Qyteti Unalaska në Alaskë

Bota

Kur Rusia ia shiti Amerikës Alaskën…

14 Gusht, 12:26| Përditesimi: 14 Gusht, 12:29

  • Share

Më 1867, një transaksion i jashtëzakonshëm e ka ndryshuar hartën e Amerikës së Veriut: Rusia ua ka shitur Shteteve të Bashkuara territorin e Alaskës për 7.2 milionë dollarë.

Përtej përfshirjes në shumë mite, legjenda apo thashetheme ndër breza, kjo ka qenë një marrëveshje prej të cilës kanë përfituar të dyja palët.

Lindja e ”Amerikës ruse”

E ashtuquajtura “Amerika ruse” ka nisur të marrë formë shumë përpara vitit 1867. Eksploruesit rusë dhe tregtarët e gëzofëve kanë arritur në Alaskë në fillim të shekullit 18 – kryesisht gjatë Ekspeditës së Dytë të Kamçatkës më 1741, nën drejtimin e Vitus Beringut dhe Aleksei Çirikovit.

Udhëtimet e tyre u kanë hapur rrugën tregtarëve, sidomos atyre që kanë qenë në kërkim të lëkurave të shtrenjta të vidrave dhe që kanë guxuar t'i vizitojnë brigjet e Paqësorit të Amerikës së Veriut.

Në vitet 1760 dhe 1770, prezenca ruse ka qenë mirë e vërejtshme. Një mori ngjarjesh – nisur nga krijimi i pikave tregtare në vendet sikurse Unalaska dhe Kodiaku, e deri te përleshjet mes grupeve indigjene, sikurse ato mes aleutsve dhe tlingitëve – kanë vënë më shumë dritë mbi realitetin e ashpër të zgjerimit kolonial.

Grigory Shelikhov ka qenë figura kryesore në këto vendbanime të hershme ruse dhe në ekspeditat tregtare.

Më vonë, nën lidershipin e Alexander Baranovit, Kompania Ruso-Amerikane e ka konsideruar kontrollin e Alaskës nga Sitka (atëbotë e njohur si Novo‑Arkhangelsku), dhe ka krijuar rrugë tregtare, ka ndërtuar pika të fortifikuara, dhe i ka dërguar atje priftërinjtë ortodoksë, të cilët kanë ndërtuar kisha dhe kanë nisur misione në mesin e komuniteteve lokale.

Pse Rusia e shiti Alaskën?

Në mesin e shekullit 19-të, Perandoria Ruse nuk e ka parë Alaskën si aset strategjik, mirëpo si përgjegjësi në rritje. Kostoja e mirëmbajtjes së një territori aq të largët, sidomos pas humbjes së madhe në Luftën e Krimesë, ka qenë barrë e rëndë për pushtetin.

Për më shumë, prezenca e anijeve britanike në Paqësor, i ka rritur shqetësimet se mbrojtja e “Amerikës ruse” në ndonjë konflikt të ardhshëm do të kthehet në mision të pamundur.

Çfarë i ka shtuar edhe më shumë benzinë zjarrit kanë qenë vështirësitë financiare, për të cilat e ka ngritur alarmin ministri i atëhershëm i Financave, Mikhail Reutern.

Ai ka paralajmëruar se mirëmbajtja e Kompanisë Ruso-Amerikane, e cila e ka menaxhuar koloninë, nënkuptonte ndarjen e shumë subvencioneve – fonde të cilat Qeveria e atëhershme nuk kishte kapacitet t’i ndante.

Nisja e negociatave

Diskutimet për fatin e Alaskës nuk kanë vonuar. Më 1853, guvernatori i përgjithshëm i Siberisë Lindore, Nikolay Muravyov‑Amursky, ka sugjeruar se Rusia përfiton më shumë nëse ia shet Alaskën ndonjë vendi mik – sikurse ishin Shtetet e Bashkuara – sesa ta mbronte atë dobët apo ta humbte në rast të ndonjë krize.

Në mesin e viteve 1860, urgjenca financiare dhe parashikimet strategjike kanë rezultuar në këtë përfundim.

Në një takim të posaçëm të zhvilluar më 16 dhjetor 1866, ishte përfshirë cari Aleksandri II, vëllai i tij, duka i madh Konstantini, ministri i Jashtëm, Alexander Gorchakov, ministri i Financave, Reutern, dhe i dërguari rus, Eduard de Stoeckl. Ata janë pajtuar në parim për shitjen e territorit dhe jo për mbajtjen e tij, për shkak të barrës financiare.

Arritja e marrëveshjes

Në mars të vitit 1867, de Stoeckl ka arritur në Uashington për të diskutuar me Sekretarin e atëhershëm amerikan të Shtetit, William H. Seward.

Ata kanë diskutuar fillimisht një çmim mes 5-7.5 milionë dollarëve, dhe në fund janë marë vesh për 7.2 milionë dollarë.

Traktati është nënshkruar më 30 mars 1867, dhe kështu Alaska është transferuar zyrtarisht nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara.

Në Shën Petersburg, cari e ka miratuar marrëveshjen në fund të marsit. Udhëheqësi i Kompanisë Ruso-Amerikane është informuar në prill, dhe duket se nuk ka qenë i përgatitur për shitje. Deri në shtator të vitit 1868, kompanisë i është ndarë një dëmshpërblim financiar për humbjet që mund t’i jenë shkaktuar.

Në Uashington, Senati amerikan e ka ratifikuar traktatin me 37 vota për dhe dy kundër.

Më 18 tetor 1867, territori i është transferuar zyrtarisht SHBA-së, përmes një ceremonie të organizuar në Sitka.

Kjo datë ende shënohet në Shtetet e Bashkuara si Dita e Alaskës.

Zemërimi publik dhe trashëgimia

Në Rusi, njerëzit kanë pasur emocione të përziera. Disa e kanë kritikuar marrëveshjen, duke e quajtur të “turpshme”, dhe kanë vuajtur për humbjen e tokës së ndërtuar me djersë dhe sakrificë.

Në Shtetet e Bashkuara, disa janë tallur për blerjen e një toke që është përshkruar si e pavlerë, për shkak të motit të ashpër.

Të tjerë që kanë parë vlerë në atë tokë, kanë ëndërruar që të ardhmen të fitojnë qasje në Azi dhe ishujt e saj të pasur, pikërisht përmes Alaskës.

Kush pati të drejtë?

Koha ka treguar për rëndësinë e kësaj toke. Në fund të shekullit 19, nga Alaska është nxjerrë ar, dhe zbulimet e mëvonshme të naftës, ia kanë rritur edhe më tepër vlerën territorit.

Rusia, në anën tjetër, ka përfituar nga marrëveshja, sepse rusët argumentonin se me ato para e kanë modernizuar linjën hekurudhore dhe i kanë forcuar kufijtë e Lindjes së Largët - territore me më shumë përparësi strategji, sesa Alaska e ngrirë.

Pikë kthese në histori

Shitja e Alaskës nuk ka qenë vetëm marrëveshje për tokë – ky moment e ka shënuar edhe një pikë kthese.

Kjo shitje ia ka mundësuar Rusisë që të përqendrohej në zonat e saj të thella aziatike, ndërsa SHBA-ja ka fituar në aspektin gjeopolitik pasi e ka rritur qasjen në Paqësor dhe ngadalë ka mësuar më shumë për pasurinë natyrore të Alaskës.

Kështu, “Amerika ruse” është transformuar gradualisht në shtetin amerikan të Alaskës - një legjendë jo e humbjes apo mashtrimit, por e diplomacisë, pragmatizmit dhe riformësimit të gjeografisë globale./REL

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?