Kur Sadik Kaceli pikëtakohej me Eugène Delacroix

16 Korrik 2019, 08:29| Përditesimi: 16 Korrik 2019, 09:45

  • Share

Ky pikëtakim nuk është real në sensin e pikëtakimit midis dy njerëzve, pasi Sadik Kaceli dhe Delacroix kanë jetuar më shumë se një shekull larg një tjetrit, por ky pikëtakim duket imagjinar, apo përmes imagjinatës, krijimit, atmosferës pikturale, ngjyrës, linjës, me një fjalë të frymës së piktorit shqiptar me një pjesë të rëndësishme të veprës së Eugène Delacroix siç ishte epoka e tij orientaliste. Cdo tablo mbart mbi vete peshën e kujtesës, peshën e kohës, metafizikë ku mpleksen atmosfera njerëzore dhe pikëtakimet pikturale, që çuditërisht binjakëzohen në një tablo tjetër përmes formës, lëndës, « testure »-s. Vështroj tablonë « Përgatitjet e dasmës tiranase » të Sadik Kacelit dhe bota e ngjizur në të më tërheq menjëherë : ambient familjar, prindërit e nsuses së re, atmosfera e gëzuar, dinamika e një dasme që afrohet, ndërkohë që gjithë kjo na spikat përmes të kuqes « cramoisi », të kuqes ekarlate, okrës së ëmbël, jeshiles së fortë dhe ngjyrës së barit, pra me një harmoni ngjyrash që çuditërisht më afrojnë tablotë e Delacroix pranë kësaj tabloje. Vallë është një frymëzim nga Delacroix ? Sigurisht subjekti është tepër shqiptar por dhe shumë oriental njëkohësisht siç ishte në kohën e rinisë së Kacelit.

Por nuk është vetëm kjo. Van Gogh pikturonte atëherë mullinjtë e barit të Millet duke i pikturuar ato krejt ndryshe, Picasso risillte portrete « alla » Cezanne, Bacon risillte El Greco, etj, por ato mbeten kryevepra më vete për forcën, mjeshtrinë, artin e pikturimit dhe jo për pikëtakimin në frymë dhe subjekt. Këtë përqasje gjej duke parë gjatë tablonë e Kacelit me disa nga tablotë e Delacroix të epokës orientaliste. Padyshim, pas udhëtimeve të tij në vendet e Magrebit, në Algjer e në Maroc, (një prurje marramendëse tablosh e vizatimesh), Delacroix solli tablotë më të mrekullueshme të shkollës orientaliste ne Francë, krahas krijimeve të Alexandre Decamps (me Valltarët shqiptarë ), Léon Gérôme (me shqiptarët e tij me fustanellat e bardha), Scheffer, Bida, etj. 

Kur Kaceli studjonte në Paris në Akademinë e Arteve të Bukura në fundin e viteve ’30 (ai u kthye në vitin 1942) kultura e tij pikturale u krijua në Muzeun e Louvre dhe galeritëmë të mëdha parisiane buzë Senës. I mjaftonin disa hapa për të kaluar nga akademia tek bregu tjetër i Senës për të hyrë në botën e alkimisë dhe të magjisë së artit, në shtëpinë e gjenive, ku shumë tablo të Delacroix vareshin në muret e larta të ish pallatit mbretëror që epoka napoleoniane e ktheu në shtëpi arti. Dhe në pikturat orientaliste të Delacroix ai ka përafruar në koshiencën e tij imazhin oriental të jetës së Tiranës së asaj kohe, kur “neoshqiptarizma” me revoltën e saj qytetare dhe të guximshme kërkonte ta zhvendoste Shqipërinë nga bota e Orientit drejt Oksidentit, pra Perëndimit. Kështu, në kthim, në Shqipëri, kur Kaceli ka pikturuar këtë tablo, imazhet e Delacroix duhet t’i kenë qenë të efërta, të dashura, edhe pse ai e dinte se do duhej shumë punë të arrinte madhështinë e një gjeniu si ai.

E megjithatë, në atë ngazëllim subjekti aq familjar dhe përkushtues, Kaceli i është afruar afër gjeniut të madh. Vështroj tablonë e Kacelit, risjell në mendje tablotë orientale të Delacroix dhe shpirti më gëzon me arritjen e mjeshtrit shqiptar, ku artisti ka ngjizur gjithçka të tijën me një dashuri të madhe. Sigurisht, do doja të shihja një seri të kësaj bote krijuar nga mjeshtri, të parë në interieret e një jete ku pulson një jetë njerëzore, por Kaceli ishte një bohem i natyrës, një tjetër dashuri e madhe e tij.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?