Kurbin- Një 25-vjeçar që dy vite më parë iu gjet snajper i mbushur në makinë, me të cilin dyshohet se do kryente vrasje, u lokalizua dhe arrestua nga Policia e Kurbinit ditën e sotme.
I ndaluari është Orgest Mehi, që mbante edhe identitet të dytë Orgest Shehaj. Ai gjithashtu akuzohet se tentoi të përplaste efektivët e policisë në aksion gjatë asaj ngjarjeje. Operacioni është koduar “Fokusi” dhe u krye në zonën e Fushë-Kuqes.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin e datës 9 shkurt 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe "mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë".
Ngjarja ndodhi në fshatin Gurrëz, ku pas ndjekjes braktisi mjetin, brenda të cilit efektivët gjetën pushkën snajper me fishek në fole. Policia bëri me dije se 25-vjeçari është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Njoftimi i Policisë:
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Fokusi”.
Lokalizohet në Fushë Kuqe, kapet dhe vihet në pranga një shtetas me rrezikshmëri shoqërore.
Në muajin dhjetor 2023, ky shtetas rrezikoi jetën e punonjësve të Policisë, duke u larguar me shpejtësi, me automjetin në të cilin mbante një armë zjarri snajper me precizion të lartë, që dyshohet se ishte siguruar për të kryer vrasje.
Në vijim të punës së pandërprerë për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, bazuar në informaionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Fokusi”, gjatë të cilit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi:
O. M. alias O. Sh., 25 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin e datës 09.02.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë".
Më datë 18.12.2023, në Fushë Kuqe, shtetasi O. M. alias O. Sh. nuk i është bindur urdhrit të punojësve të Policisë në shërbim, për të ndaluar automjetin, dhe ka rrezikuar jetën e tyre, duke u larguar me shpejtësi, me automjet. Më pas, gjatë kontrollit në automjetin që ky shtetas e kishte braktisur në fshatin Gurëz, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri snajper me precizion të lartë dhe fishek në fole, si dhe një çantë me municion luftarak për këtë armë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme".
Komente
