Stina e vjeshtës ka sjellë me vete një shtim të ndjeshëm të rasteve me viroza. Gjithnjë e më shpesh dëgjojmë për njerëz që ankohen për bark, të vjella, temperaturë apo lodhje të përgjithshme. Janë shenjat tipike të virozave të stinës, që përhapet me shpejtësi në ambiente të mbyllura, shkolla, çerdhe apo në vende pune. Në këto kushte, forcimi i sistemit imunitar është mënyra më e mirë për të parandaluar sëmundjet dhe për të kaluar më lehtë çdo infeksion. Natyra na ofron një arsenal të pasur me bimë mjekësore, çajra, vajra dhe produkte të tjera që mund të ndihmojnë në mbrojtjen dhe përforcimin e organizmit.
Për të mësuar më shumë rreth mënyrave natyrale të mbrojtjes ndaj virozave dhe për të marrë këshilla praktike për përgatitjen e kurave në kushtet e shtëpisë, specialisti i njohur i bimëve mjekësore, Ylli Merja në emisionin "Rreze Dielli" në Report TV, ndan informacione të vlefshme, receta tradicionale dhe këshilla të thjeshta për të përballuar këtë periudhë sfiduese me më shumë mbrojtje dhe energji.
Sipas specialistit të bimëve mjekësore, Ylli Merja, virozat e stinës janë të zakonshme, por nuk duhet nënvlerësuar ndikimi i tyre në organizëm, sidomos tek fëmijët, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobët.
“Shenjat si barku i prishur, të vjellat, mungesa e oreksit dhe lodhja janë tregues se organizmi është i sulmuar dhe ka nevojë për ndihmë. Para se të drejtohemi te ilaçet, ka shumë gjëra që mund të bëjmë në mënyrë natyrale,” – shprehet Merja.
Simptomat e virozave mund të jenë të ndryshme, shpeshherë mund të keni dy apo më shumë simptoma së bashku:
“Hundë të bllokuara ose me rrjedhje, por që nuk kullojnë; kollë e thatë ose me sekrecione; dhimbje fyti, djegie fyti, dhimbje koke; inflamacion i fytit e bajameve;
inflamacion i syve, lotim; inflamacion në sistemin e tretjes, dhimbje barku, diarre; plogështi, dhimbje kockash, lodhje, djersitje e shtuar në kokë, qafë, trup; ethe, dridhje kur temperatura kalon mbi 39°C”.
Po si të forcojmë imunitetin në mënyrë natyrale dhe të luftojmë virozat? Merja rekomandon disa hapa të thjeshtë por shumë efikasë:
- Mbani kontakt me mjekun!
- Përdorni çajra me bimë antivirale si rigoni, trëndafili i shkëmbit, karafili, trumza, borziloku, piperi i zi, xhenxhefil, etj.
- Në 1 litër ujë zieni 2 minuta: 1 lugë rigon, 1 lugë trëndafil shkëmbi, trumzë ose borzilok, 3-4 gozhdë karafili, 1 lugë çaji piper të zi, 10-15 kokrra trëndafil të egër
- Fëmijët nga mosha 1-5 vjeç pinë 2-3 filxhanë kafe nga ky çaj duke shtuar nga 5-6 pika propolis blete. Fëmijët 6-10 vjeç pinë 3x1 gotë çaji 150 ml me 8-10 pika propolis blete, ndërsa të rriturit 3x200 ml çaj me 10-12 pika propolis me rigon
- Vendosim tek fëmijët e vegjël 1 pikë vaj dafine në hundë dhe 3-4 pika vaj dafine me një lugë çaji vaj ulliri i përziejmë dhe i vendosim në trup, gjoks, shpinë
- Nëse ka temperaturë të lartë, hedhim në një gotë 2 lugë gjelle uthull molle, 1 lugë kafe kripë të zezë dhe 2-3 lugë gjelle ujë. Me një garzë të lagur lyejmë trupin dhe bëjmë kompresa
- Të pihet propolis 2-3 herë brenda ditës si dhe të sprucohet disa herë në duar antiseptik dhe të mbahet tek hundët
- Të konsumohet gjatë ditës 1 thelpi hudhër për fëmijët, 2-3 për të rriturit, si dhe qepë, limona, portokalle, lëng pule.
Shënim i redaksisë: Kurat natyrale janë ndihmëse dhe nuk zëvendësojnë trajtimin mjekësor në rastet kur simptomat përkeqësohen. Konsultohuni gjithmonë me mjekun sidomos tek fëmijët, gratë shtatzëna apo personat me sëmundje kronike.
Komente
