 2021, 13:33

  • Share

Nuk e dimë mirë nëse është në këtë foto vajza përmetare që mori mikrofonin dhe tha në takimin me ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca dhe të tjerë ambasadorë të pranishëm atje: “Unë do të qëndroj në Shqipëri për ta bërë një vend më të mirë. Pas 15 vitesh e shoh veten si prokurore dhe të jap kontributin tim për Shtetin e së drejtës”. Në katër fotot e takimit të publikuara dhe të shpërndara nga vetë ambasadori në rrjetet sociale, janë dy vajza dhe një grup i tërë të rinjsh ndërsa bisedojnë në Përmet. Dhe për hir të së vërtetës, ndoshta, nuk ka shumë rëndësi se cila ishte pikërisht vajza që tha fjalët.

Gjatë takimeve të tij nga Veriu në Jug, ambasadori Soreca ka dëgjuar shumë, shumë shqiptarë. Të huajt në gjithë këto vite tranzicioni të raskapitur, kanë dëgjuar herë të lodhur e herë entuziastë çdo gjë, por një refren, një plagë e thellë dhe drobitëse për të gjithë ata, ka qenë Drejtësia. Kujtojmë dhe prokurorin shqiptaro-amerikan Gjon Junçaj, pezmatimin e tij kur u largua nga misioni në Tiranë. Trishtimin e një njeriu të Drejtësisë që vuri re se sa padrejtësi rëndonin mbi shpatullat e shqiptarëve të thjeshtë. Ndaj po vjen thuajse natyrshëm dita që shumë të rinj,  që një e re, në vend të fustaneve, sfilatave, instagrameve me filtra, të ëndërrojë të përmirësojë shtëpinë, qytetin, atdheun e vet. Dhe kur të rinjtë e dinë çfarë duan, do të thotë se një erë e mbarë po fryn kudo në Shqipëri, nga Jugu në Veri.

E kishim vënë re se në horizont po vijnë të rinj ndryshe: për shembull të përkushtuar, të apasionuar me teknologjinë, e këtë teknologji ta vendosin në shërbim të kujt ka nevojë dhe urgjencë (kujtoj vajzat e aplikacionit GjejZa); të tjerë që kalojnë orët në stërvitje me sporte të ndryshme apo me përkushtim pranë Natyrës. Dhe kjo e fundit, më shumë se kushdo tjetër, i rrit ndjeshmërinë dhe vetëm të rinj të ndjeshëm sot, e nesër të rritur, mund të shohin dhe dallojnë më mirë dhe të kuptojnë se bashkëjetesa harmonike dhe e barabartë kërkon rimëkëmbjen dhe dinjitetin e Drejtësisë.  

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?