Pele, legjenda e futbollit

Kur Pele ndali luftën civile

11 Prill 2023, 15:05
  • Share

Në vitin 1969, si pjesë e një turneu me miqësore Santos dhe Pele u gjendën në Nigeri, aty ku lufta civile po shuante vendin. Prania e “mbretit të futbollit” duhej të ndryshonte përgjithmonë sportin e vendit. Një nga njerëzit që jetoi afër Pelesë gjatë asaj kohe dhe rruga e tij në sport u ndikua nga asi brazilian, ishte Godwin Ijilen, i cili rrëfeu ngjarjet për BBC Sport Africa. Ai ishte përzgjedhur si drejtuesi i një ekipi të formuar për të përfaqësuar shtetin e mes-perëndimit. “Ishte në kulmin e luftës civile. Në ditën e ndeshjes, askush nuk mendonte më për armët”, tha ai.

Natyrisht, Pele nuk ishte i vetmi në listën e Santos-it, pasi atij iu bashkuan Carlos Alberto dhe Pepe, të cilët udhëtuan drejt Evropës dhe Afrikës për të përhapur më tej famën e “Santasticos”. Përveç Nigerisë, në të njëjtin vit ata kishin qenë në Algjeri, Kongo, Republikën Demokratike të Kongos, Gana dhe Mozambik.

Edhe pse mbërritja e Santos në Nigeri erdhi një vit para Kupës së Botës së Meksikës dhe trofeut të tretë të Brazilit, 28-vjeçari Pele tashmë kishte në koleksionin e tij trofetë e viteve 1958 dhe 1962. “Ishte shumë mbresëlënëse të shihje personalisht Pelenë, sepse ne të gjithë lexonim për të si një lojtar i ri që ndihmoi Brazilin të fitonte Kupën e Botës në Suedi”, tha Jonathan Ofugere, i cili në atë kohë ishte president i Unionit të Futbollit të Afrikës Perëndimore (WAFU).

Ndeshja u zhvillua më 4 shkurt dhe filloi keq për vendasit. “Brenda pesë minutave pësuam dy gola”, kujton Ijilen, i cili luante në mesfushë. “Unë fola me lojtarët e mi dhe thashë: “Shiko, ne duhet të bëjmë diçka. Nuk mund t'i lejojmë ata të na copëtojnë në shtëpinë tonë”. Ai vetë mori përsipër ndalimin e Pelesë. Ai ia doli deri në një pikë, edhe pse herë pas here, siç e pranoi edhe vetë, i duhej ta shënonte. Në pjesën e dytë skuadra nigeriane arriti të shënonte. Në fushë pati brohoritje, ndërsa një biznesmen i pasur hyri në fushë dhe u shpërndau para lojtarëve. Edhe pse arbitri i kërkoi të dilte, ai e bëri këtë vetëm kur mbeti pa para. Ndeshja përfundoi 2-1 në favor të Santos.

Ka shumë histori që pretendojnë se mbërritja e Peles në qytetin e Beninit, pranë vijës së parë të luftimeve midis forcave të qeverisë nigeriane dhe luftëtarëve të pavarësisë së Biafras, çoi në një armëpushim informal, me ushtarët që ulnin armët. E vërteta ka të bëjë më shumë me atë që pasoi praninë e Pelesë në vend. “Vizita e Pelesë çoi në shumë gjëra”, thekson Ofugere dhe shton: “Shoqata e Futbollit Nigerian, të cilës i shërbeva për më shumë se 10 vjet, tani pa Brazilin dhe e imitoi atë dhe inkurajoi lojtarët të luanin si brazilianë.

Kjo bëri që nigerianët të shkonin në Brazil dhe Nigeria të punësonte gjithashtu një trajner brazilian, Otto Gloria, i cili na ndihmoi të fitojmë Kupën e Kombeve të Afrikës për herë të parë në 1980. Gjithashtu për Godwin Ijilen, i cili vazhdoi të bëhej trajner dhe në vitin 2004 udhëhoqi ekipin kombëtar të femrave të Nigerisë drejt fitores në Kupën përkatëse të Kombeve të Afrikës, ndikimi ishte vendimtar. “Ne theksuam disiplinën. Kishim seanca të rregullta stërvitore, ndërsa teknikët tanë filluan të merrnin kurse për të marrë licencë, siç ishte rasti në Brazil dhe Evropë. Ne braktisëm sistemin "merr topin dhe vrapo" dhe vendosëm taktika në lojën tonë, duke e nisur sulmin nga mbrojtësit tanë".

Vdekja e Pele dhjetorin e kaluar në moshën 82-vjeçare i rrëmbeu futbollit më të madhin e të gjitha kohërave, por Ofugere është i bindur se trashëgimia e brazilianit vazhdon në Nigeri.

“Ne të gjithë jemi shumë të trishtuar që e humbëm atë, por ai ka lënë një gjurmë të pashlyeshme që lojtarët tanë duhet të kërkojnë ta imitojnë”.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?