Vendet e Ballkanit kanë patur stereotipin e të urtëve e të dëgjueshmëve ndaj të mëdhejve të Evropës dhe të qënit grindavec me njëri tjetrin. Ndaj dhe projekti i Nismës së Berlinit për të krijuar një rajon të integruar mes veti, një lloj minishengeni ku të stimulohej lëvizja e lirë, shkëmbimi ekonomik, dogana të përbashkëta dhe lehtësira të tjera në një hapësirë dhe treg më të madh të përbashkët, kjo mund të quhej fanitje duke e përcjellë me një buzëqeshje qesëndisëse dhe mosbesuese. Në këtë hapësirën këtej, që quhet Ballkan, ku ndërjetojnë ca popuj më të vegjël se ata në Perëndim, por dhe shumë fodullë e inatçinj ndaj njëri- tjetrit, hapësira midis tyre ka qenë e përbashkët veç kur kanë qenë nën hyxhymetin e perandorive të mëdha.
Kur krijuan shtetet e tyre, një rrip toke mund të shndërrohej në motivin e mizorive më të mëdha. Vitet 90, ishin shembulli i fundit se deri ku mund të shkojë flaka e urrejtjes në Ballkan, aq sa la pa gojë vendet e tjera evropiane që gjithsesi nuk janë larg në distancë gjeografike. Ndoshta kjo egërsi dhe largësi në mentalitet bëri që Ballkani dhe më së tepërmi Ballkani Perëndimor të jetë hapësira e fundit në rradhë për tu integruar dhe për tu futur në familjen e BE.
Sidoqoftë, pasi është lënë tej kjo periudhë urrejtjeje në rajon, duket se BE ka përcaktuar se duhet kaluar provimi i bashkëpunimit ndërmjet vet shteteve ballkanike. Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor që u zhvillua dje në Tiranë i mëshoi pikërisht krijimit të një hapësire të përbashkët ekonomike. Deri tani është hequr vetëm tarifa telefonisë që të jetë e përbashkët në gjithë vendet, por duhet vijuar më tej, më doganat, me lëvizjen e lirë të mallrave dhe kapitaleve për ta bërë më tërheqës si treg. Në këtë linjë ishte disa ditë më parë dhe takimi i ministrave të jashtëm të BP të kryesuar nga ministri i jashtëm gjerman.
Veçse kësaj here diçka ndryshon dukshëm. BE po u tund në fytyrë 30 miliardë euro investime në infrastrukturë nëse vërtet duan të bashkëpunojnë dhe të ngrenë një hapësirë të përbashkët paqeje dhe prosperiteti ekonomik. A do mbeten sërish grindavecë vendet e Ballkanit Perëndimor, apo do bëhen më evropianë për ti përfituar këto fonde?/ Gazeta "Fjala"