Kur zhurma të pushojë, edhe ne do të kemi mundësinë të dëgjojmë këngët dhe tekstet e tyre. E të përmirësohemi, siç përmirësohen popujt me muzikën dhe poezinë e bijve më të mirë.
Ishte viti 1995, dhe akoma nuk ishte mbushur viti që bëja gazetaren e kulturës, kur në festivalin e 34-t në RTSH, Aurela Gaçe do të këndonte një mrekulli: “Nata”, me tekst të Agim Doçit dhe muzikë të Adrian Hilës.
Ishin vitet kur shqiptarët merrnin arratinë, urrenin çdo gjë dhe këdo, e largoheshin prej gjithçkaje, ishin vite të një ekzistence në kufijtë e mizerjes, por ishin vite kur kishte shpirt, këngë dhe muzikë. Zëri i Aurela Gaçes gulçonte në atë tekst plot dhimbje, si të ishte kronika e kronikës të së vërtetës, ndërsa muzika e vështirë, gati e paarritshme nxori nga ajo këngëtare e talentuar një kryevepër. Në atë tekst të Agim Doçit ishin distiluar qindra histori në faqe gazetash e në atë muzikë të Adrian Hilës ishin përqëndruar miliona vaje nënash, vajzash, burrash, pleqsh e fëmijësh. Duhet dëgjuar e ridëgjuar. Ishte Shqipëria dhe shqiptarët e 1995-ës.
Këto këngë sot mbulohen nga zhurma e gjithçkaje, nga kotësia e gjithçkaje, por janë aty, mbeten dhe shpërthejnë atëherë kur duhet.
Nisa të bëj gazetaren kur artistët ishin Artistë në të gjitha fushat, në muzikë, në teatër, artet figurative... por pastaj nisi zhurma. Filluan të bërtisnin politikanët, filluan t’ua merrnin tapetin e kuq aktorëve, këngëtarëve, poetëve për të bërë ata “artin” e tyre. E ndërsa arti i vërtetë tkurrej, tekstet magjike mbeteshin pluhurosur në sirtare, një tjetër kategori pseudoartistësh mori skenën në krah të politikanëve.
Janë ende bashkë, aktrojnë, këndojnë, bëjnë tekste e performanca duke mbajtur të gjallë zhurmën që njerëzit të mos kapin, të mos njohin e të mos kuptojnë të bukurën, atë autentiken, të vërtetën, origjinalen.
Lexoni tekstin dhe dëgjoni në Youtube “Natën”, (https://www.youtube.com/watch?v=hnt9bU4De2M) kënduar nga Aurola Gaçe, me tekst të Agim Doçit dhe muzikë të Adrian Hilës dhe me të mbuloni zhurmat e kotësisë që ende vazhdojnë të mbajnë peng shqiptarët.
“NATA”
Deti i frikshëm nëpër natë
Hapësirë pa fund nga dhembja
Prisja ditën që të zbardhë
Në mbretërinë me ëndrra
Po si iku vallë?
Nata ish memece...
Pyeta yjet
Pika loti s'di nga ranë
Po qanin sytë e mi
Klandestinët hapin plagë
Në brigje mbeti dhembja
Nesër nënë, dje isha vajzë
E virgjër hëna
Erdh' mëngjesi i bardhë
Zgjati dorën dhe më mori
Ti u zhduke bashkë me natën tënde
Ike, ike larg
Nata, nata
Dashurinë kafshonte nata
Përpëlitem në vetmi
Por nata...
Dashurinë ma mori nata
Nata, nata
Dashurinë kafshonte nata
Pjesë e natës ish ai
Klandëstinët hapin plagë
Në brigje mbeti dhembja
Nesër nënë, dje isha vajzë
E virgjër Hëna
Erdh' mëngjesi i bardhë
Zgjati dorën dhe më mori
Ti u zhduke bashkë me natën tënde
Ike, ike larg
Une e desha si e marrë
Deti mori dashurinë
S'harrohet nata
Miliona ditë i vodhi nata
Deti... nata
Ajo do t'na ndjek pas
Gjithë jetën
Nata, veç nata
Deti i frikshëm nëpër natë
Hapësirë pa fund nga dhembja
Prisja ditën që të zbardhë
Në mbretërinë me ëndrra
Po si iku vallë?
Nata ish memece...
Pyeta yjet
Pika loti s'di nga ranë
Po qanin sytë e mi
Lamtumire i madhi Agim Doçi. Nuk kam fjale te shprehem per ju i madhi poet pasi ju ishit gjeniu i penes . Jam i lumtur qe ju kam njohur . Ngushellime familjes, i paharruar qofte i madhi Agim Doçi.
Përgjigju