Sociale

Kurbin/ Banesat iu shkatërruan nga tërmeti i 26 nëntorit, 25 familje ende në çadra! Fëmijët: Nuk mësojmë dot

29 Shtator 2021, 17:20| Përditesimi: 29 Shtator 2021, 17:26

  • Share

Edhe ky vit shkollor e gjeti në çadër Romina Veselin në Fushë-Milot të Kurbinit. Banesa e saj u shkatërrua nga tërmeti i 26-nëntorit të vitit 2019-të, e që prej asaj kohe situata vijon të mbetet e njëjtë. Mes varfërisë dhe kushteve të vështira të jetesës, vogëlushja e cila këtë të hënë nisi klasën e pestë, thotë se studimi është mjaft i vështirë.

“Jetojmë në çadër që prej tërmetit të 26 nëntorit të 2019.Unë shkoj në klasë të pestë. Në çadër është shumë ftohtë dhe vështirë për të fjetur. Edhe kushtet shumë-shumë të vështira. Nuk kemi kushte ku me bë detyra. Me zor jetojmë këtu. Më mirë është të shkoj në shkollë se sa online”, tha nxënësja, Romina Veseli.

Mamaja e saj, Etleva shpreson që ky vit ti gjejë në shtëpi të re, pasi gjendja në të cilën ndodhen është tepër e vështirë.

“Në online nuk është në gjendje me mësuar sepse kushtet nuk janë të mira. Nuk dimë çfarë të bëjmë. Inshallah zoti na vendos dorë këtë verë. Inshallah qeveria vendos dorë. Jam mundu që ti plotësoj kushtet për të shkuar në shkollë, por janë shumë”, tha mamaja e Rominës, Etleva Veseli.

Në njëjtat kushte jetojnë edhe familje të tjera në zonën e Kurbinit, gjë që vështirëson ndjekjen e mësimit nga fëmijët.

 “I kam të tre fëmijët në shkollë. Siç e shikoni dhe vetë që nga tërmeti  i 26 nëntorit jetoj në çadër. Vështirësitë janë shumë të mëdhaja. Fëmijët me mësim online ngelen përgjysmë. Dëshira ime është që mësimi të vijojë rregullisht. Është tepër e vështirë, pasi në kushtet e ftohta të dimrit i kanë bërë mësimet në çadër. Në temperaturën e nxehtë i kanë bërë mësimet në hije të pemëve. Fëmijët e mi janë mirë në mësime, por reduktimi i mësimit mi ka dëmtuar shumë”, tha banor i Shullazit, Tahir Murati.

Në Kurbin po punohet me intensitet për ndërtimin e pallateve, ndërsa për banesat individuale procesi është më i ngadaltë. Ndërkohë në këtë bashki prej 29 nëntorit të 2019, janë 25 familje që vijojnë të jetojnë në çadra.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?